Adrian Paci: Një popull i nëpërkëmbur nuk bëhet i respektuar nga suksesi i artistëve

Ështê mbajtur në Tiranë në datat 13-15 korrik “Konferenca e Ambasadorëve 2016”. Konferenca u zhvillua në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku në një nga panelet u diskutua në një bashkëbisedim mbi Diplomacinë Publike dhe Kulturore.  Në Panelin “Përtej diplomacisë klasike” morën pjesë Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës
dhe Adrian Paci, artist shqiptar i artit bashkëkohor botëror.

Fjala e artistit Ardian Paci ne Konferencen e Ambasadoreve u përqëndrua te kultivimi i vazhdueshëm i kulturës, e cila sipas tij nuk bëhet me fushata.

Së pari desha të theksoj se unë nuk jam një specialist i diplomacisë, prandaj jam këtu me shumë modesti për të ndarë me ju disa mendime, i ftuar nga Ministrja Kumbaro, së cilës ia kam çmuar sa vullnetin aq dhe pasionin për t’i shërbyer kulturës shqiptare.
Që në fillim më duhet të ndaj me ju bindjen time se mos suksesi ynë si popull, si shoqëri apo si shtet nuk mund të kompensohet nga suksesi i individeve të veçantë, qofshin këta artistë, shkrimtarë, balerinë, apo ngritës peshash.
Një popull i nëpërkëmbur, ku shteti e ligji nuk respektohet, ku ndjenja e bashkësisë është copë- copë, ku drejtësia mungon e ku brutaliteti dhe arroganca dominon jetën dhe raportet sociale, mund të nxjerrë artistë apo këngëtarë me shumicë e prapë se prapë nuk mund të bëhet kurrë një popull i respektuar. Nganjëherë njerëzit e mëdhenj dalin pikërisht falë rrethanave aspak të favorshme si një nevojë për të kompensuar vuajtjen dhe dhunimin që realiteti nga vijnë u rezervon . Vlerësimi për to nuk mund të na bëjë të harrojmë se jo vetëm nuk kemi kurrfarë merite në suksesin e tyre, por nuk kemi asnjë arsye për ta ndjerë veten krenarë për faktin e thjeshtë se i përkasim të njëjtit komb.
Rreziku që ne të jemi një popull përgjithësisht i parealizuar që e shfryen frustrimin e mos suksesit të vet në entuziazmin për një grusht njerëzish që aty këtu kanë bërë emër në botë është një rrezik real dhe ne mendoj se duhet të jemi të vëmëndshëm që mos ta përdorim këtë entuziazëm, shpesh herë naiv, për të mbuluar mungesat sociale apo kulturore të cilat kanë nevojë për impenjim të thellë shtetformues, politik, juridik, ekonomik, organizativ e kulturor.
Thënë kjo nuk mund të mos e konsiderojmë diplomacinë kulturore një mjet në duart e institucioneve në të mirë të vendit.
Unë nuk mund të flas në emër të gjithë njerëzve të kulturës, por po të marrim vetëm artet vizive, mund të themi se këto 20 vite Shqipëria si asnjëherë tjetër në historinë e vet, ka patur artistët e saj me ekspozita personale e kolektive në muzetë, galeritë, eventet më të rëndësishme të artit botëror. Asnjëherë si këto 20 vitet e fundit nuk është folur për Shqipërinë dhe artin dhe artistet e saj në ambientet më prestigjioze të artit nga Metropolitan Museum, në Tate Modern, nga New Museum, në Pompidou, nga Bienalet Europiane tek ato të Azisë apo Amerikës Latine.
Në suksesin e artistëve shqiptarë shteti shqiptar nuk ka patur kurrfarë merite e ky nuk është një faj, mbasi nuk ka artist të respektueshëm që e ndërton suksesin e vet nëpër korridoret e burokracisë shtetërore.
Gjithsesi institucionet e shtetit mund të jenë më bashkëpunues me politikat e tyre kulturore në mënyrë që individë të caktuar të gjejnë tek këto institucione mbështetje dhe vlerësim. Por çfarë kuptojmë me mbështetje.
Nganjëherë mbështetja për artin konceptohet nga selitë tona diplomatike si një çështje muresh apo sallash. Ne duhet t’i ruhemi transformimit të selive tona diplomatike në pseudo salla ekspozitash apo ambiente të improvizuara muzikore apo letrare. Mendoj se një artist shqiptar nuk ka nevojë të promovohet në sallat e ambasadave, por të gjejë mbështetje nga ambasadat në rrugëtimin e tij në ambientet profesionale të artit dhe kulturës botërore.
Sigurisht qëllimet e mira janë të nevojshme për të nisur një proces, por ato nuk mjaftojnë. Ndoshta duhet menduar të krijohet një strukturë dhe fond i përbashkët mes Ministrisë së kulturës dhe Ministrisë së jashtme për mbështetjen e artit dhe kulturës shqiptare në botë.
Nga ana tjeter, nëse një fond i tillë do të ekzistonte, mendoj se ai duhej të mbrohej e të mbahet sa më larg nga banaliteti i pseudokulturës, pasi të gjithë e dimë se më të zellshmit për t’iu turrur zyrave të shtetit, për të marrë në dorë flamurin e kombit, për të thurur vargje patetike e mbushur formularë të mërzitshëm, janë përgjithësisht njerëzit mediokër.
Në këtë kuptim them se duhet të ketë një ndërveprim me institucione të specializuara si të Ministrisë së kulturës, ashtu edhe të Ministrisë së jashtme për t’i qëndruar larg këtij presioni dhe për të mbështetur vërtet ato talente që meritojnë të mbështeten. Kur them talente që meritojnë të mbështeten e kam fjalën kryesisht për talente të brezit të ri që sapo e kanë nisur karrierën e vet dhe kanë nevojë për mbështetje si nga ana financiare ashtu edhe me kontakte nga bota e madhe e artit.
Është fakt shumë pozitiv për shembull, që Shqipëria po merr pjesë në mënyrë të përsëritur dhe me nivel shumë të mirë në evente si Bienalja e Venecias si në art ashtu dhe arkitekturë është një shembull i mirë, i cili kërkon sigurisht një sforcim për financat e varfra të shtetit tonë, por që e jep frytin e vet në prezantimin dinjitoz të Shqipërisë në këtë arenë të rëndësishme të artit dhe arkitekturës botërore. Por përtej këtij piedestali pretigjioz mendoj se nuk duhet reshtur së kërkuari kanale komunikimi mes skenës artistike ndërkombëtare dhe talenteve shqiptare në menyre që duke prezantuar kërkimin e tyre artistik, ato të prezantojnë edhe një fytyrë të emancipuar të vlerave shqiptare.
Nga ana tjetër mendoj se pjesë e diplomacisë kulturore është edhe një përkujdesje më kryeulët dhe pa shumë bujë që shteti shqiptar duhet tu bëjë elementëve si të thuash të nëndheshëm, por të qenësishëm të kulturës shqiptare në botë duke filluar me mbrojtjen dhe mësimin e gjuhës shqipe në brezat e fëmijëve të emigrantëve e deri tek format e agregimit kulturor dhe shoqëror mes njerëzish të thjeshtë që edhe pse jetojnë larg vendlindjes, kanë nevojë ta ndiejnë shtetin e tyre si një kujdestar të identitetit të vet kulturor.
Pra, puna për promovimin e talenteve të reja në fushat specifike të shprehjeve të tyre nga njëra anë dhe ushqimi i vazhdueshëm i përpjekjeve për mosbjerrjen e identitetit kulturor tek njerëzit e thjeshtë nga ana tjetër duhet të jenë dy anë të së njëjtës medalje të impenjimit kulturor të diplomacisë sonë në botë.

Pjesa e fundit janë si të thuash ekselencat shqiptare, të cilat ndoshta nuk e kanë më të nevojshme të mbështeten nga shteti shqiptar, por të cilëve shteti u rri përkrah duke e kthyer suksesin e tyre në një sukses të përbashkët për imazhin e Shqipërisë.
Sigurisht që për të bërë çdo punë të mirë duhet dije, pasion, intuitë por edhe elegancë e durim. Kultura nuk bëhet me fushata e me aksione. Ajo kërkon ndërgjegjësim se gjithëseicili vë një gur të vogël në një ngrehinë që të tjerë na e kanë lënë e të tjerëve do jua dorëzojmë. Vënia në dialog e kulturës shqiptare me atë botërore kërkon dyfishimin e kësaj ndjenje të modestisë, por edhe ngulmimin për ta mbushur atë boshllëk që për shumë vite e ndërpreu komunikimin normal mes nesh dhe pjesës tjetër të globit. Vendosja e këtyre urave të komunikimit mbetet akoma një sfidë për kulturën shqiptare dhe institucionet e shtetit shqiptar”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *