25 vjetori/Nikoll Lesi:Mirënjohje kujtdo që punoi në Gazetën “Koha Jone”

Nikoll Lesi

Si sot 25 vite me parë nisa një aventurë. Them aventurë, pasi e tillë ishte koha atëhere në maj 1991, kur nuk kisha as lekë, as diplomë gazetarie dhe nuk kishte ligj për media të pavarur. E nisa me një mik që sot është në një aktivitet tjetër, larg gazetarisë, dhe ecëm derisa u përballëm me shtetin. Nuk u tulatëm asnjëherë. Nuk kishim mbaruar për gazetari asnjëri, as unë e as Zef Shtjefni, i cili mu gjend përkrah në atë 11 maj 1991. Ishim të parët që guxuam. Donim të bënim diçka të veçantë nga gazetat e tjera të kohës. Më pas erdhi Aleksandër Frangaj, të cilin nga shok e bëra ortak në një aventurë që vazhdonte e nuk ndalonte, derisa së bashku ndërtuam një keshtjellë të fjalës së lirë, gazetën “Koha Jonë”.

Në atë “keshtjellë” trokitën dhe hynë dhjetra e dhjetra gazetarë, që donin të thonin fjalën e tyre duke e ditur se pushteti të fuste në burg, por e sfiduan dhunën, prangosjen, tritolin, rrahjet, përndjekjet dhe ofertat. Ata e ngritën “Koha Jone”, të gjithë sëbashku, nga pak e përditë në media të pavarur, në një institucion kombëtar ku thuhej vetëm e verteta, sepse aspironim një botë më të mirë, se donim të ishim të lirë në mendim e në veprim. Sepse donim një Shqipëri europiane. Ata, të gjithë, që punuan ndër këto 25 vite në gazetën e parë të lirë e të pavarur “Koha jone” meritojnë respekt, përulje për atë çka bënë, ndonëse edhe “Koha Jone” i rriti, i burrëroi, i bëri të njohur, pasi në të vertetë ne dhe “Koha jone” u rritëm njëkohësisht.

25 vite nuk janë shumë në dukje, porse kushdo e di se çfarë sakrificash të paimagjinueshme kemi provuar për këtë gazetë, e cila vrau frikën e kohës, solli e nxiti kurajon qytetare ndaj se keqes, tha të vertetën e cila fshihej skutave të pushtetit, atëhere mund të themi se është një 25 vjeçar historie që do mbetet gjatë në memorien e kombit.

Edhe njëherë mirënjohje sejcilit (ës) që punoi e kontribuoi në “Koha Jone”!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *