Nga Fatjona Mejdini
Aktivistët mjedisorë thonë se do të organizojnë protesta të reja kundër një vendimi të qeverisë për të lejuar ndërtimin e hidrocentraleve në një nga lumenjtë e fundit të “egër” të Europës.
Ministritë e ndryshme përfshirë Ministrinë e Kulturës, kanë dhënë miratimin për ndërtimin e hidrocentralit Driza 1 në kanionin e Nivicës në jug të Shqipërisë pavarësisht shqetësimeve për pasoja të mundshme për trashëgiminë arkeologjike dhe natyrore.
Aleanca për Mbrojtjen e Lumenjve, një organizatë jofitimprurëse, pritet të protestojë javën e ardhëshme kundër vendimit.
Ekspertët thonë se kanioni i Nivicës ka potencial të lartë për zhvillimin e turizmit, duke paralajmëruar se e gjithë zona duhet të mbrohet edhe si zonë arkeologjike që përmban mbetje nga lashtësia.
Lavdosh Ferruni, një aktivist mjedisor, i tha BIRN se ata do të bëjnë çfarë të munden që të shpëtojnë bukurinë natyrore të kanionit të Nivicës nga shkatërrimi.
“Përfitimet e Shqipërisë nga ndërtimi i një hidrocentrali të vogël nuk mund të krahasohet me vlerat turistike të këtyre kanionëve dhe të zonës së Kurveleshit,” tha Ferruni.
Ai shtoi se priste që banorët vendës nga rajoni ta mbështesnin protestën.
Ai beson se hidrocentrali në zonë jo vetëm që ka potencialin për të dëmtuar zonat arkeologjike të identifikuara por do të prekë edhe rrjedhën natyrale të lumit në Vjosë si dhe në degët e saj.
“Hidrocentrali në këtë zonë mund të prekë rrjedhën natyrore të Vjosës, i cili konsiderohet si lumi i fundit i egër në Europë, duke dobësuar rrjedhën e saj dhe duke dëmtuar speciet unike të peshqve që banojnë në këtë lumë,” tha ai.
Parlamenti Europian në rezolutën e saj mbi progresin e Shqipërisë në vitin 2014 i bëri thirrje Tiranës të rimendohet për planet për ndërtimin e hidrocentraleve në zonat e mbrojtura të Shqipërisë, veçanërisht ato që prekin lumin Vjosa.
Hidrocentrali i propozuar i Nivicës kundërshtohet gjithashtu nga kryebashkiaku i Tepelenës Tërmet Peçi, i cili i tha BIRN se projekti do të shkatërrojë bukurinë që natyra ka krijuar përgjatë shekujve.
“Unë jam përfaqësues i qytetarëve të zonës dhe nëse ata kundërshtojnë projektin, edhe unë do ta kundërshtoj atë,” tha ai. “Unë nuk jam kundër hidrocentraleve por ato duhet të respektojnë mjedisin dhe zonat e mbrojtura.”
Peçi, një përfaqësues vendës nga partitë e krahut të majtë të cilat kanë qeverisjen qendrore në Shqipëri, tha se hidrocentrali bie në konflikt me idenë e krijimit të një parku kombëtar në zonën e Bençës dhe Kurveleshit në Shqipërinë e jugut.
“Ne kemi krijuar një grup pune që po përgatit projektin për krijimin e një parku kombëtar në këtë zonë dhe së shpejti do ta miratojmë atë në këshillin e bashkisë,” tha Peçi.(BIRN)