Për Tiranën, 2018 do të jetë viti i revolucionit të gjelbër. Krahas realizimit të një sërë projektesh të rëndësishme, në përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimit ndaj qytetarëve, Bashkia e Tiranës po i kushton një vëmendje të veçantë shtimit të gjelbërimit në kryeqytet, për një mjedis më të shëndetshëm për qytetarët. Në konferencën e mbajtur sot mbi Financimin e Shërbimeve Mjedisore në Nivel Vendor, pas Ndarjes Administrativo-Territoriale, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se Tirana do të rrethohet nga një ‘mur’ i gjelbër, si projekti i Pyllit Orbital, ndërsa shtoi se paja më e mirë që ky brez do i lërë gjeneratës së ardhshme janë pemët e reja që po mbillen kudo në kryeqytet.
“Ne nuk besojmë te muret, por te zgjidhjet afatgjata, kjo është arsyeja që i vetmi ‘mur’ për të cilin jemi duke punuar në Tiranë, është Pylli Orbital. Duam të rrethojmë Tiranën me një unazë të gjelbër, e cila shërben për të ndarë zonën rurale nga zona urbane, dhe për të kufizuar urbanizimin e qytetit. Për sa kohë që jemi një qytet, i cili nuk mund të përballojë një metro, duke qenë se 1 km kushton 300 milionë euro, pra 3 buxhete vjetore të Bashkisë së Tiranës për 1 km metro. Pra, për sa kohë që ky është jorgani, do t’i shtrijmë këmbët sa kemi jorganin”, deklaroi kreu i Bashkisë.
Ai bëri të ditur gjithashtu, se në kuadër të këtij projekti të madh gjelbërimi, vetëm për këtë stinë mbjelljesh deri më tani në kryeqytet janë mbjellë 82 mijë pemë, ndërkohë që shumë shpejt do të realizohet mbjellja edhe e 18 mijë pemëve, për të kapur rekordin e 100 mijë pemëve të reja. “Ne kemi një matës tek aprtirana.al, që mat dhe numëron çdo pemë që kemi mbjellë. Sot ishte mbi 82 mijë, kështu që kemi edhe rreth 18 mijë pemë deri në datë 21 mars. Kërkesa ime është që secili prej jush të na bashkohet të mbjellë pemën e vet, për familjen, për të dashurin, për fëmijët apo për çdo lloj sebepi tjetër deri në datën 21 mars”, tha ai.
Kryebashkiaku tha se 60% e investimit për mbjelljen e pemëve të reja vjen nga privati, çka tregon edhe mbështetjen për këtë nismë. “Vetëm 40% të asaj që ju shikoni që po mbillet në Tiranë në gjurmën e Pyllit Orbital, apo në parqet e qytetit, është e bashkisë, kurse 60% vjen nga kompani, institucione të ndryshme e qytetarë të thjeshtë. Çdo pallat me administratorin e vet mbjell 5 pemë poshtë pallatit. Unë besoj se garancia për ta ruajtur këtë investim është fakti që shumica e investimit është bërë nga vetë qytetarët”, tha ai.
Krahas shtimit të gjelbërimit në kryeqytet, Bashkia e Tiranës po stimulon zgjidhje dhe teknologji të gjelbra, si me taksitë apo edhe me autobusët elektrikë, që janë testuar me sukses në rrugët e kryeqytetit. Veliaj deklaroi se Tirana do të inkurajojë transportin e pastër dhe theksoi se në mbledhjen më të afërt të Këshillit Bashkiak do të paraqitet propozim për linjën e parë të autobusëve elektrikë. “Kemi përgatitur një propozim për Këshillin Bashkiak për linjën e parë të autobusëve elektrikë. Do të miratojmë një linjë të re dhe do t’ju themi: “Kush sjell autobusë elektrikë, e merr menjëherë linjën”. Duke incentivuar, jo vetëm me shkurtim burokracie, që e kanë le të themi mjetet me diesel, por edhe duke vënë disa incentiva të tjera që nesër mund të përkthehen në më pak tvsh, më pak doganë, apo çmime të reduktuara të atyre që furnizojnë mjetet e transportit me energji elektrike”, nënvizoi Veliaj.
Gjithashtu, të gjithë ata që sjellin në kryeqytet taksi elektrike, pajisen me licencë brenda 24 orëve. “Një nga gjërat që po bëjmë në Tiranë është inkurajimi i një transporti shumë herë më të dobishëm dhe të pastër. Sot kemi 3 kompani taksish që janë 100 për qind elektrike dhe karikohen nga rrjeti i OSHEE-së. Sot në Bashkinë e Tiranës, nëse një prej jush vjen dhe kërkon licencë për taksi 100% elektrike, e merr licencën për 24 orë. Pse po e bëjmë këtë? Për të inkurajuar dikë që do të futet në treg me një transport më të pastër”, deklaroi ai.
Veliaj u ndal edhe tek ambicia e Bashkisë së Tiranës për krijimin e një rrjeti sa më të madh të korsive të dedikuara për biçikletat, ndërkohë që muajin e ardhshëm rrugët e kryeqytetit pritet që të mbushen nga 4 mijë biçikleta të reja, të cilat do të mund të përdoren nga qytetarët. “Ne sapo kemi filluar një proces hiperaktiv të korsive të reja të biçikletave në Tiranë, për ta kthyer të gjithë qendrën me një rrjet minimal të biçikletave. Ideja jonë është që në vitin 2018 të bëjmë një transformim, fillimisht me korsi ultramoderne. Muajin tjetër do të sjellim 4 mijë biçikleta në Tiranë. Kosto e një biçiklete për përdorim do të jetë 30 lekë, pra më pak se një biletë autobusi. Duam që autobusi të jetë më tërheqës se makina dhe biçikleta më tërheqëse se autobusi”, tha ai.
Ndërkohë, Bashkia e Tiranës së bashku me BERZH-in po hartojnë Green City Action Plan, një plan të zbatueshëm dhe të financueshëm veprimi për zhvillimin e qëndrueshëm të Tiranës. Veliaj deklaroi se Tirana është shumë herë më e pastër se sa tre vite më parë, ndërsa theksoi se në kryeqytet pastrimi bëhet e herë në ditë.