Ali Podrimja, si e profetizoi fundin e jetës së vet në vargje!

Nga Jolanda Lila

Vdekja e poetit Ali Podrimja pesë vjet më parë ishte një mister që zhuriti dhe habiti të gjithë miqtë, të afërmit, njohësit e poezisë së tij, por edhe më gjerë. Ashtu si vargjet që shkroi gjithë jetën, të cilat mbulohen nga mjegullnaja simbolike, gjuha ezoterike dhe konciziteti, ashtu përfundoi edhe jeta e bardit të shqiptarizmës, në një vorbull paqartësie, në mënyrë të beftë dhe mes pafundësisë së shtigjeve hamendësuese.

Poezia ishte lajtmotivi i jetës së tij, ishte zëri dhe tik-taku i shpirtit të tij, që u ndal pikërisht në një nga tubimet poetike të kryeqendrës kulturore evropiane, Francës. Çuditërisht trupi i tij u gjend pranë një pylli, jo në dhomën e ndonjë spitali apo hoteli, por në mes të natyrës dhe të gjithësisë, e konkretisht mu pranë një lumi. A thua Lumi e thërriste, sepse ai gjithë jetën kishe shkruar për të dhe kurrë nuk guxoi ta pranojë vdekjen e birit të tij të dashur (Lumit), sepse e ndjente thellë brenda qenies frymëmarrjen e tij, e shihte gjithkund: “vdekjen tënde nuk mund ta nënshkruaj vogëlush/ varrëmihësit le ta qesin emrin/ ose bardhësia le të më mbulojë edhe mua/ të tërin (poezia “Fletë e bardhë”, shkruar në Ulpianë në tetor të vitit 1982).

Pavarësisht tragjizmit që mbarte vdekja në lulen e rinisë e Lum Podrimjes, autori arriti që ta universalizonte dhimbjen dhe trishtimin e tij, duke përcjellë në të, jo vetëm fatin e birit të vet, por fatin e mijëra shqiptarëve të rënë për atdheun dhe gjithashtu fatin e miliona njerëzve që kanë humbur jetën dhe vazhdojnë të shuhen nga kjo botë, në përpjekje për të kërkuar lirinë dhe të drejtat që u takojnë. Shtresëzimet motivore nga ai personal tek ai kombëtar dhe deri tek motivi universal janë të pranishme në të gjitha poezitë e kryeveprës lirike të letërsisë shqipe “Lum lumi”, vepër e botuar pesë herë dhe ku në të pesta botimet ka ripunime dhe rimodelime të vargjeve.

Secili variant i vëllimit poetik “Lum lumi” ka specifikat e veta si në aspektin formal, ashtu edhe në atë përmbajtjesor. Këto pesë variante të “Lum lumit” dëshmojnë kujdesin për figurën e lumit, frymëzimin dhe gjithë opusin poetik të Ali Podrimjes. Duket sikur vetë “lumi” si element i natyrës dhe si personifikim i

një qenie njerëzore të identifikuar me këtë emër, është simbol personal i poetit tonë të pavdekshëm. Ndryshe nga shumë autorë të tjerë, ku simboli i lumit vërvitet pak a shumë rreth të njëjtës fushë semantike, duke simbolizuar vitalitetin, vazhdimësinë, lëvizjen e përhershme etj., tek Ali Podrimja elementi i lumit rreket të nënkuptojë ngjyresa kuptimore të mëvetësishme dhe krejtësisht autentike nga ana e autorit. Më shumë sesa jetën, lumi shënjon vdekjen dhe më shumë sesa lëvizjen e freskinë, ky simbol shënjon thatësinë e mungesën e çdo gjurme gjallimi: Në bregun tim nuk dukesh/ as nuk të lag më/ valë e lumit tim/ Sorra të dergjura/ grimcojnë/ ëndrrën/ dhe myshku ha emrin në gurë. (Poezia “Myshku, emri”)

Thuhet se poetët u përngjajnë profetëve që parathonë fatet e njerëzve, e në këtë pikëpamje duket sikur edhe Ali Podrimja paratha në vargje ëndrrat e popullit të vet, por edhe profetizoi të ardhmen dhe fundin e jetës së tij fizike. Ky anticipim shihet në dy përbërës, që janë dominues në poezinë e tij:

1. Trajtimi i motivit të vdekjes lidhet gjithnjë me Lumin

2. Toponimi i vdekjes është i njëjtë me atë të birit të tij Lumit

Motivi i parë spikat më tepër në poezitë “Vdekja ishte më e shpejtë se unë”, “E ti i vdekur”, “Pikëllimë”, “Unë nuk jam ai” etj. Në të gjitha këto poezi simboli i lumit lidhet herë në mënyrë të drejtpërdrejtë, e herë të tërthortë me vdekjen. Ndërsa motivi i dytë shquhet qartazi në poezinë “Parisi, vendlindja” ku heroi lirik, që në këtë rast përfaqëson vetë autorin, hyn në Paris bashkë me Lumin për të ngulur gurin e fundit të ekzistencës së tyre: Do të hyjmë në Paris/ gurin tonë aty do ta ngulim,/ nuk do të na presë Teuta, Genti,/ nuk do të na presë hordhi e egër romake,/ nuk do të na presë njeri i gjallë.

Motivi i vdekjes pranë bregut të lumit u profetizua edhe në vargjet e poezisë: “Me qenë”:

Të jesh shqiptar

E vdekja të mos të gjejë

Edhe në skaj të botës

E pamundur është

Të jesh shqiptar

E ndonjë qen të mos të ndjek

Deri në varr

E pamundur është

Shqiptar të jesh

Botën varr të mos e kesh

E pamundur është

E pamundur

Në trupin tim

Plaga më e thellë

Sa më afër

Bregut

Lum lumi nuk është në linjë

Këto fakte rastësore duket sikur poeti i ka parathënë vazhdueshëm në vargjet e tij. Poeti dha shpirt në Francë, pikërisht aty ku më shumë se 40 vjet më parë do të jepte shpirt biri i tij Lumi teksa kurohej për sëmundjen e rëndë të kancerit.

Poezia e Ali Podrimjes ka vlera universale dhe është pjesë e fondit të artë të poezisë moderne bashkëkohore mbarëbotërore. Për vlerat e krijimtarisë së tij në letërsi flasim botimet e poezive të Podrimjes në rreth 40 gjuhë të botës dhe qindra e mijëra artikuj studimorë të botuar nga studiuesit më të njohur shqiptarë dhe të huaj.

Ali Podrimja është nderuar për së gjalli me titujt më të lartë letrar, ku vlen të përmendim shpërblimin e mirënjohur letrar Nikolas Linau (Shtutgart), të cilin e mori në Gjermani në vitin 1998, më tej në vitin 2005 u vlerësua me çmimin ndërkombëtar të poezisë “Liburna”, ndërsa në vitin 2006 Podrimja renditet mes 400 poetëve më të mirë të Evropës, sepse poezitë e tij publikohen në revistën ndërkombëtare italiane “Poesia”, me poetët e shekullit XX.

Poeti dhe akademiku Ali Podrimja do të kujtohet gjithnjë jo vetëm për krijimtarinë që la pas, por edhe për vlerat e larta njerëzore që shpërfaqte. Vdekja e tij qe e beftë dhe simbolike, njëlloj si jeta dhe poezia që la pas.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *