Një fragment nga kapitulli për të në librin “Parisi letrar”
Luan Rama
….. “Avenue Victor Hugo”
Kjo aveny në atë kohë quhej aveny Eylau dhe ata banonin në numrin 130. Pas vdekjes së Adelës, Viktori dhe Zhyljeta jetonin tashmë bashkë. Më së fundi mund të jetonin si burrë e grua: ai një kat mbi apartamentin e Zhylietës. Megjithatë darkat për miqtë, letrarët, artistët dhe politikanët shtroheshin gjithnjë në sallonin e saj. Ajo vigjëlonte mbi të, dashurinë e saj të përjetshme, mbi miqtë dhe botën që i rrethonte…
Më 1879, Viktori i ishte lutur Zhylietës që ta hipte në një ballon dhe të ngjiteshin sëbashku në qiell. Ai kërkonte të dehej me retë. Dhe ata u nisën. Në qiell, në një tjetër botë. Ndoshta ishte frymëzuar nga Zhyl Verni. Ndoshta… Sidoqoftë ajo skenë duhet të ketë qenë diçka e magjishme, ku shpirti puqet me qiellin dhe ngjizja është sublime.
Më 8 maj të vitit 1881, bashkia e Parisit vendosi që avenyja e tyre të quhej “Avenue Victor Hugo”. Në letrat që i drejtoheshin shkrimtarit, shkruhej «Merr Victor Hugo, Avenue Victor Hugo»… Madje dhe letrat e Zhylietës vinin në po këtë adresë. Më së fundi zonja Drue banonte në avenynë me emrin e të dashurit të saj.
Më 27 shkurt, një kortezh i pafund kalonte para dritareve të shkrimtarit duke thirrur: “Vive Victor Hugo!”, “Rroftë Republika!… Dritarja ishte e hapur dhe Viktori i përshëndeste! Jashtë kishte filluar të binte dëborë… Por tashmë Zhylieta ishte tepër e sëmurë. Ajo ishte dobësuar dhe ishte bërë si kufomë. Megjithatë pena e shkrimtarit i këndonte gjithnjë shpirtit të saj, gjer në prag të vdekjes:
”Kur të them qofsh e bekuar – është qielli!
Kur të them fli e qetë – është toka!
Kur të them të dua – jam unë!”…
Më 1 janar të vitit 1883, ata përkujtuan së bashku ditën e parë kur kishin vështruar njëri-tjetrin dhe ishin dashuruar. Viktori i zgjati një fotografi të përbashkët, ku pas saj kishte shkruar: “50 vjet dashuri – kjo është martesa më e bukur!” Më 11 janar, e shkatërruar nga kanceri, ajo vdiq pa e kërkuar Viktorin, pa dashur ta shqetësojë Viktorin që t’i shkonte pranë shtratit për t’i thënë një lamtumirë. Të nesërmen, ai nuk kishte më fuqi ta ndiqte karvanin funebër të saj, por e ndoqi vetëm nga dritarja. Që nga vdekja e saj ai nuk do të shkruante më. Vetëm kur ishte në pragun e vdekjes, ai do të shkruante vargjet e fundit: “Këtu është lufta e ditës dhe e natës!”… Pastaj ai thirri nipin dhe mbesën dhe u tha: “Të jeni të lumtur dhe të mendoni për mua!”… Fill pas kësaj, të afërmve ai u lexoi testamentin e tij: ”Dua që nga paratë e mia tu jepni dhe të varfërve!… Dua të më përcillni në banesën e fundit me karrocën e të varfërve! Nuk e dua përshpirtjen e kishave. Kërkoj veçse një lutje nga të gjitha shpirtrat… Besoj te Zoti!”…
I dërmuar nga sëmundja e rëndë, tashmë ai nuk arrinte as të fliste. Komunikimi fundit me botën e të gjallëve bëhej përmes xhesteve. Në 22 maj të vitit 1885, kur Hygoi vdiq, gjithë Parisi ra në zi. Arkivolin e vunë nën Harkun e Triumfit, dhe pastaj, duke përshkuar Champs-Elysées, një milion banorë e përcollën gjer në portën e Panteonit. Në dyert e mbyllura të dyqaneve shkruhej: ”Mbyllur për zi kombëtare!” Kambanat e katedrales Notre-Dame si dhe ato të Madeleine, Saint-George apo Saint-Sulpice, binin me vaj.
Që nga ajo ditë, eshtrat e Hygosë janë atje, në Panteonin e lavdisë. Por lavdia më e madhe e tij janë padyshim veprat, shkrimet e tij, apeli i tij i lirisë dhe i qytetërimit. “Thirrja” e tij për “Shtetet e Bashkuara të Evropës”, kjo thirrje profetike, që do të realizohej një shekull e gjysmë më vonë.
Hygo kishte një ëndërr të madhe. Po, ai krijoi një vepër titanësh!… Një vepër, gjurmët e së cilës gjenden ngado. Jo shumë kohë më parë, një prift shqiptar që mbajti meshë në katedralen “Notre-Dame” dhe që më fliste me entusiazëm për veprat e Hygoit dhe mrekullinë e këtij qyteti, nuk e dinte se pikërisht ajo katedrale ku ai mbajti meshë, në vitet e Komunës së Parisit ishte bastisur, ishte plaçkitur e shkatërruar dhe vite më pas, e lënë pas dore, ishte kthyer në një gërmadhë vajtuese. Ishte pikërisht Viktor Hygo ai që ngriti zërin e tij të fuqishëm për ta shpëtuar këtë kryevepër të artit mesjetar. Kësaj katedraleje ai i kushtoi një përkushtim të veçantë dhe në ethet e betejës së tij për ta shpëtuar monumentin e kulturës franceze, ai shkroi romanin e famshëm të tij, të njohur nga të gjithë ne, Shën Mëria e Parisit… Notre-Dame de Paris!
Dhe një poezi nga libri im poetik “Territoret e shpirtit”
Ish të dashurat përcjellin Hugo-in në Pantheon
”Hugo vdiq!” – lajmëruan kambanat e rënda të katedrales “Notre-Dame”,
ndërkohë që trupi i tij nisej nga “Harku i Triumfit”
me kuajt përpara veshur në zi,
populli i heshtur shkonte pas poetit
ta çonte në strehën e “Pantheon”-it,
në tempullin e kurajos e të lavdisë,
dy milonë këmbë rëndonin mbi trupin e drithëruar të Parisit,
një milion zemra e ndiqnin atë në rradhë,
nga turma njerëzit tundin kapelet, dhembjet, shamitë,
mes tyre dhe të dashurat e tij të dikurshme,
Louise, Leone, Blanche, Isabelle,
ndërkohë qe e dashura e tij e përjetshme Juliette
ajo që e ndoqi në mërgim, gjer në Hauteville House,
kishte vite që kishte vdekur…
«Victor-i im!» pëshpëriste në lotë e bukura Esther,
– letrat e tua që digjnin, i ruaj ende,
letrat që shkrove për gjinjtë e mi të bardhë,
ti thoje se kishin erë jargavani,
ndërsa unë si e çmendur ngjeshja buzët mbi gjoksin tënd,
mbi duar, qafën dhe sytë e ty”,
“Ja tek shkon heroi i Francës”, thoshte populli
“Lavdia dhe britma jonë”, thonin këmbëzbathurit,
dashuria jonë e madhe shtonin ish të dashurat,
Ginette vraponte të shihte kortezhin për herë të fundit
Charlotte pëshpëriste ende nën zë
“Victor, i ëmbli im”,
Eleonore qëndronte pa folur si statujë,
«Ti më mësove të dua», pëshpëriti më së fundi ajo,
thuamë dhe njëherë si dikur,
«që jam jeta e jetës tënde»,
thuamë, folmë ëngjëlli im i kuq,
pëllumbi im i bardhë,
«Poeti im bujar po shkon symbyllur…» përshendeste Henrietta
e hirtë dhe e thinjur akoma më shumë për të dashurin e saj,
«Ti më shpëtove nga zija dhe dëshpërimi,
më hape dritaren e madhe të shoh botën,
më dhe kurajon të shkoj në rrugën që ngjitet”
“ndiq diellin” më the, “ndiq dritën”
«S’ka gjë, le të t’i vrasë sytë »…
Dy milionë këmbë shkonin mbi trupin e vrarë të Parisit
që dergjej si gjinjtë e një gruaje të ve,
një milion zemra e ndiqnin nga pas,
të rënda dhe të trishta zemrat e të dashurave
që ende i këndonin nën zë dashurisë së tij:
“Le të jenë dehjet e puthjet tona shtrati yt i fundmë
që vdekja të mos mundë të rrëmbejë”…