Albanologjia, 40 milionë lekë borxh profesorëve, 8 vite pa u paguar

Fatmira Nikolli

Akademia e Studimeve Albanologjike, emri i ri që ka marrë Qendra e Studimeve Albanologjike, e ngritur gjatë qeverisë Berisha me institutet e shkëputura nga Akademia e Shkencave, ka prej disa muajsh një drejtues të ri, prof. Marenglen Verlin, historian.

Ndërsa flet për vitin e ardhshëm, ai rrëfen se institucioni që ai drejton ka 40 milionë lekë borxh te profesorët e vet. Borxhet janë akumuluar prej tetë vitesh dhe kanë të bëjnë me honorarët që nuk u janë dhënë profesorëve kur kanë përfaqësuar Shqipërinë brenda e jashtë vendit në konferenca.
– Çfarë do të prezantohet në Ditët e Albanologjisë këtë vit?
Ditët e Albanologjisë përfshijnë disa evente, 11-12 është promovimi i gjithë titujve të arritur të dalin nga shtypi deri tani. Janë 25 tituj, produkti i vitit janë 50 tituj të botuar, por që nuk arritëm t’i nxjerrim ende se janë në shtypshkronjë. Më 13 është një aktivitet shkencor për gjuhën e letërsinë shqipe, ndërsa në datën 18 përfundojmë me një aktivitet shkencor të antropologjisë.
Është në traditën disavjeçare mbajtja e ditëve të albanologjisë ku, në një farë mënyre, bëhet një bilanc i arritjeve vjetore. Krahas promovimit të librave, që është një nga elementet e këtyre ditëve, tjetra është që ato veprimtari shkencore, konferenca ose tryeza të rrumbullakëta që nuk janë bërë gjatë vitit, dhe që janë gati në këtë moment, bëhen që të paraqitet puna e katër institucioneve që ne kemi, Instituti i Albanologjisë, Historisë, Gjuhë-Letërsisë dhe Antropologjisë, gjatë një viti.
Po përpiqemi që në këtë kuadër po reklamojmë punën tonë. Po përpiqemi të marrim pjesë edhe në panairet e librave, siç morëm pjesë edhe te i fundit që u mbajt.
Do përpiqemi që të vëmë në faqen tonë online të gjitha veprimtaritë tona, brenda e jashtë vendit, në mënyrë të organizuar ose si individë ne marrim pjesë. Mund të them se secili nga 80 anëtarët e profesoratit tonë, bën 4-5 pesë veprimtari në vit. Kjo do të thotë se ne jemi të pranishëm gati për ditë në takime shkencore.
Ne mungesë të financave, edhe në drejtim të botimeve edhe në drejtim të veprimtarive të tjera që i takojnë punës sonë, do mundohemi të jemi më të pranishëm vitin që vjen.
– Profesor, si mundi Qendra e Studimeve Albanologjike të mbijetojë kur rrezikonte të shkrihej me ligjin e ri të arsimit të lartë, i cili nuk e përfshinte atë si institucion? Nga një institucion që kritikohej ashpër nga Kryeministri në një institucion që vlerësohet prej tij, çfarë ndodhi?
Politika ka problemet e veta. Nëse secili do bëjë mirë punën e vet, patjetër që do të spikasë. Ne kemi synuar që me mundësitë që kemi pasur, me profesoratin që kemi, të bëjmë më të mirën, kemi shtuar punët tona, produktin që në nivelin e artikujve, kumtesave e konferencave e deri te revistat që botojmë e mandej te monografitë. Sivjet, kemi 50 tituj që dalin në botim e deri bashkëpunimet, konferencat e botimet e përbashkëta me kolegët tanë në Prishtinë e Shkup. Jemi përpjekur të stimulojmë njerëzit e të bëjmë të qartë se çfarë bëjmë. Do arrijmë që produkti ynë të shkojë në të tëra nivelet e popullsisë, që nga ata të shumarsimuarit e deri te mësuesit e nxënësit, sepse vërtetë nëse nga këto degë bëhen dalin punë të mira: arkeologjia ka ndikim në turizëm e ndikim shkencor; gjuha është e padiskutueshme e letërsia që po nuk ruajtëm ato kemi luajtur shtyllat e kombit; historia nëse bëhet si duhet e me realizëm jep mesazhe për sot e për të ardhmen, sepse mbi atë bazë ndërtohet mirë ajo që deri sot nuk ka qenë mirë.


– Si u përfshitë në ligjin e arsimit të lartë, si dolët nga rreziku?
Në fillimin e këtij viti, vetë instanca nga Ministria e Arsimit na njohu statusin e Akademisë së Studimeve Albanologjike, praktikisht janë katër institute të Albanologjisë, siç thashë, Qendra e Arteve dhe një qendër enciklopedike dhe botimesh që janë në strukturat tona. Presim tani, që të finalizohen disa gjëra të fundit dhe të rregullohet buxheti i vitit që vjen sipas kërkesave tona që edhe ne të bëjmë më të mirën e mundshme.
– Sa është buxheti që keni kërkuar?
Deri tani kemi pasur një buxhet pothuaj inekzistent, që do të thotë diku te 3 milionë lekë të rinj, ose 30 milionë të vjetër.
– Bashkë me rrogat?
Jo rrogat, që përfshin gjithçka që nga shpenzimet për ujë e energji elektrike, për letra, konferenca, udhëtime e çdo gjë. Për një profesorat prej 80 vetash është sigurisht një buxhet i papërfillshëm. Mbi këtë bazë, janë krijuar deficite në honorare, deficite në pjesëmarrje në konferenca jashtë vendit. Shumë herë njerëzit për pasion kanë udhëtuar me paratë e tyre ose me mjetet e tyre, ose të ftuar nga organizatorët e konferencave. Besoj se nëse do të rregullojmë këto, qoftë edhe me shpenzime minimale, për shtetin absolutisht të papërfillshme, por edhe shumë të justifikueshme, shkojmë drejt asaj që më aktivët e më produktivët të jenë më të vlerësuarit e moralisht e financiarisht.
– Sa do të jetë buxheti vitin e ardhshëm?
Ne kemi kërkuar që të mbulojmë dhe deficitin që na është krijuar. Sa do të jetë ende nuk e dimë, nuk e kemi të qartë.
– Rreth cilës shifër bëhet fjalë?
Unë mund t’ju them këtë që vetëm, honoraret nga e kaluara janë rreth 40 milionë të prapambetura.
– 40 milionë të vjetër?
Të rinj, sepse janë 8 vjet pa paguar honorare.
– A nuk janë shumë?
Jo, i bie pothuaj 4 milionë lekë të vjetër për individ, ata të cilët kanë për të marrë. Sepse mos harroni janë 8 vjet pa u marrë.
– Ndërkohë, ju keni arkeologë që paguhen 400 mijë lekë të vjetër. Ç’shkencë bëhet me këtë rrogë?
Ne punojmë me tituj e grada, të cilët mbi bazën e ligjit në fuqi, këtu a në universitete, kudo qoftë, kanë standardizimin e vet dhe mbi atë bazë paguhen. Por që të diferencohet pozitivisht, të stimulohen njerëzit që të jenë aktivë, duhet të funksionojë edhe ligji për pagesa honoraresh. Një problem ka qenë edhe shkolla doktorale, por tani është zgjidhur nga ligji. Për një doktoraturë paguhej 2 milionë lekë të vjetër dhe realisht kushtonte më shumë se 3 milionë, ne krijuam deficit. Të gjitha problemet ia kemi paraqitur parlamentit edhe në një takim të para disa javëve.
– Me ambientet, jeni rregulluar ende?
Me ambientet kemi ende kubatura që janë vetëm 40% e mesatares ballkanike, për këtë arsye ne kemi vënë 3-4 profesorë në një dhomë-zyrë, që është e papëlqyeshme. Ndërkaq, duke qenë të ndarë në dy godina kemi të ndarë edhe arkivin dhe jemi në një distancë gati 3 km nga njëra-tjetra. Tani që ish-palestra që u sistemua për të qenë pjesë e jona, uroj të na jepet, pasi aty për disa kohë qe vendosur Ministria e Integrimit. Kjo do i jepte një zgjidhje afatmesme të pëlqyeshme punës sonë, sepse do të gruponim aty studiuesit, do kishim më tepër metra katrorë në dispozicion e do të gruponim bibliotekat dhe arkivat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *