Nga Luan Rama
Doni një pasqyrë?… Lexoni: Pasqyra.al. Diçka nga ju, nga bota, nga jeta dhe shpirti juaj dhe i të tjerëve. Pasqyrë shpirti, dehje, trishti dhe gëzimi. Universi.
Pasqyra, e përditshme në jetën tonë. Si u krijua? Kush? Kush mendoi për të? Vallë Narcisi i përkulur në një pellg uji kur pa veten e tij dhe donte ta shihte atë imazh gjithnjë? Ndoshta. Ishte i dashuruar me vetveten. Po të tjerët? Ata që e morën dhe me vete në varr, duke besuar se jeta vazhdonte dhe pasqyra do t’u duhej dhe atje në botën e përtejme. Leon Rey dhe të tjerët gjetën pasqyrat e tumuluseve… pasqyrat e njeriut, një neovioje, një dëshirë, pasqyra egjiptiane 1200 vite para erës sonë, pasqyra etruske, greke, ilirike, pasqyra kineze të dinastive të vjetra, apo dhe më të hershme si ato të Anadollit me gurët e limuar të copave vullkanike. Gjithnjë pasqyra!…
Pasqyra më risjell në mendje tri çaste pikante.
E para, dasmat e jugut shqiptar. Por jo vetëm në jug por edhe më thellë, te arvanitët. Piktori francez Louis Dupré që udhëtoi në Shqipëri më 1819 dhe pikturoi fshehurazi në liqenin e Butrintit Ali Pashë Tepelenën, kur shkoi në Athinë, në një dasëm arvanitase rrëzë tempullit të Tezeut, jo larg nga lagjia «Plaka», u habit me ritin e pasqyrës përballë nuses së re. Madje me të ishte dhe një gazetar anglez, i cili nxitoi ta përshkruante atë dasëm shqiptare, pa harruar pasqyrën: «… Në perëndim të diellit, kortezhi i njerëzve filloi të lëvizë. Nusja, e përkulur nga pesha e madhe që i rëndonte mbi kokë, e shoqëruar nga një prej shoqeve të saj, u shfaq në krye të shkallëve dhe menjëherë filluan “epithalame-n”, një lloj kënge e trishtuar në dialog një lloj psalmodie me një zë hundërues e shoqëruar me xheste groteske. Duke zbritur shkallët, heroina e mbrëmjes paraprihej nga një fëmijë që mbante një pasqyrë të ngritur lart që nusja të kishte kënaqësinë të shikonte imazhin e saj. Vura re se ajo pak përfitoi nga kjo gjë e vënë enkas për koketërinë e saj. Ajo bëhej e ndjeshme veç nga pamja e saj disi e çuditshme. Kortezhi ecte në mënyrë të rregullt aq sa e lejonte ai vend, duke kaluar rrugës mes zhurmës së instrumentave, mes atij gëzimi ku asaj i hidheshin lule. Gjithçka përzihej me shprehjet emfatike të urimeve që përdoren në raste të tilla dhe që tradita i ka ruajtur gjatë një litanie të gjatë. I paraprirë nga flakadanë e pas kthesash të shumta, kortezhi mbërriti në shtëpinë e burrit të ardhshëm.
Nusja e re duhej të shihte nuret e saj në pasqyrë. Një marramendje e bukur, për të harruar anën tragjike të shqiptarëve që e shikonin ikjen e nuses si një braktisje dhe ia jepnin vajit me «oi». Ky rit është inskenuar dhe në një film artistik të Kinostudios «Shqipëria e Re» në vitet 1980: një nuse që del nga shtëpia për të shkuar në shtëpinë e burrit nëpër rrugët e Gjirokastrës dhe një fëmijë që i paraprin duke i mbajtur pasqyrën përpara që ajo të mund të shihet, të kënaqet, të shkojë e lumtur drejt shtëpisë së re!
E dyta: nga një bisedë me miken time Rea Toptani kur unë e pyesja rreth gjyshes së saj, Ganimetes. Që para luftës ajo kishte qenë për studime në Vjenë dhe pastaj ishte kthyer në Shqipëri. Por pas Luftës së Dytë Botërore, një tjetër jetë do të fillonte për të. E megjithatë, fisnikja Toptani kishte merak pasqyrën. Nuk mund të dilte pa tualetin e saj, edhe pse bota i ishte kthyer përmbys. Kohë përmbysjesh, ideologjish. Edhe pse një pasqyrë e vjetër, ajo ishte e dashur për të. Ganimetja nuk mund ta linte veten pa pasqyrë! Donte të ishte Zonjë edhe në mjerim e trisht, edhe kur kjo fjalë përbuzej!
E treta, një histori imja familjare, me gjyshen dhe nën time, fill pas luftës. E shkreta gjyshe, djali i ishte vrarë në moshën 25 vjeçare, burri i kishte vdekur po gjatë luftë dhe kishte mbetur me fëmijët rrugëve. Pas luftës, si nënë heroi, atë e çuan ta vendosnin në shtëpinë e një ish ministri të qeverisë kuislinge në pallatet italiane buzë Lanës. Gjyshja shkoi bashkë me nënën time adoleshente për dore. E kishin shëtitur në sallonet e bukura plot pasqyra të mëdha dhe pastaj i kishin thënë: «Ta gëzosh»!… Por gjyshja u ishte përgjigjur se nuk donte të jetonte aty. Kur kishin dalë, nëna ime i tërhiqte për mëngësh duke i thënë: Po atje ishte bukur moj mama… gjithë ato pasqyra! C’mrekulli!… Dhe nëna i ishte përgjigjur gjithë trisht: «Prandaj nuk dua se ka shumë pasqyra! Kam frikë nga aq shumë pasqyra!» Dhe kështu nuk jetuan me pasqyrat.
Ja pra këto histori pasqyrash, e megjithatë ne kemi gjithnjë nevojë për pasqyrën.
Shkrim brilant