Ilir Muharremi
Platoni bukurinë e përzien me të vërtetën dhe vetë bukuria s’ka kuptim pa të vërtetën. “Fshatari mund të admirojë formën e bukur të mjetit të tij bujqësor, por ky i fundit para së gjithash duhet të jetë i dobishëm”, shkruan Tzvetan Todorov, teoricien letrar.
Rrënimi i vlerave estetike në dobi të atyre pragmatike. Pisarev-i thekson: “Më shumë do të dëshiroja të isha një këpucëtar rus sesa një Raphael rus”. Camus-i vlerëson se për të , më të vlefshme janë një palë çizme, sesa Shakspeare-i. Këpucëtari nuk e mallkon Shakspearen, përkundrazi ai që vazhdon ta lexojë Shakspearen. Besimtari në kishë është i kënaqur me muzikën që dëgjon, kjo harmoni vihet në shërbim të fesë. Në fakt, poeti revolucionar braktis krijimin, adapton fuqinë e marrësit si interes të bukurisë. Këtu kemi edhe pasoja të mëdha. Arti ndahet nga krijimtaria, që dikur artisti qe në shkallë të lartë superiore, e tashmë është zanatçi dhe teknik. Artisti vërtet është një zanatli i mirë, mirëpo nëse i shikojmë nga këndi i krijimit, pastaj prodhimit, zanatliu nuk e përkrah artistin, sepse zanatliu krijon gjëra vetëm të nevojshme, derisa artisti për kënaqësi estetike shpirtërore. “Njëri i bindet interesit të tij, tjetri rri fare i painteresuar”, shkruan Todorov.
I pari me logjikën e shfrytëzimit dhe përdorimit, i dyti në të shijuarit dhe ëndërruarit. I pari është shumë njerëzor, tjetri i përket një bote të kundërt: hyjnore. Duhet besuar nganjëherë se arti është drejtim i kundërt me realitetin.
Poezia sot po zhvillohet edhe në Facebook dhe po shprehet përmes fjalës së lirë, por po harrojnë poetët digjital që poezia është tingull, tablo përfytyrim i përcaktuar e i qartë. Shkrimtarët e parë komercialë ja mësyjnë Facebook-ut për t’u promovuar. Letërsia e Facebook-ut është e çastit dhe gjithmonë vargjet janë të shkurtra, ose duhet të thuash shumë me pak fjalë. Facebook-u po shfrytëzohet si revistë ose gazetë në kërkim të pëlqimeve të shumta. Pëlqimet bëhen në suaza shoqërore dhe gjithmonë vendin e parë e zënë pëlqimet sesa vargjet. Harrojnë që poezia realizon domethënien e ideve me anën e së jashtmes, organizon botën shpirtërore në figura të përcaktuara plastike. Poezia shkruhet, por kuptimi i ndërron gjatë interpretimit. Besohet interpretimi.
Facebook-u më shumë përdoret edhe si testues i vulgaritetit megalomaninë- vipomaninë, etjen për të qenë në qendër të vëmendjes. Këta poetë janë idiot elektik. Idioti më i madh përmes Facebook-ut ka hapësirë për ta promovuar veten. Këtyre pseudoshkrimtarëve lexuesit e librarive u kanë kthyer shpinën dhe domosdo insistojnë në muret e tyre të imponojnë vargjet. Mos të hyjmë në hak, ka edhe letërsi cilësore. Por, pseudopoetët e Facebook-ut frikësohen nga mosnjohja, ose injorimi dhe frika nga qefini i harresës. Ata duan që të tjerët ta pëlqejnë sa më shumë këtë letërsi virtuale dhe pak i pranojnë komentet kritikuese ose kanë frikë se vargjet e tyre nuk mund të dëgjohen nëpër mbrëmje poetike për shkak klaneve dhe e shohin Facebook-un si mundësi të mirë për promovim.
Kjo botë e Facebook-ut, ku të gjithë shtyhen me bërryla për t’u duk pakëz është shumë groteske dhe ky planet depresiv nxjerr vetë poetët, ose nga kjo ata imitojnë poezinë, por nuk e krijojnë. Janë poetë të krijuar nga profili i tyre i Facebook-ut. Lista e tyre është shumë e gjatë, shprehen pa pengesa e hierarki. Poezia rrezikon nëse kalon pa kritere të jashtme të përzgjedhjes. Këto karriera online janë bërë produktivitet vrasës i krijimtarisë dhe poezisë së mirëfilltë. Kam dëgjuar diku se poezia e gjen vetë lexuesin dhe ata lexues janë pa rregulla shpirtërore e artistike. Poezinë e Facebooku-t mund ta lexojmë në çdo cep të botës, kurse poezinë në letër vetëm lexuesit e interesuar. Shkrimtarët e mëdhenj kanë lexuesit e tyre. Shpesh me duket sikur librat më thonë: “Na lironi nga ky krahasim absurd”. Librat nuk krahason me askënd, sepse shkronjat prekën, ndjehet aroma e letrës dhe vargjet vijnë si këngët, kanë melodi.(Zëri)