A thua do të vish duke qeshur

Preç Zogaj

Endet një muzg përzier me brymë
dhe vetmia lind përsëri vetmi,
shkon çalë-çalë nëpër rrugë.

Përse më ke thënë harromë?!
Fillikat tani, më mbyt bukuria.
Diç dua të them e nuk mund ta them.
Mëkat të flasësh
kur fjalën e saktë
nuk e gjen.
Do të kisha harruar, por s’mund të të
harroj,
se endet ky muzg, ngaherë do të endet ky
muzg.
Vjen një mëngjes, ngaherë vjen një
mëngjes,
Ose bie shi, bie shi me litarë
dhe vetmia lind përsëri,
dhe ndarja ka një moshë,
për shembull një vit, dy ditë, tre orë …
Rritet moj, rritet, ndarja jonë.

Këtu kemi qenë, kemi shkuar kaq pranë.
Na kanë ndarë mure, xhama, pemë,
na ka ndarë syri ynë!
Por endet një muzg përzier me brymë,
jam krejt i sigurt tani dhe kam frikë
se një ditë do të vish duke qeshur.
Jam krejt i sigurt se do qajmë
nën sytë e qeshur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *