A është e mundur vërtetë miqësia ndërmjet një burri dhe një gruaje?!

Nga Bernadette Costa-Prades

Një burrë e një grua, miq ? Për një kohë të gjatë, kjo ide ka qenë e pamendueshme, ngaqë të dyja gjinitë jetonin në universe të ndara, pa u njohur vërtet jashtë lidhjeve të çiftit. Shtrirja e punës së grave dhe pastaj përzierja në shkollë i kanë tronditur këto raporte të largëta. Periudhat e beqarisë në jetë, që janë shumë më tepër se dikur, lënë një fushë të lirë për lindjen e disa miqësive të forta ndërmjet burrave dhe grave, dhe për të gjitha dykuptimësitë e këtyre miqësive. Kur Anna, 22 vjeçe, më ka pyetur shumë butë se me ç’studim po merresha këto kohë, përgjigja ime e la disi të habitur : « Pse, çfarë problemi ka ? ». Një reagim që nuk e habit aspak psikiatrin dhe psikanalistin Serge Hefez, autor i Skena të jetës bashkëshortore (Fayard, 2010) : « Brezi i sotëm e ka jetuar përzierjen si një gjë të vetëkuptueshme, analizon ai. Por, përtej kësaj, djemtë dhe vajzat kanë qenë marrë në konsideratë në të njëjtën mënyrë, duke ua respektuar pjesën e tyre mashkullore dhe femërore. Qëkur janë të vegjël, ata e kuptojnë njëri-tjetrin, janë të afërt emocionalisht, dhe nuk është e rrallë që mikesha më e mirë e një vajze të jetë një djalë. » Këta këtu, nuk e shtrojnë fare çështjen e dëshirës seksuale, sepse « ajo lind nga diferenca, ndërkohë që miqësia ushqehet me ngjashmërira, vëren psikanalistja Sophie Cadalen, autore bashkë me Sophie Guillou e Gjithçka për t’u pëlqyer… dhe ende beqare (Albin Michel, 2009). Afërsia e ngushtë miqësore nuk i lë aq vend tjetërsisë që aty të lindë dëshira ».

Një mik është dikush që na njeh përmendsh, të cilit ne i rrëfehemi pa asnjë zbukurim. Dëshira ka nevojë për mister, mister që miqësia mund të bëjë shumë mirë pa të : « Ta dëshirosh tjetrin, do të thotë që ndërtimi i tij psikik nuk ka asnjë lidhje me timin, shpjegon Catherine Blanc, seksologe, psikanaliste dhe autore e Seksualiteti i grave nuk është ai i revistave (Pocket, “Evolution”, 2009). Kjo diferencë krijon një zbrazëti ndërmjet tjetrit dhe meje, zbrazëti që unë do të kërkoj ta mbush falë seksualitetit. Me një mik, çështja është krejt tjetër : ne përpiqemi të rikthehemi sërish tek ndjenja e butë të cilën e kemi jetuar me babin, mamin, vëllezërit dhe motrat tona. Ne dalim jashtë fushës seksuale për të mos rrezikuar të biem një situatë incestuale. »

Madje, mjaft miq theksojnë lidhjen vëllazërore, thuajse familjare, që i bashkon ata, duke ngritur ndërmjet tyre pengesën e një incesti simbolik. E megjithatë, a nuk ka dëshirë fare ? « Ne i duam pozicionet e qarta : ose ka dëshirë, ose nuk ka. Por jeta është më e hollë se kaq, më e paqartë. Shpesh, ndërmjet një gruaje dhe një burri miq me njëri-tjetrin, fillon një lojë joshjeje, por sërish pa asnjë pasojë mbi marrëdhënien e tyre », vëren Sophie Cadalen. Pikërisht këtë jeton Myriami, 38 vjeçe, me mikun e vet Martinin : « Më pëlqen që ai ta shohë veshjen time të re, e të më komplimentojë një bizhu. Nganjëherë zbavitem duke e pickuar më drejtpërdrejt : “Eshtë idiote, hë ? Unë dhe ti, dimë gjithçka për njëri-tjetrin, përveç se si bëjmë dashuri…” Ne luajmë me këtë ide, por duke e ditur shumë mirë se nuk do të ndodhë kurrë asgjë ! »

Për Catherine Blanc, kjo situatë e dykuptimtë përbën hirin dhe pasurinë e miqësisë së përzier : « Ne jemi qenie seksuale dhe kemi nevojë që disa persona të tjerë (jo partnerët tanë dashurorë) të hedhin një vështrim seksual mbi ne, sepse kjo na e përforcon identitetin tonë si burrë, si grua, por pa kaluar nëpërmjet seksualitetit. Dëshira jonë nuk gjen të njëjtën rrugëzgjidhje, sipas personave me të cilët jemi. Qenia njerëzore nuk ndahet kështu si me thikë, qartë, pastër. Ajo i shkartis kartat ndryshe, por ato janë të pranishme në çdo marrëdhënie. » Tërheqja është aty, por ajo mbetet e përmbajtur, që të mund t’i lerë vend miqësisë.

Nganjëherë, disa hidhen në atë që Brazilianët e quajnë « miqësi e ngjyrosur ». Një mbrëmje mërzie apo vetmie, ata ngushëllohen në krahët e njëri-tjetrit. « Eshtë sidomos ndjenja e butë ajo që vepron në këto kalime në akt, çmon Sophie Cadalen. Më tepër bëhet fjalë për një dëshirë për përkëdhelje sesa për një dëshirë të vërtetë seksuale. » I njëjti vëzhgim edhe për Serge Hefez : « Marrëdhëniet seksuale të shokëve të ngushtë nuk kanë të njëjtën natyrë si marrëdhëniet seksuale dashurore. Në rastin e parë, bëhet fjalë thjesht për një lojë erotike, pa ndonjë pasojë të madhe. Përkundrazi, nëse këtu mplekset dhe dashuria, atëherë hyn në lojë diferenca themelore ndërmjet gjinive. Ajo nxjerr në dukje çështjet e pavetëdijshme ndërmjet një burri dhe një gruaje. Çështje, detyrimisht të shumëkuptimta : aktivitet dhe pasivitet, nënshtrim dhe sundim. Rendi barazitar i shoqnisë gjendet i tronditur. »

« Aventura mund të hapë një derë në të pavetëdijshmen dhe ta trondisë fund e krye këtë miqësi të ngjyrosur », vazhdon Sophie Cadalen. Këtë ka jetuar dhe Sabina, 35 vjeçe : « Orgazmën time të parë, e kam pasur me Maxin, një mik. Kjo përvojë ma ka ndryshuar shikimin tim mbi të. Problemi është se këtë e ndjeja vetëm unë. » « Qetësia dhe besimi që vendosen në një miqësi, nganjëherë lejojnë një lëshim në seksualitet, vëren Sophie Cadalen. Është pak a shumë e njëjta gjë me çiftet e vjetër që arrijnë të kenë një seksualitet të mirë. » Por, si në çdo marrëdhënie njerëzore, ne rrallëherë jemi në të njëjtën gjatësi vale, dhe gjithmonë në një riekuilibrim të marrëdhënies. Kur pritjet e të dyve ndryshojnë tepër, seksualiteti është zbuluesi më efikas që mund të bëhet : Sabina nuk e ka parë më kurrë mikun e vet Maxin…

Mund të ndodhë gjithashtu që miqësia të kthehet në dashuri, ndonëse seksi nuk është përzier kurrë deri atëherë. « Por unë nuk besoj në një rrëshqitje të qetë nga njëra tek tjetra, si në filmat e lehtë amerikanë, vëzhgon Sophie Cadalen. Ka detyrimisht një ngjarje fillestare – një zi, një ndarje –, një tronditje që i ka mundësuar secilit të ndryshojë vend, duke lejuar një vështrim të ri, kësaj here dashuror. » Ndërsa Catherine Blanc çmon se rolin e kapsollës mund ta luajë dhe një hollësi e thjeshtë : « Në një çast, një ngjyresë e zërit apo një përkëdhelje shkon ta shtypë butonin e së pavetëdijshmes sonë e cila na lidh me anën seksuale. Por edhe e anasjellta është e vërtetë. Një qëndrim apo një refleksion mund ta çaktivizojë këtë kapsollë, sepse kjo hollësi e vogël bën një referencë ndaj nënës, babait, motrës. » Nuk ka një, por mijëra arsye që janë të afta ta shpjegojnë përmbysjen e dashurisë në miqësi apo të miqësisë në dashuri…

Kur kufinjtë zhvendosen, turbulli që rrjedh nga kjo fut në vallë një të tretë : bashkëshortin apo bashkëshorten. Sepse miqësia ndërmjet një burri dhe një gruaje nuk përmban të njëjtat rreziqe si ndërmjet dy beqarëve që mund të luajnë me dëshirën për njëri-tjetrin, me apo pa kalim në akt, dhe ndërmjet dy personave që janë secili në një çift në jetën e tyre. « Ia ndaloj vetes të kem një mik, sepse e di se nuk do ta duroja që François të kishte një mikeshë. Nuk ndihem aspak mirë në këtë çështje », e pranon ndershmërisht Lucille, 39 vjeçe. Kurse Anne, 45 vjeçe, i pranon miqësitë femërore të të shoqit. Por jo pa një sëmbim në zemër. « Ngaqë punon në një mjedis shumë femëror, Marku ka mjaft mikesha. Do të ndihesha qesharake po ta qortoja. Por, edhe pse jam e sigurtë se nuk ka asgjë seksuale ndërmjet tyre, të thuash se këto marrëdhënie më gëzojnë shumë, do të ishte hipokrite », pohon ajo. Sipas Serge Hefez, « gjëja më e frikshme në këtë miqësi nuk është fjetja me tjetrin jashtë çiftit, por është rreziku i një intimiteti tepër të madh. Dihet se jeta bashkëshortore mund të ketë plot gjëra të pakëndshme të karakterit tonë, dhe dihet sa e ndërlikuar është që të mbash përditë një nivel të lartë intimiteti me bashkëshortin a bashkëshorten. Është pak a shumë sikur një mik të përfitonte nga anët tona më të mira : humori, mendja e lehtë, pa vuajtur fare nga anët tona të pakëndshme. » Turbulluese, sigurisht…

Laure, 44 vjeçe, kujton një burrë 60 vjeç që i kishte thënë gjatë mbrëmjes së parë (dhe të fundit) : « Një burrë dhe një grua nuk mund të jenë miq. » Çështje brezash, padyshim, por jo vetëm kaq, sepse miqësia mpleks dhe çështje të tjera të pavetëdijshme : « Ata që kanë dyshime tek miqësia e përzier nuk e shohin tjetrin përveç si një objekt dëshire, vëren Catherine Blanc. Për ta, të luash me këtë ide, është tashmë një tradhti. Çfarë fsheh ky vullnet për ekskluzivitet ? Shpesh një rivalitet vëllazëror, një frikë që të mos jesh i preferuari. Janë pikërisht këto dyshime mbi veten tonë ato që shprehen në “kurrë-t” dhe “gjithmonë-t”, duke mos i lejuar veten që të kemi disa korda në harkun tonë. »

Dëshira ngjall atëherë mosbesimin dhe frikën mos përmbytemi nga pulsioni seksual, i cili tërheq dhe frikëson njëherësh. Disa parapëlqejnë që t’i rrinë larg kësaj. Disa të tjerë çmojnë se nuk ka dëshirë në këto lidhje : ata refuzojnë ta shohin tjetrin si një burrë apo grua. Dhe kjo ndrydhje vë në pah se ana seksuale, për ta, përbën një fushë potencialisht të rrezikshme. « Ndërmjet këtyre pozicioneve, ka dhe një të tretë, më të qetë e të butë. Ai e pranon anën seksuale, e pranon si një energji e cila, në vend që të shprehet në akt, e gjen paqen e vet në bashkëpunimin e ngushtë, në shkëmbimin intelektual, tek humori », përfundon seksologia dhe psikanalistja. Një pasuri që do të ishte një dëm të mos përdorej.

Cécile, 22 vjeçe : « Ne jemi takuar qëkur ishim 16 vjeç, dhe në atë moshë, kisha nevojë të joshja. Isha e kënaqur që i pëlqeja atij, por shumë shpejt, miqësia doli më sipër dhe që atëherë nuk është fjalë kurrë për të fjetur bashkë ! Të tjerët nuk e kuptojnë që ne mund të flemë në një shtrat dhe të mos ndodhë asgjë. Por ne, fakti që nuk flemë bashkë, është se ne qeshim gjithë natën ! Hugo është “mikesha ime më e mirë” ! Kujtimi im më i bukur me të, është në këtë verë : sapo isha prishur me të dashurin dhe ne u nisëm për në Firencie, bashkë me një mik tjetër tonin, Arnaud. Kisha nevojë të qaja, dhe u largova vetëm për një orë. Kur më gjetën, isha ende në lot. Vajtëm të pinim mojito dhe secili prej nesh nxori ç’kishte brenda. Pritën që të flisja vetë, pa më bërë pyetje. Pastaj e vazhduam udhëtimin tonë gjithë gëzim : ky udhëtim treshe në Toskanë, ishte po aq i bukur sa Jules dhe Jim, por pa seksin.

Hugo, 22 vjeç : student në artet e bukura : « Kur e kam takuar Cécilën, e pranoj se më tërhiqte. Madje nënat tona ishin të bindura që ne ishim në dashuri me njëri-tjetrin. Por shumë shpejt e kemi kuptuar se nuk kishte dëshirë serioze ndërmjet nesh, se ishin të tjerët ata që e mbanin gjallë këtë mëdyshje. Marrëdhënia ime me Cécilën është shumë e vyer për mua, e fortë, në të qeshur e në zemërim. Një intensitet që të dashurat e mia bëhen xheloze. Por edhe shoqet e tjera të miat e kanë zili këtë marrëdhënie, sepse mund të ketë edhe një xhelozi miqësore ! Me shokët e mi çuna, kam një raport me intelektual. Ndihem i detyruar të jem më abstrakt për të folur për mua. Kurse Cécile më kupton në mënyrë intuitive. Ndërmjet nesh, ka shumë drojë. Ne i njohim të metat dhe dobësitë tona. I respektojmë. Kjo është ajo që më pëlqen në miqësinë tonë : mund të mërzitemi bashkë, në liri të plotë, pa bërë gjoja sikur jemi mirë. Kjo ndodh shumë rrallë me një të dashur. »

Bernard, 62 vjeç : « Për mua, është më e lehtë të kesh një miqësi femërore pa prapamendime seksuale, sepse ne kemi qenë tashmë dashnorë : e kemi bërë ! Përkundrazi, që marrëdhënia të bëhej e mundur, na është dashur të bëjmë një analizë mbi dështimin tonë, të biem dakort mbi atë që na ka çuar drejt e në mur. Kjo punë nuk ka mundur të bëhet bashkë, dhe unë me Mireille nuk jemi parë as telefonuar për tetë muaj me radhë. Secili kishte nevojë ta treste ndarjen. Kur u ritakuam, krijuam një marrëdhënie ndryshe, të bazuar mbi humorin. Kjo futi një largësi të re mes nesh, por edhe një bashkëpunim që partnerët tanë përkatës nuk e çmojnë gjithmonë, por kjo është normale ! Kemi diskutuar me Mireille mbi këtë çështje dhe kemi vendosur që të bëjmë kujdes në praninë e tyre. Sidoqoftë, nuk jam mik me të gjitha ish të dashurat e mia : duhen disa cilësi – zgjuarsi, humor, bujari –, dhe Mireille i ka këto. »

Mireille, 59 vjeçe : « Jam mikeshë me thuajse të gjithë ish të dashurit e mi. Është një lehtësi për mua, thuajse një nevojë. Shoh aty një mënyrë për ta fshirë dështimin. Dhe kjo njohje fizike e ndërsjelltë na lejon një marrëdhënie më të thellë. Me Bernardin, na ka ndodhur të flemë bashkë edhe pas prishjes sonë, por kjo s’na ka sjellë asgjë : nuk ishte e trishtë, por e kotë. Dhe fundja, ne kemi një respekt të madh për partnerët tanë. Edhe sikur të rilindte dëshira, ne do të vendosnim një pengesë morale. Por ama, unë jam këshilltarja e tij më e mirë bashkëshortore, dhe ai për mua ! Mbështesim njëri-tjetrin për të mos përsëritur marrëzitë që i kemi bërë vetë. Sot, kam thuajse një lidhje vëllazërore me Bernardin. Ai është i pari që marr në telefon kur kam një vështirësi. Shpesh pyes veten në mos jam si Jean Cocteau : më me dhunti për miqësi sesa për dashuri…

Miqësia ndërmjet grave heteroseksuale dhe burrave homoseksualë nuk është një klishe : « Duke e larguar përfundimisht perspektivën e një marrëdhënieje seksuale, gratë i lejojnë vetes një lëshim të pavetëdijshëm, të këndshëm e të gëzuar, pohon psikanalistja Sophie Cadalen. Ato i ulin armët e joshjes. » Këto gra i gëzohen plotësisht anës femërore të mikut të tyre homo, aq më tepër që janë më pak në rivalitet me të sesa me një mikeshë të së njëjtës gjini… Po burrat ? Burrat janë më pak të prirur për të lidhur një miqësi me lezbiket, sepse, sipas Serge Hefez, « për t’u bërë një burrë, shumica është dashur ta flakin poshtë anën e tyre femërore. Dhe ata i shqetëson ajo pjesë e madhe mashkullore e gruas homoseksuale.  Përkthimi: © Urim Nerguti, gusht 2016/ Shkëputur nga revista Psychologies, janar 2011

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *