Në emisionin KAPITAL të Aleksandër Furrxhi ishte ai që njihet dhe konsiderohet si regjisori më i mirë i kinemasë ruse të ditëve tona. Quhet Aleksandër Sokurov, një emër shumë i dashur dhe i njohur për publikun ndërkombëtar, fitues i 20 çmimeve në festivale ndërkombëtare të filmit.
Vjen për herë të parë në Shqipëri dhe ndodhet këtu për një projekt, për të realizuar një film me një skenar shqiptar, të shkrimtarit të madh, Ismail Kadare.. Më poshtë intervista.
Aleksander Sokurov eshte kënaqësi që jeni ketu në studio, në Kapital. A mund të më thoni se si e njihni ju Shqipërinë?
Nuk e njoh fare Shqipërinë (buzeqesh), ende nuk kam aq informacione të mjaftueshme. Këtu ka shumë gjëra të habitshme. Unë po mendoja që kur të vij për herë të parë në Shqipëri, do të shoh një vend të varfër, të pazhvilluar, të mbytur nga probleme të brendshme dhe të jashtme dhe jam habitur në kuptimin e mirë të fjalës, që nuk i shoh këto gjëra në Shqipëri. Shqipëria është një vend serioz, një vend i madh me ambicie shumë të forta. Në gjykimit tim Shqipëria ka shumë ndikim në politikën europiane, ndoshta në mënyrë të tërthortë. Hija e kulturës së këtij vendi, si Shqipëria ekziston dhe shumë rëndësi ka që Shqipëria ka një eksperiencë të pasur të jetës në periudhën socialiste. Për fat të keq është një eksperiencë negative. Pra unë shpresoj të njoh shumë gjëra të reja për vendin tuaj. Shpresoj që falë këtij filmi, që po konceptojmë dhe do ta bëjmë bashkë me kolegët e mi, hap pas hapi do të njohim më shumë vendin tuaj.
-Jeni ketu per një bashkëpunim me një emër shumë të dashur për Shqipërinë dhe shqiptaret, që është dhe skenaristi i filmit, Ismail Kadare. Si ka lindur ky bashkëpunim? Përse ju ka tërhequr ajo që ka shkruar Ismail Kadare për ta bërë film?
Më ka tërhequr miku im, Juri Arabov dhe koleget e mi dhe une po jap asistencen time artistike në këtë punë të vështirë sepse çdo prodhim filmi është një punë shumë e vështirë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një projekt ndërkombëtar. Kolegu im, regjisori i ardhshëm i këtij filmi, resgjisori Juri Arabov, po ben hapin e tij të parë në këtë punë të regjisorit, pra besoj që duhet ta mbështesim.
– Unë di që është një bashkëprodhim i disa shteteve Shqipëria, Rusia, Franca, Italia dhe Belgjika. Shkurtimisht çfarë është ky bashkëprodhim?
Është një bashkëprodhim ndërkombëtar dhe fal Ismail Kadaresë dhe kompanisë shqiptare Alb Image, dhe falë përpjekjeve të producentes Loreta Makini, kjo histori u konceptua diku 5 vite më parë kur Loreta dhe Kadare e kanë njohur zotin Arabov me veprat e shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare dhe ju bë një propozim që të shkruhej një skenar. Kështu u shkruajt skenari I filmit “Gjirokastër”. Është historia e marrëdhënieve të dy të rinjve, e një vajze ruse Katia dhe një djali shqiptar, Adrian. Pasi mbaruan universitetin lëvizën në Shqipëri dhe hasën në probleme shumë të vështira, nga të cilat arratisen duke u larguar nga Bashkimi Europian. Pra u ballafaquan me regjimin totalitar, me ndarjet, me humbjet e shumta, pra me një tragjedi të madhe. Kjo është një dramë shumë serioze. Pra shkurtimisht ky është subjekti.
Ata kanë përsëritur atë historinë e njohur të shumë familjeve ruso-shqiptare, që kanë vuajtur nga paradoksi komunist. Është një kapitull shumë i vështirë në jetën jo vetëm të Bashkimit Sovjetik, por dhe të Shqipërisë.
Filmi do të xhirohet vetëm në Shqipëri apo edhe në Rusi?
Kemi vendosur që filmi do të xhirohet vetëm në Shqipëri, në Gjirokastër dhe Tiranë. Fillimisht kishim dëshirë të xhironim një pjesë filmi dhe në Rusi, por ndërruam mendje. Aktualisht jemi në fazë përgatitore për fillimin e xhirimeve. Kur kolegët tanë na dhanë material lidhur me lokacione dhe aktorët shqiptarë, mësuam se Gjirokastra është një vend i mrekullueshëm dhe shumë i përshtatshëm për këtë film.
Do të kemi vetëm aktor rus dhe shqiptarë, apo vetëm shqiptarë? Mund të na zbuloni…
Për fat të keq nga Rusia do të ketë vetëm një rol. Ajo është vajza ruse, Katia. Të tjerët do të jenë vetëm aktor shqiptarë dhe në 25 maj do të vijmë sërish të shohim kandidaturat e aktorëve. Sot për sot nuk mund të them se kë preferojmë më shumë nga aktorët shqiptar, por kemi një lloj katalogu, kemi zhvilluar një kasting paraprak. Në 25 maj ftojmë të gjithë aktorët shqiptar në kasting.
Zoti Sokurov, karriera juaj është e shkëlqyer, sidomos në arenën ndërkombëtare. Unë kam përshtypjen se njiheni më shumë jashtë Rusisë se sa në Rusi. Keni lindur në një fshat të Siberisë. Karrierën tuaj ja dedikoni talentit apo fatit, apo të dyjave bashkë?
I detyrohem faktit që jam rus në radhë të pare, sepse çdo njeri rus ka një shans të madh, sepse mbrapa supeve tona kemi një kulturë kolosale, por dhe një histori shumë të dhimbshme. Bazuar në këto faktorë të terrenit të ftohtë arrijmë të mbijetojmë, të zhvillohemi dhe të ecim përpara. Kam pasur dhe një interes shumë të madh ndaj literaturës, pra literatura më ka formuar më shumë se sa kinemaja. Këto janë rrënjët e mia. Ndoshta është diçka normale për inteligjencën ruse sepse jetojmë fal letërsisë, jo vetëm ruse, por edhe botërore. Ndoshta nuk jemi shumë të aftë në shtet formim, por në fushën e kulturës dhe shkencës rusët janë shumë të talentuar, jashtëzakonisht të talentuar dhe unë shpesh herë habitem se sa pengesa kemi kaluar historikisht dhe kemi ruajtur shkencën, kulturën dhe arsimin tonë, pavarësisht të gjitha vuajtjeve që ka përjetuar populli rus.
Kam lexuar se për një nga filmat tuaj më të mirë, që titullohet “Fausti”, për të siguruar prodhimin e tij, pra për të siguruar mjetet financiare, është interesuar Presidenti Putin. Keni njohje personale me të, jeni takuar me të? Cila është marrëdhënia juaj me Presidentin Putin?
Cilat mund të jenë marrëdhëniet mes një qytetari rus dhe Presidentit rus?! Janë marrëdhënie normale, jemi takuar shumë herë, kemi diskutuar dhe me tone konfliktuale edhe me tone normale. Unë e kam këtë luks, të flas direkt atë që mendoj. Kemi diferenca në qëndrimet tona, në qëndrimet tona politike, sepse unë përfaqësoj shoqërinë civile, e cila ekziston në Rusi. Me “Faustin” historia është shumë e thjeshtë. Presidenti Putin e di shumë mirë gjuhën gjermane dhe nuk është e huaj për kulturën europiane dhe ai u interesua për përmasat e kësaj tematike. Ai më tha që ishte një vendim shumë guximtar të bëj një film në bazë të kësaj vepre letrare, të cilën kineastët e të gjithë botës nuk e kanë prekur asnjëherë. Është një temë shumë e vështirë dhe Presidenti ka mbështetur me vendosmëri këtë projekt, ka siguruar mbështetje financiare. Diferenca kemi pasur vetëm në kuptimin se Presidenti ka kërkuar të bëjmë dhe një variant rusisht të këtij filmi, ndërsa unë këmbëngul që duhet të ekzistojë vetëm version gjermanisht. Vetëm këtë mosmarrëveshje kemi pasur. Nuk ka pasur asnjë censurë, nuk ka pasur asnjë presion.
Gazetat perëndimore kanë shkruar se Sokurov ka bërë thirrje në Rusi për lirimin e kundërshtarëve politikë të Kremlinit, të Presidentit rus. Si është e mundur? Dihet që Presidenti Putin nuk i ka qejf as kritikat dhe as kritikët…
Është e vështirë të gjesh një njeri që e ka qëjf kritikën. Akoma dhe më e vështirë është të gjesh një politikan që e ka qejf kritikën. As unë nuk e kam qejf. Kur puna vjen tek interesat mbarëkombëtare, besoj se çdo politikan duhet të kuptojë se politika kombëtare nuk është pronësi e politikanëve. Është pronësi e shoqërisë civile. Ndaj jam i bindur që arrestimi i njerëzve për arsye politike, është diçka e kundërnatyrshme për çdo pushtet. E kundërnatyrshme sidomos kur bëhet fjalë për të rinjtë, të cilët përpiqen pa dhunë të shprehin mendimin e tyre, pikëpamjen e tyre politike, e cila është e ndryshme nga ajo e klasës politike. Për këtë të rinjtë duhen nderuar, jo ndëshkuar. Për këtë i kam thënë në mënyrë të përsëritur Presidentit Rus dhe qeveritarëve rus dhe kjo është bindja ime e palëkundur.
– Zoti Sokurov keni bërë një intervistë të gjatë, me sa di, me shkrimtarin e madh rus SOLZHENITSIN, desident i njohur rus. Ka qenë miku juaj. Cilat janë kujtimet dhe çfarë ka qënë ai për juve?
Është një temë shumë delikate dhe nuk mund të shpreh gjithçka në mënyrë publike. Unë kam përshtypje shumë të mira për këtë person dhe dëshiroj që këto përshtypje ti lë me veten, nuk dua ti komentoj këtu në televizion.
Rusia investon për filmin dhe ju e përmendët, që shteti rus ka vëmendje ndaj filmit. Në një intervistë për gazetën britanike “The Indipendent” në vitin 2015, keni thënë se një pjesë e mirë e këtij investimi shkon për oligarkët e kinemasë. Ne jemi mësuar të dëgjojmë për oligarkë në ekonominë ruse. Çdo të thotë oligark në kinemanë ruse, cilët janë këta?
Oligarkët në kinematografi janë ata njerëz që kanë ndikim politik. Janë kineastët që ushtrojnë influencën politike nëpërmjet marrëdhënieve personale me qeveritarët ose me administratën e Presidentit. Janë njerëz që mbështesin fortë politikën shtetërore dhe për këtë marrin dhe përfitime nga shteti. I kemi këta lloj njerëzish edhe në Rusi dhe besoj që ka edhe njerëz të tillë dhe në Shqipëri. Kjo është një sëmundje e pashmangshme e shoqërisë bashkëkohore, ku një pjesë e mirë e njerëzve me peshë dhe me ndikim, të cilët për nga profesioni i tyre duhet të përfaqësojnë shoqërinë dhe mendimin publik, e tradhëtojnë shoqërinë. Si këta njerëz ka dhe në kulturë dhe në art, për fat të keq. Besoj se keni vënë re që dhe shoqëria amerikane është polarizuar jashtë mase pas zgjedhjeve presidenciale. Në përgjithësi pjesëmarrja e kulturës në politikë është e padëshiruar. Kjo është e panevojshme sepse çon tek degradimi i kulturës, sepse personalitetet e kulturës tërhiqen nga forcat e ndryshme politike në momentet më të vështira për vendin dhe popullin. Si rezultat populli nuk do të ketë ku të drejtohet. Populli shpesh herë dëgjon personalitetet e kulturës dhe personalitetet fetare në ato situata kur forcat politike diskreditojnë veten dhe nuk mund të ndryshojnë fare situatën, pra kultura është arbitri më i lartë në jetën shtetërore dhe duhet të ekzistojë.
– Zoti Sokurov ju jeni një mjeshtër i kinemasë dhe unë kam lexuar, që ju keni thënë: “ Filmi nuk është nga ato arte ku mund të krijohet një kryevepër perfekte. Kjo mund të ndodhë në letërsi, ndoshta dhe në muzikë, por kurrë, asnjëherë në një film”. Si mundet ta thotë një mjeshtër I filmit këtë?
Unë e kam thënë këtë gjë sepse në jetë, në natyrë, në botë ekziston një hierarki dhe për mua është një pozicionim shumë i rëndësishëm se çka nga vlerat tona kanë tejkaluar provën e kohës. Kinemaja, filmi është një fenomen i ri, relativisht i ri, një fenomen që unë do të thosha adoleshentesk, një fenomen impulsiv dhe nuk ka kaluar provën e kohës. Muzika dhe filozofia e kanë kaluar këtë provë. Për filmin besoj se kjo provë do të kalojë pas 50 vjetësh dhe atëherë do të kemi të drejtë të themi që filmi mund të ketë gjykimin e pavarur për fenomene të ndryshme të jetës. Sot e kësaj dite kinemaja, filmi është njëçik agresiv dhe ushqen ndjenjat agresive tek njeriu dhe ndarjen e njeriut nga mjedisi tradicional i tij. Në çdo kulturë ekziston tradita kanunike dhe ky mjedis kanunik ekziston në çdo kulturë dhe nga ky mjedis nuk mund të ndahemi. Ndërsa filmi është një art neuratik dhe reagon shumë shpejtë ndaj situatës së sotme, ndryshe nga letërsia dhe muzika dhe për këtë arsye është poshtëruese për kinemanë.
Filmi që ka sot titullin “Gjirokastra”, me skenar të shkrimatrit tonë të madh Ismail Kadare, kur mendoni se do të realizohet dhe do të shfaqet? Cilat janë planet e grupit realizues?
Ndoshta kjo pyetje ju duhet bërë kolegeve të mia producente, por duke marrë parasysh se si po ecën procesi i xhirimit, besoj se këtë vjeshtë do të fillojnë xhirimin dhe deri në fund të këtij viti besoj që do ta mbarojnë këtë proces, në qoftë se qeveria shqiptare do ta mbështesë këtë projekt. Dhe në qoftë se koalicioni ndërkombëtar që është formuar rreth këtij filmi do të punojë në mënyrë efikase dhe do të kemi mbështetje financiare. Besoj që këtë vit do të përfundojmë procesin e xhirimit, por shumë e rëndësishme është mbështetja e shtetit shqiptar. Kam patur një takim të mrekullueshëm me kryeministrin Rama, i cili na siguroi që shteti shqiptar do të na ndihmojë financiarisht. Unë kam theksuar që ky është projekt me vlera kombëtare për Shqipërinë dhe mund të shërbejë si impuls, si mbështetje për kineastët e rinj shqiptar. Pastaj është dhe një shas shumë i mirë për bashkëpunim të përbashkët midis dy vendeve tona. Me shumë rëndësi është nënshkrimi i traktatit të miqësisë dhe bashkëpunimit midis Rusisë dhe Shqipërisë, i cili në mënyrë paradoksale ende nuk është firmosur. Kjo është diçka e çuditshme dhe e papranueshme. A jemi në gjendje lufte? Absolutisht jo dhe kemi nevojë për këtë traktat të miqësisë dhe bashkëpunimit. Ju lutem mos e hiqni këtë pjesë nga emisioni. Ky është opinioni i gjithë stafit rus të ekipit të xhirimit, sepse pavarësisht të gjitha rrethanave dhe influencave të jashtme ne duhet të bashkepunojmë dhe të nënshkruajmë traktatin e miqësisë.