Ahmet Dursun: (Agjërimi) Kot apo plot? Çfarë bëre 11 muaj?!

KOT apo PLOT?!
Agjërimi, çfarë është dhe çfarë nuk është? Kur pranohet dhe kur nuk pranohet sikur dhëmbin ta bësh “na” kaq? Megjithatë si gjithnjë, edhe kësaj here, mëkati i këtij shkrimi qoftë i imi, sevapi i gjithi i juaji…

& & &

Së pari, agjërimi është një prej kushteve kryesore në çdo fe monoteiste; për t’u quajtur besimtar i devotshëm (hebre, i krishterë, mysliman) duhet të agjërosh dhe pavarësisht formave të ndryshme, të treja këto fe kanë po të njëjtën përmbajtje.

Një ndër përkufizimet më të sakta rreth agjerimit e ka thënë Jezusi (Isai): Frenoni dëshirat (nepset) tuaja aq sa t’ju marrë uria, sepse kështu zemrat tuaja e ndjejnë praninë e Zotit dhe i luten (falen) Atij!

Një prej themeleve ku janë “ngulur” shtyllat e besimit, e cila mjaft qartë saktësohet në Islam është: lutjet bëjini pa rënë në sy (pa dalë në skenë, pra pa “reklama”).

Pse duhet të jetë kështu? Çfarë të keqe ka nëse nje fe, apo besimtar fillon dhe del “si vaji i ullirit” sipër të tjerëve?
Pikërisht këtu ngatërrohen gjërat, ashtu si edhe janë ngatërruar në çdo kohë e në çdo fe…p.sh:

Agjerimi apo kreshmat (ashtu si çdo formë lutjeje e në çdo fe), kanë një urdhër trajtese sa sociologjike, po aq edhe psikologjike. Mirëpo, ndërsa trajtimi sociologjik i shton rradhët e një besimi, dhe rrjedhimisht edhe dominimin e tregjeve, trajtimi psikologjik bën të kundërtën. Pra ashtu siç e thotë Jezusi (Isai), trajtimi psikologjik është edukimi i nepsit i cili ndikon në zemëe dhe lidhja më e mirë që bën me Zotin është veçse zemra.

Ose ashtu si thuhet në Islam (la ikrehe fid’din) “besimi në fe nuk duhet të vijë nëpërmjet dhunës”. Të mirën një besimtar duhet ta gjejë nëpërmjet ndërgjegjes së tij, nëpërmjet edukimit të dëshirave, nijetit, pra të nepsit…

Nëse sot po agjerojnë, apo mbajnë kreshma miliarda njerëz, a quhen këto sakrifica para Zotit? Nuk e di, por unë jam i detyruar (ashtu si çdo fe urdhëron) të përdor logjikën deri në kufijtë e fundme dhe pastaj t’i dorëzohem gjykimit të Zotit…

– Nëse ti po sheh me sytë e tu njerëz që po u pihet gjaku, po i merret fryma e po i hahet mishi nga njerëz të tjerë, dhe nuk ngre jo kokën, por as zërin dhe sheh punët e tua, kot e ke!

– Nëse atdheu yt vazhdon të jetë i kolonizuar, dhe ti shtyhesh mes njëri- tjetrit për tu ulur në prehrin e përdhunuesit, kot e ke!

– Nëse shkon në hotele, restorante, apo në dhoma të veçanta e shtrohesh me ata që e kthyen vendin më të bukur të botës në një te perdalme, punë e madhe se e paske mbajtur gjatë ditës, nepsin për grua apo burrë nën kontroll. Ti bëhesh bashkëpunëtor i tutorëve, pra kot e ke!

– Nëse agjerimi të kujton vuajtjet e skamjes, çfarë mbani mend nga viti i kaluar, një shekull më parë, një mijë vite më parë? Pse sot është në rritje varfëria, uria, lakuriqësia? Ç’bëre 11 muaj? Si reagove? Pse është obligim edhe për të varfërit agjerimi? Ata gjithë jetën, a mbajnë kreshma, apo agjërim?!

Zoti gjithnjë i ka mbyllur hesapet me abuzuesit e besimeve në këtë dynja; pa le çfarë i pret në botën tjetër…

Një ditë e pyetën profetin Muhamed se ç’është feja, dhe ai iu përgjigj “feja është një sjellje (virtyt) e bukur”. Pra,abuzues, duke marrë pamjen e Moisiut (Musait), me sjellje prej faraoni kot e ke edhe agjerimin, edhe kreshmat, kot i ke!

Zoti i jep begati shoqërive që e ndjejnë thellë drejtësinë e tij dhe përpiqen ta imitojnë Atë.

Duke iu falur Atij, besimtarët e vërtetë shprehin mirënjohjen ndaj Tij, pasi u dha trurin për ta përdorur dhe për të kërkuar të drejtën si brenda edhe jashtë tyre…

Pra muaji i shenjtë i ramazanit, ashtu si edhe kreshmat, është për të mbledhur fuqinë për reagim, dhe kjo fuqi vjen nëpërmjet edukimit të nepsit dhe jo vetëm të urisë, por edhe të shpirtit…

Cinizmi më i madh i besimtarëve sot, arrin kulmin kur thonë: i lutemi Zotit, se ia kemi borxh…

Së pari Zoti, as nuk jep e as kërkon borxh e nuk ka nevoj per askend,e per asgje.
Ai është Ai, që ti ende nuk e kuptuar, krijuesi dhe mësuesi i gjithësisë…

Dhe thotë ashtu si bardhësia e gjuhës nga uria, zbardhe edhe ndërgjegjen e ngrihu ndaj atyre që vendin ta lanë më fukarain e Evropës!
(a.dursun)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *