A ofendohet vërtetë publiku nga një shkrim kritik?!

Pas një shkrimi kritik të aktorit Julian Deda, për “Zbutjen e Kryeneçes”, së Shekspirit, regjisorja Elma Doresi u përgjigj se mendimi kritik i Dedës për shfaqjen ofendonte publikun që e kishte parë.
Pasqyre.al ka marrë opinionet e disa personave, që mund të konsiderohen si publik besnik i teatrit lidhur me shfaqjen. Ky publik, i cili meqënëse është në numrin shumës, nuk po i vëmë emra të përveçëm pohoi se prisnim më shumë, por po ashtu kishte dhe nga ata që u shprehën se shfaqja ishte e mirë edhe pse pak e gjatë.
Mes tyre kishte nostalgjik, që mbajnë ende mend versionin e para shumë viteve dhe thanë se deri diku ishin zhgënjyer nga “Kryeneçja”.
Julian Deda vuri emrin e tij mbi kritikën dhe mendimin e tij e bëri publik, pa e lënë thjesht një bisedë tavoline, siç publiku ynë i nderuar nga frika se nuk mund të quhet “ekspert”, zgjedh të jetë “i paemër” dhe mos të flasë.
Pyetja që shtrohet në fund të këtij debati është, vallë vërtetë publiku fyhet nga shkrime kritike siç regjisorja Doresi pohoi ditën e djeshme?
Vallë gjithë njerëzit që kanë parë shfaqjen mendojnë si regjisorja se “ajo ishte në lartësinë e duhur dhe se pas saj nuk mund të bëhet asnjë kritikë?
Se publiku ynë vallë, që kërkon emocion në skenë edhe po nuk e mori këtë nga shfaqja, do të thotë automatikisht se ai “s’merr vesh”? Se perceptorët e tij duhet patjetër të jenë të një njeriu që studion teatër gjithë ditën? Se kur diçka nuk të pëlqen, automatikisht ke ndonjë inat personal?
E vërteta është se ka një problem sa herë dikush kritikon me apo edhe pa shumë të drejtë në Shqipëri,sidomos në fushën e kulturës.
Duke qenë se kritika mungon tërësisht dhe se njerëzit kanë frikë të flasin, ne kemi pranuar automatikisht të mbetemi vite drite larg.
Sigurisht askujt nuk i bëhet qejfi nga mos suksesi, por kjo s’do të thotë që mos të flasë askush se “ofendohet” publiku.
Në fakt publiku ofendohet kur këta artbërës, kujtojnë se ai nuk është i aftë t’i kuptojë. Ofendohet publiku kur e trash për orë të tëra dhe nuk i dhuron emocion. Publiku ofendohet kur skena kthehet në një lloj tallavaje dhe kur s’di ku ta përplasësh zhgënjimin dhe mezi pret të ikësh.
Publiku ofendohet kur thotë “Ç’harxhova ca lekë dhe orë kot, kisha pirë ndonjë kafe”.
Kështu ofendohet publiku, jo kur dëgjon opinione të ndryshme, sado të pabaza që të jenë rreth një shfaqje, një teatri, rreth një ekspozite apo çdo lloj krijimi tjetër.
Ata që bëjnë art në Shqipëri duhet të çlirohen nga kompleksi dhe frika se do kritikohen. Në vend që të merren personalisht me këdo që flet, mirë është të reflektojnë mbi defektet dhe të përmirësohen. Sepse Shqipëria sot, vuan më shumë se çdo vend tjetër në Ballkan për artin e mirë, për kulturën dhe kritikën mbi të!/ Pasqyre.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *