Aktori shumë i dashur i “Sex and the City” ndahet papritur nga jeta në moshën 57 vjeçare

Një lajm shumë i trishtë për të gjithë fansat e serialit “Sex and the city”. Willie Garson, i cili luajti Stanford Blatch, mikun e Carrie Bradshaw në seritë e “Sex and the City” dhe në vazhdimin e filmit është ndarë papritur nga jeta në moshën 57 vjeçare.

Vdekjen e aktorit e ka bërë të ditur djali i tij, Nathen Garson i cili i dedikoi këto fjalë prekëse në Instagram.

“Të dua shumë baba. Pusho në paqe dhe jam shumë i lumtur që ndave të gjitha aventurat e tua me mua dhe munde të arrish kaq shumë. Jam shumë krenar për ty”.

“Ti ke qenë gjithmonë personi më i ashpër, njëkohësisht më argëtues dhe më i zgjuar që unë kam njohur,” shtoi djali i tij.

Asnjë detaj i vdekjes së aktorit ndërkohë nuk është bërë publike.

Garson portretizoi Blatch, një agjent talentesh dhe mikun më të mirë e të përkushtuar dhe me stil të Carrie-t për gjashtë sezone. Ai përsëriti rolin në filmat “Sex and the City” dhe “Sex and the city 2″.

Cynthia Nixon, e cila luan rolin e Miranda Hobbes në serial, shprehu pikëllimin e saj në Twitter.

“Ne të gjithë e donim dhe e adhuronim punën me të. Ai ishte pafundësisht argëtues në ekran dhe në jetën reale. Ai ishte një burim drite, miqësie dhe njohurish në shoubiz. Ishte një profesionist i përkryer, gjithmonë”, ka shkruar aktorja e njohur.

“Nuk mund të kisha një partner televiziv më të shkëlqyer,” shkroi Mario Cantone, i cili luajti rolin e burrit të Garson në “Sex and the City”. “Jam i shkatërruar dhe thjesht i pikëlluar nga dhimbja e madhe”

“Willie Garson ishte në jetë, si në ekran, një mik i përkushtuar dhe një dritë e verbuese për të gjithë në universin e tij. Ai krijoi një nga personazhet më të dashur nga panteoni HBO dhe ishte anëtar i familjes sonë për gati 25 vjet”, thuhet në një deklaratë të HBO-së në Facebook. “Jemi thellësisht të pikëlluar nga vdekja e tij dhe i shprehim ngushëllimet tona të sinqerta familjes dhe të dashurve të tij”, thuhet më tej në deklaratë./revistawho.com

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *