Agolli shkrimtar i realizmit socialist? Ja çfarë shkruan vetë Dritëroi për këtë

Pasi ndërroi jetë, shkrimtari i madh Dritëro Agolli është sulmuar ashpër nga disa analistë, si shkrimtar i realizmit socialist dhe që ka ndikuar në dënimin e disa poetëve dhe shkrimtarëve.

Por çfarë shkruante vetë shkrimtari për këtë gjë?

“Realizmi socialist ishte një metodë dogmatike letrare që ka ekzistuar vetëm në teorinë dhe kritikën letrare dhe në historinë e letërsisë , vetëm në shkrimtarët minorë dhe skematikë.

Në fakt realizmin socialist e përqafuan plotësisht shkrimtarët skematikë të gjysmës së dytë të viteve 40-të dhe ata të viteve 50-të. Në përgjithësi në këto vite ishte përqafimi masiv i realizmit socialist , i shtyrë nga entuziazmi spontan dhe i pavetëdijshëm për krijimin e një shoqërie të re dhe i një kulture të re proletare.

Pastaj në këtë metodë të realizmit socialist u futën shkrimtarët entuziastë qê vinin nga klasa punëtore dhe fshatarësia , të cilët në fakt ishin punonjës që nxiteshin për tu bërë shkrimtarë , që të përmirësonin strukturën e shtresës sociale të krijuesve.

Këta duheshin si besnikë për t’u bërë të nesërmen shefa dhe drejtues të sferës së artit në KQ të Partisë, në shtëpitë botuese , në redaksitë e revistave dhe gazetave, në RTV, në pallatet dhe shtëpitë e kulturës, në bibliotekat, në komitetin e kulturës dhe arteve, në komitetet e partisë në rrethe, në teatrot dhe kinostudio.

Këta ishin një kategori njerëzish gjysmë nëpunësish dhe gjysmë shkrimtarësh. Për këta realizmi socialist ishte një komoditet dhe një lehtësim botimi.

Me këtë nuk dua të them se edhe shkrimtarë të mirë e të nderuar nuk kanë shkruar vepra skematike, veçanërisht vjersha të veçanta, reportazhe apo artikuj.

Këto edhe unë vetë, që po flas, i kam shkruar dhe botuar. Por kjo nuk ishte një tendencë kryesore. Ishte një sëmundje e kohës.

Realizmi socialist ka qenë jashtë letërsisë së vërtetë shqiptare dhe nuk është përqafuar nga shkrimtarët e mirë. Ne duhet të dallojmë letërsinë e krijuar në socializmin real dhe metodën e realizmit socialist.

Këto janë dy gjëra të ndryshme , që shpesh ose nga injoranca ose nga nihilizmi identifikohen, duke thënë se letërsia socialiste është letërsi e realizmit socialist. Budallenjve një konfondim i tille u falet, por të mënçmëve nuk u lejohet .”

Kjo pjesë është shkëputur nga shkrimi “Marrëzitë në jetë më kanë shpëtuar nga marrëzitë në letërsi ” e Dritëro Agollit, në vitin 1995.

Ndërkohë, në kulmin e përqafimit masiv të realizmit socialist, Dritëro Agolli, që atëhere ishte vetëm 27 vjeç, pra në vitin 1958, ka shkruajtur këtë poezi, që nuk ishte normale për atë sistem:

Kjo grua

Kjo grua që bie erë çokollatë

Me mua ra dikur në dashuri ;

Tani jeton me burrin në pallate,

Që ngritëm vjet në bulevard të ri.

Dhe nuk e di, e lumtur është vallë,

Me burrin zemërbardhë e shtatlartë?

Qëndroj ta përshëndes,t’i them ca fjalë

Si kalimtar, si mik e shok i largët.

Po kokën nuk e kthen ajo nga unë ,

Trak-trukun e sandales më lë pas;

Atë në djalëri e desha shumë

Betoheshim të pritnim çdo tallaz!

Po bashkë s’patëm fat të lidhnim jetën,

Se desh apartament e telefona ,

Ndërsa unë ikja natën me gazetën

Dhe flija redaksive mbi poltrona.

Po unë e di,akoma natën në ëndërr

I shfaqem , e hap derën bojë hiri,

I shfaqem dhe i futem drejt në zemër,

Megjithëse pranë saj fle zemërmiri.

Kjo grua që bie erë çokollatë ,

Që desh nga unë apartament të ri ,

Tani jeton me burrin zemërbardhë;

Jeton e lumtur?

Nuk e di!

1958

TemA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *