Abedin Dino – Gertrude Stein nga libri “DINO – shtegtari i Portës sublime”

Nga Luan Rama
(fragment)
Qyteti i Dritave
Më 1938, pas kthimit nga Bashkimi Sovjetik, Abedini u nis drejt Parisit. Ishte një ëndërr e vjetër e tij. Aty kishte kaluar fëmijërinë. Në kujtesën e tij, shtëpia në Auteuil, “Villa Molitor”, të cilën unë e kam parë me një nostalgji të veçantê, pasi në atë kompleks banesash private, kishte kaluar fêmijërinë miku im, atij i kishte mbetur si diçka në mjergull. Rrugët, shkolla, pylli i Bulonjës aty pranë… Sa e sa herë binte biseda dhe kujtohej Parisi, Arifi i fliste për poetët e njohur, Verlenin dhe Bodlerin, për impresionistët dhe piktorët e tjerë të mëdhenj. Dhe Abedinit i dukej sikur Parisi ishte atdheu i vërtetë i artistëve. Kur zbarkoi në Paris, në Gare de Lyon, ai ishte njëzet e pesë vjeçar. Ndër të parët që takoi ishte Tristan Tzara, për të cilin atëherë flitej ende si një nga modernistët revolucionarë dhe themelues i dadaizmit. Ishte një emigrant rumun, por që ishte bërë i njohur për ndjeshmërinë e tij artistike dhe modernitetin që kërkonte të sillte në fushën e krijimit artistik duke kërkuar t’i thyente rregullat e shkollave të vjetra artistike, përmes Manifetit të tij në vitin 1918, ku bënte një thirrje për përmbysjen e vlerave të vjetra akademike dhe krijimin e një arti të ri, novator në formë e përmbajtje, por këtë e kërkonte me shume zhurmë, klithje, përçartje, zënka, madje dhe kundër vetë futurizmit e kubizmit. „Duke qenë se Tristan Tzara më mori nën mbrojtjen e tij, për mua ishte e pamundur atëherë të frekuentoja Andre Bretonin dhe surrealistët e tjerë. Kështu, u lidha me Soupault dhe pak më vonë me Louis Aragonin“, kujtonte Abedini. Në atë kohë Bretoni dhe Tzara e kishin prishur miqësinë e tyre të hershme dhe grupet artistike thuaj se ishin në luftë mes tyre, përsa u përket manifesteve artistike dhe rolit te artit në ndryshimin e shoqërisë. Breton dhe Eluard i bënin luftë surealistëve të hershëm si Tzara et Jean Cocteau. Viti 1938 në Paris, si në të gjitha kryeqytetet e mëdha të Evropës, ishte i mbushur plot ngjarje të mëdha e të stuhishme. Nga një anë, Lufta e Spanjës në kulmin e saj dhe vullnetarët internacionalë që zbarkonin nga e gjithë bota, dhe, nga ana tjetër, nazizmi që po tmerronte Evropën. Pas «Natës së thikave të gjata» dhe furisë anti-semite, Gjermania pushtoi Austrinë duke mos gjetur as rezistencën më të vogël nga demokracitë perëndimore. Në Moskë gjykohej dhe ekzekutohej Buharini dhe përgatiteshin gjyqet e tjera të mëdha. Në fund të shtatorit, kryeministrat e Francës dhe të Anglisë, Daladier dhe Chamberlain, nënshkruajnë bashkë me Hitlerin dhe Musolinin Akordet e Munihut. Evropa ishte në prag të një lufte të madhe e shkatërrimtare, që shfaqej tutje në horizont. Aragoni botoi skicën e tij teatrale Evropa, i frymëzuar nga vepra e Aristofanit dhe doli hapur me shkrimet e tij kundër shefit të shërbimeve sekrete sovjetike për «vrasjen» e Gorkit. Atëherë Montparnasi gëlonte nga artistët, shumica e të cilëve prej kohësh e kishin braktisur Montmartrën, që dikur ishte qëndra artistike e qytetit. Tashmë kafenetë „Select“, „Le Dôme“, „Closerie des Lilas“ dhe më shumë „La Coupole“ dhe „La Rotonde“ në bulevardin e Montparnasit zhurmonin nga artistët