Luan Rama
Shumica e kritikëve dhe letrarëve të botës mendonin para disa kohêsh se Nobeli i radhës do të ishte poeti siriano-libanez, Adonis. Por nga sa pamë, ai do të jetë me sa duket Nobeli i ardhshëm i letërsisë. Dhe Adonis e meriton një «palmë» të tillë: si poet dhe si një qytetar i botës arabe dhe universale njëkohësisht. Pasi Adonis nuk është vetëm poet i Sirisë, ku u përkund gjer në rininë e hershme të tij, as libanez, ku i bë shtatas i tij dhe përjetoi luftrat civile, të cilat e detyruan të mërgojë sërrish dhe të vendoset në Francë. Adonis është poet i botës, një poet i shtegtimeve dhe i shumë horizonteve, i dramës njerëzore dhe i dashurisë, një poet i brengave të mëdha dhe i mërgimeve të dhimbshme që lënë gjurmë të pashlyeshme, nga ku lindin vaje. Poet që na kujton Nerudën, Lorkën apo Ricosin. Kur lindi në Kasabine, pranë Latakies në agun e parë të janarit të vitit 1930, ai quhej Ali Ahmad Said. Që fëmijë punoi tokën si një bujk i vërtetë dhe në tokën që shkeli këmbëzbathur ai thurri vargjet e para. Kështu ai u lidh pas poezisë dhe deshi të bashkohej me bardët dhe poetët e kombit të vet. Studjoi në një lice francez dhe meqë poezitë e tij nuk i botonin revistat e kohës, ai vendosi ta quajë veten Adonis, duke na kujtuar kështu mitologjinë greke. Rastësisht ai kishte lexuar diku legjendën mitike të Adonisit të dashuruar pas Afërditës, por që më së fundi, derrat e egër e coptuan atë. Mallkimi do ta ndiqte dhe atë, pasi poeti i ri do të burgosej shpejt nga Partia Nacionaliste në fuqi që kërkonte një Siri të madhe. Pas një viti burg, ai mundi të largohej drejt Libanit, duke krijuar atje revistat e para letrare dhe duke iu kushtuar poezisë. Tashmë ai përkthente nga frëngjishtja në arabisht poezitë e Baudelaire, St. J. Perse, Henri Michaux, etj. Nga vëllimet e para poetike Toka tha, Gjethe në erë, ai botoi Këngët e Mihyar dhe Damascene, duke vazhduar me Kujtesa e erës, Kënga e qyteteve apo Pylli i dashurisë brënda nesh, të botuara në shumë gjuhë të botës. Mërgimi ishte përvoja e tij jetësore dhe ai e vazhdoi atë në tokën e fjalëve, duke u bërë përcjellës i kulturave dhe një mesazher i poezisë dhe duke shkruar se «Poezia e bën jetën mbi tokë më të bukur, më pak efemere, më pak e mjerë. Ndërsa lufta e çon njeriun mbrapa, drejt barbarisë dhe fundit të njerëzimit». Dhe këtë luftë ai e pa në Bejrutin e djegur dhe të copëtuar, e pa në Ballkan apo në Lindjen e Mesme, Irak e Afganistan, e shikon sot në vëndin e tij të origjinës, Siri, ku bashkë me lirinë vritet dhe fjala e poezia e lirisë. Dhe poeti nuk nguron të godasë përmes fjalës së tij, përmes poezive të tij. «Njeriu është në qëndër të universit dhe jo Zoti!» – deklaron ai, duke shtuar se «shamia në kokën e gruas nuk mbulon vetëm fytyrën por dhe trurin e saj». Ja pse shpesh poezitë dhe librat e tij janë ndaluar dhe çenzuruar në vëndet arabe, dhe vargjet për dashurinë dhe gruan, janë konsideruar si herezi. Vëllimi poetik Lutja dhe shpata është vizioni i tij për kulturën e lashtë arabe, duke u ngritur kundër vizionit kuranik dhe duke kërkuar riorganizimin e vlerave dhe të «cité»-së muslimane: «Jeta është viktima ime /dhe unë nuk di si të vdes/ koha më është fshehur/ është poshtë syve të mij…/
Por mbi të gjitha, tek ky poet dhe filozof, të cilit aq shumë i pëlqen dhe bota pikturale, në krijimtarinë e tij, mbizotëron një lirizëm i thellë, një humanizëm i skajshëm dhe misteri i kujtesës, pasi siç shkruan ai diku «era ka kujtesë», meqë dhe jeta e tij personale është ngjizur nga malli, nostalgjia dhe mungesa, duke e detyruar të shtegtojë gjithnjë larg dhe ta rrahin erërat e furtunat. Malli është mungesë dhe aty siç duket kujtesa merr të tjera vlera dhe kthehet në buronjë poetike.