900 dollarë në ditë për të punuar në plantacionet e kanabisit në Kaliforni

900 dollarë fitim në ditë: malazezët e varfër, në borxhe dhe të zhgënjyer e kanë kthyer kokën nga Kalifornia, ku mund të fitojnë nga puna në plantacionet e lincencuara të kanabisit atje.

Nga Jovo Martinoviç

Igori ishte një student i shkëlqyeshëm i mjekësisë, i specializuar në obstetrikë. Edhe pse aftësitë e tij dukeshin të kërkuara në vendlindjen e tij në veri të Malit të Zi, ai nuk ia doli të siguronte një punë me orar të plotë në spitalin vendas. Ai e pati të pamundur, sepse politika e partisë në pushtet kërkonte që të hynin ose të mbanin vende të mira pune vetëm ata që mbështesnin partinë dhe bindnin familjen të votonte për të. Pra, Igori, ky nuk është i emri i tij i vërtetë, vendosi të fillojë një kapitull të ri dhe të niset për në Kaliforni, me ftesë të një miku nga Podgorica që jetonte tashmë atje. Ai do të punonte në mjekësi indirekt – si laborant në fermat e kanabisit mjekësor në qarkun e Humboldt-it.

Përdorimi mjekësor i mariuanës ka qenë i ligjshëm në shtetin e Kalifornisë që nga viti 1996. Kalifornia njeh edhe përdorimin personal po ashtu. «Kushëriri im kishte qenë edhe një herë tjetër atje. Për gjashtë muaj, pagoi kredinë e shtëpisë në Podgoricë dhe bleu një makinë të re», tha Igori. «Kam një hua bankare të konsiderueshme dhe nëse nuk mund të qëndroj atje [në Kaliforni] gjatë, do të doja të hapja një klinikë private në Podgoricë», shtoi Igori, duke marrë cigaren e fundit nga paketa. «Këtu kam arritur; nuk ka mbetur asgjë për mua në këtë vend», përfundoi ai, duke shtypur paketën bosh.

Igori është një nga një grup në rritje malazezësh, shumë prej të cilëve me profesion, të cilët nisen në të njëjtin destinacion amerikan pasi hasin vështirësi në jetën në atdhe. Pamundësia për të gjetur punë në atdhe nga njëra anë dhe joshja e pagave të larta ditore nga ana tjetër, kanë çuar në krijimin e një nofke të re për punëtorët emigrantë që kërkojnë punë në mirëmbajtjen e mariuanës – «trimmigrantë». Të jesh një «trimmigrant» malazez zakonisht nënkupton të krasitësh dhe të kujdesshëm për rrënjët e mariuanës për ta mbajtur atë të pastër. Asnjë prej të intervistuarve të CIN-CG/BIRN nuk pranoi të jepte emrin e vërtetë. Disa po përgatiteshin për udhëtimin e tyre të parë «përtej oqeanit», ndërsa të tjerët kishin qenë atje ose planifikonin të ktheheshin. Dëshira e tyre për anonimitet shpjegohet me rregullat e aplikimit të vizave nga SHBA-ja; ata aplikojnë për viza turistike ndërsa punojnë ilegalisht në fermat e licencuara të mariuanës.

Disa pretendojnë se arrijnë ta sigurojnë këtë punë nëpërmjet miqve dhe të afërmve atje. Të tjerë përmes ndërmjetësuesve nga Mali i Zi, disa prej të cilëve marrin komisione. Por trimmigrantët nuk e shohin si pengesë këtë pasi fitojnë deri në 900 dollarë në ditë. Malazezët e organizojnë dhe sigurojnë udhëtimin, pasi kanë marrë garancinë se i pret një vend pune në fushat e mariuanës. Shumë prej fermave zotërohen nga emigrantët bullgarë të zhvendosur në qarkun Humboldt masivisht gjatë dekadës së kaluar. Edhe kultivuesit amerikanë janë të përfshirë dhe favorizohen si në pagë «si amerikanë të vërtetë» krahasuar me bullgarët, sipas të intervistuarve.

Qarku Humboldt, destinacioni i trimmigrantëve, është një vend pak më i vogël se Mali i Zi dhe ka shtrirje në Paqësor. Tregu i mariuanës në Kaliforni vazhdon të rritet dhe pritet të arrijë vlerën 3.7 miliardë dollarë amerikanë këtë vit, ndërsa deri në 2019 mund të shkojë në 5 miliardë dollarë, sipas Business Insider. «Një tjetër shtysë për emigrantët e Europës Lindore, siç mund ta shihni, është popullsia me densitet të ulët e qarkut», thotë Kym Kemp, një gazetar vendas. Popullsia e qarkut është 150 mijë banorë, rreth 15 mijë prej të cilëve janë kultivues të mariuanës një raport një me dhjetë. «Nga ana tjetër, zbatimi i ligjit kryhet nga vetëm 100 sherifë dhe zëvendësit e tyre, ndaj gjuetia për punonjësit e paligjshëm nuk është… përparësia e tyre kryesore», shtoi Kemp.

Ndërmjetësues të mirë dhe jo edhe aq të mirë

Në kafehanet e Podgoricës mariuana kaliforniane është një temë e pashmangshme sidomos prej shumave të parave që kanë fituar të përfshirët në këtë industri. Sipas pritshmërive në Malin e Zi, këto janë të ardhura të mëdha dhe shumë prej kultivuesve i kanë postuar ose sjellë me vete shumat e mëdha. Paga mesatare në Malin e Zi është rreth 500 euro në muaj, ndaj mundësia për të fituar paratë e muajit në vetëm një apo dy ditë në Kaliforni është shumë tërheqëse për mjaft malazezë. Për këtë arsye, ndërmjetësit dhe agjentët kërkohen shumë, pasi bëjnë gati çdo gjë te fermat, që trimmigrantët ta kenë të sigurt punën para se të shkojnë në San Francisko. Kësaj vale i është shtuar dhe një video e hedhur në YouTube nga Milos Beli Paviçeviq nga Podgorica, ku ai freskohet prej të nxehtit veror me kartëmonedha 100-dollarëshe.

Tre të intervistuar nga BIRN e përmendin Paviçeviqin si një ndërmjetës të mirë për malazezët në lidhje me strehimin dhe vendet e punës në fermat e mariuanës. Thuhet se ai menaxhon edhe vetë një fermë. Megjithatë, përpjekjet tona për ta kontaktuar atë nuk morën një përgjigje. Një tjetër person, që njihet si ndërmjetëse është Snezhana Gjurishi nga Podgorica, partneri bullgar i të cilës është bashkëpronar i shumë fermave të kanabisit. Katër gra me të cilat folëm e përmendën emrin e saj; sipas tyre, qindra vajza dhe gra nga Podgorica kanë gjetur punë «me Snezhën». Ajo gjithashtu nuk pranoi të prononcohej. Të intervistuarit tanë e cilësuan atë si dikë që «pëlqen të komisionojë pagën e punëtorëve atje». Zdenka, e cila foli përmes Skype nga Amerika, tha se ajo kaloi dy muaj në SHBA duke u kujdesur për bimët e mariuanës «me Snezhën dhe bullgarët e saj». Ishte një punë që zgjaste pa e llogaritur, prej dëshirës për të fituar sa më shumë që të ishte e mundur. Nuk kishte asnjë shtrëngim nga ana e pronarëve. Krasitja bëhej vetëm nga gratë, ndërsa burrat kujdeseshin për rritjen dhe korrjen e bimës së kanabisit. Gratë strehoheshin veçmas nga burrave.

Zdenka e gjeti Snezhanën përmes një miku të përbashkët para se ta ndante mendjen për të shkuar në Amerikë. Duke na treguar një fotografi të shtëpisë ku qëndroi, bashkë me 50 gra të tjera nga Podgorica, ajo thotë se me kalimin e kohës e kuptoi se «Snezha» kishte kërkuar më shumë komision seç i takonte. «Bullgarët e saj paguanin 130 dollarë për 454 gramë mariuanë të krasitur nga të cilat Snezha merrte 50 dollarë si komision, ndonjëherë edhe më shumë. Mund të bëja rreth 3 herë këtë sasi në ditë dhe njihja gra që mund të bënin 4-fishin e punës, imagjinojeni sa para nxirrte ajo çdo ditë nga 50 gratë vetëm nga kjo shtëpi në foto».

Më vonë Zdenka zbuloi se, me një njohuri themelore të gjuhës angleze, ishte shumë e lehtë të gjente të njëjtën punë te «amerikanët e vërtetë» pa paguar ndonjë komision dhe pa ndërmjetës. «Duhet vetëm të shkosh në qendër dhe të kërkosh për punë në krasitje. Amerikanët gjithashtu sigurojnë ushqim dhe strehim, ndërsa ardhurat e mia neto arrijnë 450 deri në 500 dollarë në ditë», tha ajo. Zdenka ia doli të marrë leje qëndrimi në Amerikë, duke përjashtuar kështu çdo nevojë për t’u kthyer në Malin e Zi. «Shpresoj të fitoj 70 mijë dollarë para verës dhe pastaj do të shkoj në një shtet tjetër ku do të gjej një punë të rregullt dhe do të paguaj taksa si të gjithë të tjerët», tha ajo.

Samira, 36 vjeçe, na takoi në një kafehane të Podgoricës për të na treguar historinë e saj. Ajo ka punuar tashmë në fermat e mariuanës atje dhe pritet të shkojë për një raund tjetër. Si nënë e vetme e dy vajzave me një pagë që vonohet shpesh dhe shkon në 250 euro në muaj te një firmë vendase, ajo ndjeu se nuk kishte zgjidhje tjetër. Ia la fëmijët nënës së saj dhe u nis për në Kaliforni.

Ajo qëndroi vetëm një javë në plantacion që Snezhana Gjurishiq kishte sajuar për të. Atë e morën me makinë në qendër dhe e çuan në një në një fermë jo shumë larg qytetit, por u ankua se natën disa nga gratë malazeze dhe burrat bullgarë konsumonin alkool dhe drogë. Kështu përballej me fyerje dhe poshtërime. «Një mëngjes, pasi mbaruam punën e ditës dhe morëm paratë, një shoqe e imja dhe unë thjesht i kërkuam një vendasi të na çonte në qytetin më të afërt», tha ajo. Më pas ato gjetën punë te amerikanët, që sipas saj paguajnë më shumë dhe i trajtuan mirë. Kultivuesit i dhanë atyre strehim dhe më pas ato gjetën edhe shumë gra të tjera nga Podgorica, duke e braktisur Snezhanën dhe duke ardhur direkt nga aeroporti.

Samira arriti të fitonte deri në 900 dollarë në ditë duke pastruar 3 kilogramë mall me cilësi të lartë. Cilësia e mariuanës nuk ishte gjithmonë e mirë, megjithatë, gjë që ndikonte në paratë e fituara. «Kishte edhe ditë kur mund të bëja vetëm 150 dollarë në ditë, sepse malli ishte i cilësisë së ulët. Nuk kam ndonjë pendesë dhe pres të kthehem atje pas disa muajsh», tha ajo. Maja, 33 vjeçe, e cila tani jeton në Ilinois, na tha në Skype se kishte lënë tre fëmijët dhe prindërit e sëmurë në Mal të Zi, pasi nuk mund të sillte të ardhura për ta. Ajo shkoi për punë në Amerikë përmes një vize turistike dhe më pas e tejkaloi atë. Ajo ishte një prej atyre që nuk e braktisën Snezhanën, por në vend të kësaj kryen një revoltë një muaj pas mbërritjes.

Ajo thotë se shumë nga gratë më në fund e kuptuan se ishin paguar më pak krahasuar me punëtorët e tjerë në Trekëndëshin Emerald, siç quhet rajoni më i madh që prodhon kanabis në SHBA, i cili përbëhet nga Humboldt dhe dy konte të tjera. Maja thotë se gratë e kuptuan se pasi Snezha merrte komisionin e saj, atyre u mbeteshin 80 dollarë për gjysmë kilogrami, ndërsa kultivuesit e tjerë fitonin 120-150 dollarë. «U thamë bullgarëve: ose do të marrim sa gjithë të tjerët ose do të largohemi të gjitha. Në fund, ata pranuan; grupi ynë paguhej 125 dollarë për kile më pas,» tha Maja.

Ëndrrat e zhvendosjes përfundimtare

Michael Montgomery, gazetar dhe producent nga Kalifornia i Qendrës për Raportimi Investigativ dhe ekspert për Ballkanin, thotë se kalimi nga Mali i Zi në fermat e mariuanës në Kaliforni tregon se në çfarë është përfshirë Mali i Zi. «Ata kanë tërhequr shumë të rinj për të ndihmuar në mirëmbajtjen e mariuanës, si të ashtuquajtur trimmigrantë. Fakti që mjekët, avokatët dhe njerëzit e tjerë me profesione të larta nga të gjitha moshat po largohen nga Mali i Zi për të punuar si trimmigranë, tregon se si është bërë ekonomia e vendit», tha ai. Edhe pse slogani i Malit të Zi është «vendi lider rajonal në procesin e integrimit në BE», niveli i papunësisë e tejkaloi 22 për qind në fund të 2017, sipas Monstat, institutit të statistikave në vend.

Milani, 55 vjeç, nga Podgorica shkoi në Kaliforni në qershor 2017, për të parandaluar konfiskimin e shtëpisë dhe të tokës, që kishte lënë garanci për kredinë bankare në pamundësi pagese. Kompania që ai menaxhonte për vite falimentoi dhe ai nuk ishte në gjendje t’i shlyente borxhet. Shtëpia dhe pasuria që Milani shkoi për të shpëtuar ishin shtëpia e gjyshit të tij, të cilën ai e kishte fituar në fillim të shekullit të kaluar, pasi punoi si minator në minierat e Oregonit dhe Alaskës dhe më pas në Kaliforninë e veriut.

«Fushat e mariuanës janë bërë fushat e mia të arit. Nuk jam larg nga vendi ku dikur jetonte gjyshi im», tha ai. «Nuk kisha zgjedhje tjetër pasi isha buzë greminës, financiarisht dhe fizikisht. Në Mal të Zi e shpëtova shtëpinë nga bankat dhe familja ime është e sigurt. I jam mirënjohës Amerikës; nuk ka vend më madhështor në botë», tha ai.

Milani e tejkaloi vizën e tij turistike dhe vendosi të qëndrojë në Kaliforni derisa të shpëtojë nga borxhet në Malin e Zi. «Do të përpiqem të bëhem emigrant i ligjshëm në SHBA dhe më vonë të sjell tre fëmijët e mi. Mali i Zi është shkatërrim, nëse nuk ke lidhje me krimin e organizuar apo marrëdhënie me qeverinë», tha ai. Marrja e një vize në SHBA është pengesa kryesore e realizimit të shumë ëndrrave. Me të hyrë, emigrantët duhet të gjejnë një mënyrë për ta bërë qëndrimin e tyre të ligjshëm dhe të përhershëm. Për t’u kualifikuar për një vizë turistike, një person duhet të ketë një punë të rregullt, e cila konsiderohet si garanci për kthimin e tyre në shtëpi. Konsullata Amerikane në Mal të Zi zakonisht jep viza tre-vjeçare me shumë mundësi hyrjeje, ndërsa Agjencia e Sigurisë Amerikane i lejon vizitorët të qëndrojnë deri në gjashtë muaj pas hyrjes në vend.

Kjo i leverdis atyre që kërkojnë punë në fermat e marijuanës, pasi sezoni i rritjes dhe korrjes zgjat nga fundi i prillit dhe fillimi i majit deri në fund të tetorit, ndërsa puna në serra vazhdon gjithë vitin. Ivana, 30 vjeçe, punon si shitëse në Malin e Zi për 300 euro në muaj dhe është në ankth për kalimin e intervistës që do t’i sigurojë vizën në konsullatën amerikane. «Kam telefonuar Snezhën dhe e rregullova punën atje, por tani duhet të bind konsullin se dua të vizitoj Amerikën si një turiste me një pagë mujore prej 300 eurosh», tha ajo duke ngritur supet.

Ndërkohë, Zhelko, 29 vjeç, me profesion dentist e mori vizën pa problem, duke thënë se donte të vizitonte SHBA-në për kënaqësi. Ai synon të fitojë para të mjaftueshme për të hapur një klinikë private në Podgoricë. Ai do të udhëtojë me mikun e tij, një inxhinier elektrik i cili është lodhur së prituri për një punë të përhershme në agjencinë kombëtare rregullatore sepse «partia [qeverisëse] ende po vlerëson nëse ai përputhet me ideologjinë politike të saj». Një i intervistuar tjetër, ekonomist me profesion, e mori vizën sepse kishte një pozitë të mirë në një bankë, nga e cila mori pushime të papaguara për disa muaj. «Gruan e kam sëmurë dhe nuk mund të punojë. Vajza dhe burri i saj kohët e fundit kanë humbur vendin e punës dhe kanë një fëmijë të vogël në shtëpi», tha ai.

«Djali punon me kohë të pjesshme si sipërmarrës privat me paga të mjerueshme, ndërsa unë kam një kredi bankare për të shlyer për apartamentin. Do të përpiqem t’i sjell të gjithë në Amerikë sapo të vendosem atje», shtoi ai. Një hetues i lartë policie tashmë në pension, po pret për një vizë turistike, me shpresën se do të punojë në fushat e kanabisit; të njëjtës lëndë narkotike për të cilën ai dikur arrestonte njerëzit. «Qëllimi im është që të largoj familjen time nga këtu, që fëmijët e mi të kenë një të ardhme, si njerëz të lirë që guxojnë të flasin për mendimet e tyre», tha ai. (BIRN)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *