Nga Gerta Banushi
Djaloshi i lindur në rrugën “Gluck” në Milano sot mbush plot 80 vjeç. Siç dhe ai këndon “Il tempo se ne va”, por gjatë këtyre viteve me një karrierë artistike plot 60 vjeçare, Celentano është legjenda e muzikës italiane me adhurues e dashamirës në mbarë botën, ku vendin e parë pas italianeve e zënë padyshim shqiptarët.
Ai mund të cilësohet si njeriu i historisë së muzikës dhe jo vetëm. Adriano Celentano, përveçse një këngëtar i njohur dhe tekstshkrues, është edhe aktor, komedian, regjisor dhe showman. Celentano, përveç muzikës së mrekullueshme, teksteve të këngëve kuptimplota, hap shpesh polemika përmes opinioneve që ai ka për politikën, fenomenet sociale etj. Me mbi 70 milionë disqe të shitura, Celentano vazhdon të mbetet personazhi më i diskutuar italian.
Celentano dhe shqiptarët
Ishte viti i largët 1991 ku gazeta italiane “La Repubblica” do të shkruajë artikullin me titullin “Të gjithë në radhë në Tiranë duke ëndërruar Celentanon”. Gazeta do të shkruajë se ishte gushti i vitit 1991, kur për herë të parë të rinjtë shqiptarë do të kishin mundësinë të shihnin nga afër, përpara një dyqani veshjesh, të preknin dhe të provonin të gjitha ato rroba që deri në atë çast kishin parë brenda dritares së televizionit italian, veshje të prera sipas stilit të Celentanos, këmisha e pantallona sipas modës së ikonës së muzikës italiane”.
“La Repubblica” do të shkruajë se Italia plotëson ëndrrat e shqiptarëve nëpërmjet muzikës, filmave, futbollit dhe televizorit. Për të parë televizionet italiane në Tiranë nevojitej një antenë speciale ilegale, shkruan gazeta italiane, e mrekulluar për adhurimin e madh të shqiptarëve gjatë kohës së komunizmit ndaj artit dhe televizionit italian.
Më vonë në Shqipëri do të krijohej shoqata “Miqtë e Celentanos”, anëtarët e së cilës kërkojnë me ngulm ardhjen e Celentanos në Shqipëri, madje duke nënshkruar një peticion. Mediat e ndryshme në Itali në vitin 2012 do të shkruajnë: Kërkohen në Shqipëri 100 mijë firma për të sjellë një debutim të Celentanos, për të realizuar ëndrrën që buron nga vitet ‘70, kur diktatori komunist Enver Hoxha censuroi këngën “Chi non lavora non fa l’amore”, duke e kthyer padashur Celentanon në simbolin e lirisë kulturore e politike në mbarë vendin.
Gjithashtu, “Libero Quotidiano” në vitin 2012 do të shkruajë, “Showmani milanez në Shqipëri është një ikonë e muzikës pop, por dhe një simbol antikomunizëm, pasi diktatori Enver Hoxha censuroi këngën “Chi non lavora non fa l’amore”, pasi e quajti kundërrevolucionare”.
“Libero Quotidiano” thekson se: Shqiptarët ndonëse të zhgënjyer nga Celentano që nuk pranon të mbajë një koncert në Tiranë, ata janë këmbëngulës, madje me anë të një peticioni, shqiptarët duan të bindin Celentanon të mbajë një koncert në vendin e shqiponjave. Prej 1990 miqtë e Celentanos dëshirojnë të shohin live në koncert djaloshin e rrugës Gluck. Në atë artikull shkruhet se rasti i Celentanos dhe marrëdhënia e shqiptarëve me të është e veçantë. Në Shqipërinë e viteve ‘70 nuk ishte thjesht një ikonë muzikore, por simboli i lirisë kulturore. Libero Quotidiano shkruan, se popullariteti i Celentanos në Shqipëri, u censurua nga regjimi i Hoxhës, regjim i cili arriti të organizonte një fushatë sensibilizimi nëpër shkolla për t’u shpjeguar të rinjve kuptimin reaksionar të këngës “Kush nuk punon, nuk bën dashuri” dhe si rezultat, Celentano u kthye në një simbol politik.
Në këtë shkrim thuhet se në Shqipëri në Festivalin e 11-të në vitit 1972, regjimi arrestoi këngëtarë dhe i dënoi për liberalizmin dhe degjenerimin oksidental. Sherif Merdani dënohet me 20 vjet burg, pasi imitoi mënyrën e kërcimit të Celentanos. Mediat italiane ironizojnë Celentanon, se ndoshta ai do të gjejë mundësinë të shfaqet live në Shqipëri.
Do të jetë përsëri gazeta “La Repubblica”, e cila në një reportazh të sajin në vitin 2014 për Shqipërinë, do të shkruajë se shqiptarët pothuajse të gjithë dinë italisht, e kanë mësuar nga televizori me antena të ngritura fshehurazi gjatë regjimin të Enver Hoxhës, më të mëdhenjtë në moshë duke ndjekur Celentanon si këngëtar e aktor, e më të rinjtë duke ndjekur filmat vizatimorë.
60 vite art Celentano
Në fillim të karrierës së tij me këngën “Ciao, do të lajmëroj”, ai i shkatërroi krejtësisht konkurrentët e tjerë dhe vetëm pas tri ditësh, nënshkruan kontratën e parë. Në vitin 1959 Celentano, me këngën “Puthja jote është si një rock”, bëhet fitues dhe njëkohësisht pushtuesi i klasifikimeve muzikore në mbarë Italinë. Ky ishte pikërisht momenti i tij.
Në vitin 1960, Celentano shfaqet në një sekuencë të rëndësishme të filmit të famshëm “Jeta e ëmbël”, të regjisorit Federico Fellini, i cili kërkoi ta kishte me çdo kusht, pasi e pa në skenë duke kënduar “Reddy Teddy”. Një vit më vonë, Adriano niset të kryejë shërbimin ushtarak dhe merr pjesë në Festivalin e Sanremos me këngën “24 mijë puthje”. Nuk fiton, sepse renditet në vendin e dytë, por disku shitet në më shumë se një milion kopje. Adriano në skenë këndoi duke ia kthyer shpinën publikut dhe ky veprim bëri aq bujë, sa u kthye në një çështje që u diskutua edhe në Parlament.
Rikthimin në Sanremo, artisti e bën më 1966-n, me një këngë që për herë të parë ngjiti në skenat muzikore europiane temën e ndotjes urbane. Titulli i saj është “Djaloshi i rrugës Gluck” dhe suksesin ia garantuan një milion e gjysmë kopje të shitura në mbarë botën, ku kënga u përkthye në tetëmbëdhjetë gjuhë.
Një bum artistik i publikut dhe i kritikës, ishte albumi që ai dhe Mina nxorën në treg në vitin 1998, me titullin “Mina & Celentano”. Bashkëpunimi me Minën ndërpritet për 18 vjet, duke u rikthyer sërish me duete të fuqishme si “Amami”, “Eva” dhe “E l’amore”.
Më nëntor 2007, këngëtari publikon “Fli e dashur, situata nuk është e mirë”, album që ka në kopertinën e tij një pamje të Adrianos si boksier. Ndërkohë që në vitin 2012 ndodhi ajo që pritej. Ai merr pjesë në Sanremo dhe Celentanos iu plotësua kërkesa për të pasur 50 minuta të veta nga show i natës së parë në këtë festival dhe duke qenë kështu lajmi i parë në të gjitha mediat.
Ndonëse është 80 vjeç, ai vazhdon të mbetet një ndër idhujt e muzikës italiane, i cilësuar si miti i historisë muzikore.
Tashmë milanezi i rritur në rrugën “Gluck”, një legjendë e gjallë për rininë e viteve ‘70 në Shqipëri, me ritmin e lirisë, me tekstet goditëse, me ndjenjën shpërthyese ndaj izolimit të regjimit, të një brezi plot ëndrra e shprese, vijon të jetë i mirëpritur prej 60 vitesh në Tiranë, ndonëse plot 80 vjeç. “Gëzuar Ditëlindjen Celentano”, ndonëse i ke një “borxh” të madh të gjithë shqiptarëve, të cilët kanë sakrifikuar shumë për të të ndjekur, në rininë e djegur. Shqiptarët nuk e kanë humbur shpresën dhe vijojnë të ëndërrojnë si dikur, ndoshta është gjëja që dinë të bëjnë më mirë, të ëndërrojnë…