e ardhur nga e gjithë bota, nga Evropa qëndrore e lindore, nga Rusia, Japonia, Amerika latine e shumë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Hemingueji mrekullohej me Parisin, siç e përshkruan dhe në librin e tij Parisi, një festë e pambarimtë, ku, kapitullin e dytë e nis me titullin Mësimi i zonjës Stein. Pikërisht, në këtë kohë, Abedini u njoh me intelektualen amerikane Gertrude Stein, që zakonisht rrinte në kafenenë e saj të preferuar „La Coupole“. „Ne punuam së bashku me Stein, – do të kujtonte më vonë Abedini, – e cila banonte në 5, Rue Christine. Punuam për opera që që kishte ndërmend të vinte në skenë, «Doktor Faustus lights the lights», muzika e së cilës do të kompozohej nga lordi Berners, një mik i afërt i saj dhe i koreografëve rusë, Diagilev dhe Balanchine...“ Një pjesë e dekoreve-vizatime të Abedinit të asaj kohe do të gjëndeshin vite më vonë, pas Luftës së Dytë Botërore. Takimi me Stein, këtë grua të famshme amerikane e kozmopolite, do të linte gjurmë në jetën e Abedinit. Edhe pse në Paris ai qëndron vetëm gjashtë muaj, por kjo periudhë do të ishte për të një referencë e madhe në kuadrin e koncepteve për artin, dhe modernitetin që do të kërkonte më pas gjatë gjithë jetës, çka është një nga tiparet kryesore të gjithë veprës … Stein[1] ishte epiqendra e shumë artistëve amerikanë e evropianë që mblidheshin rreth saj, që nga Hemingway, Dos Passos, Anderson e Fitzgerald[2] e gjer tek autorët e rinj, kubistë e avanguardistë të të gjitha ngjyrave. Koleksioni i veprave të saj, që mbulonte muret e atij salloni të madh në 27 Rue Fleurs, ku banonte më parë me të vëllain, ishte me veprat e autorëve më në zë të epokës. Aty mblidheshin të shtunave në mbrëmje Picasso, Matisse, Picabia, Cocteau, Satié, etj. Të ishe pranë Stein-it, ishte një gjë e veçantë, aq më tepër për një piktor «otoman» si Dino, që edhe pse vinte nga Turqia, spikaste me modernitetin e tij. Në librin e tij Duart, Dino kujtonte: «Nisur nga vizatimet e mia, që Gertrude Stein i pëlqente shumë, disa herë ndodhte që të diskutoja me Alice Toklas, në shtëpinë e saj në 5, Rue Christine si dhe përgjatë bregut të Seine-s në mbrëmje, të ndjekur nga qeni i saj «Basket». Subjekti i atyre diskutimeve të gjalla përqëndrohej në problemin e erotizmit në art dhe veçanërisht prania ose mungesa e sensualitetit në pikturën kubiste. Gertrude Stein pohonte se një pikturë e mirë kubiste i jepte një sensacion të fortë sensual. Unë habitesha, duke këmbëngulur në dinamikën spirale të artit kubist në shërbim të një dimensioni të katërt. E habitshme që një dialog i kësaj natyre mund të zgjatej midis një çifti të tillë me emër dhe një turku të ri 25 vjeçar, i cili sapo kishte zbarkuar në Paris. Megjithatë, Gertrude Stein duke shkruar dhe unë duke vizatuar, ne ndërmorrëm një punë që ajo e kishte për zemër, Faustin e Ri…»
[1] Autore e The Making of Americains, ku tregon historinë e saj personale të mpleksur me historinë e krijimit të Amerikës. Që nga vitet 50-të, me veprën e saj letrare e dramaturgjike janë marrë kritikët më të mëdhenj letrarë e të arteve. [2] – Ajo i quante ata “brezi i humbur” (“Géneration perdue”), nga ku erdhi dhe cilësimi i shkrimtarëve të “Brezit të Humbur”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *