Nga Kliti Kallamata
Që nga viti 2004 Parlamenti Shqiptar ka vendosur me ligj datën 14 Mars si “Ditën e Verës” në Shqipëri. Kjo ditë është ditë pushimi zyrtar dhe festohet me të madhe në Elbasan. Nuk kam asnjë kundërshtim me festimet në Elbasan, por vetëm se nuk mund ta pranoj pse “Dita e Verës” në Shqipëri duhet të festohet në 14 Mars. Ku e ka bazuar Parlamenti Shqiptar këtë vendim? A është kryer ndonjë studim historik nga Akademia e Shkencave, Instituti i Historisë, apo ndonjë institucion tjetër shkencor para se të merrej ky vendim për këtë datë?
Në se mundohesh të gjesh përgjigje në internet, kudo ku të klikosh nuk gjen ndonjë shpjegim bindës për tiu përgjigjur këtyre pyetjeve. Në se klikon në Wikipedia në versionin shqip gjen një shkrim të dobët e aspak shkencor në të cilin, mes shumë frazave të panevojëshme, thuhet:
“Dita e Verës është një festë me origjinë të lashtë. Festimi kryhet në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë në këtë datë. Tashmë kjo festë është bërë edhe ditë kombëtare pushimi. Shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i ballokumeve.”
Pra, megjithëse shkruesi, apo shkruesja e këtij artikulli nuk na sjell asnjë argument apo justifikim na thuhet se data 14 Mars është pranuar në Shqipëri si dita e fillimit të verës. Por tjetër është të pranosh që Dita e Verës ka origjinë të lashtë, për të cilën të gjithë biem dakort dhe tjetër është që festimin e saj në 14 Mars ta quash traditë të popullit shqiptar.
Në një postim timin në datën 1 Mars jam munduar të shpjegoj origjinën e Ditës së Verës dhe se si festimi në datën 1 Mars është një traditë shumë e lashtë e popullit shqiptar, para Krishterimit dhe para Romake. Por le të shohim sa e “lashtë” dhe sa “tradicionale” për popullin shqiptar janë festimet e datës 14 Mars dhe a kanë lidhje ato me Ditën e Verës.
Qysh në Periudhën Romake, në vitin 46 p.K., kur Perandori Julius Cesar prezantoi Kalendarin Julian, si një kalendar diellor me një vit prej 12 muajsh dhe 365 ditë, e që hyri në fuqi në në vitin 45 p.K. e më pas në 24 Shkurt 1582, kur Papa Gregori XIII, e përmirësoi atë me një kalendar të ri, i cili më vonë mori emrin e tij si Kalendari Gregorian, dhe deri në ditët e sotme viti kalendarik në të gjitha vendet e Europës ka filluar e fillon në 1 Janar. Pra kjo festë e ndërrimit të viteve për më se dy mijë vjet përcaktohet në këtë datë. Ekuinoksi pranveror në Kalendarin Julian përcaktohej në 25 Mars, ndërsa Papa Gregori XIII me anë të një dekreti papal (“Inter gravissimas”) që zëvendësonte Kalendarin Julian me kalendarin e ri, duke dashur të korigjonte me saktësi festimin e Pashkëve, të cilat vareshin nga ekuinoksi Pranveror, e përcaktoi atë në datat 19 dhe 21 Mars.
Gjatë gjithë Periudhës së Mesjetës e deri sot në të gjitha vendet e Europës Perëndimore Kalendari Gregorian, si kalendar diellor me 365 ditë në vit dhe që konsideron si fillim të vitit të ri kalendarik 1 Janarin, është pranuar si kalendari civil. Madje ky kalendar tashmë është pranuar thuajse nga të gjithë popujt e këtij planeti.
Disa vende katholike në Europë kanë bërë përpjekje që kalendarëve tu jepnin karakter fetar si p.sh. vitin e tyre kalendarik ta fillonin më 25 Dhjetor (ditën e Lindjes së Krishtit). Disa të tjera u përpoqën ta vendosnin në 25 Mars (ditën e Mishërimit të Krishtit), apo edhe ditën e Pashkëve, sikurse ka ndodhur në Francë. Por asnjë prej këtyre motivimeve fetare nuk ka pasur sukses dhe këto vende shumë shpejt i janë bashkuar Kalendarit Gregorian që bazohet në shkencën e astronomisë dhe lëvizjen e planetëve në sistemin tonë diellor.
U deshën disa qindra vjet që Kalendari Gregorian të pranohej edhe në vendet e ritit Lindor Orthodoks. Shqipëria e pranoi zyrtarisht Kalendarin Gregorian në vitin 1912. I fundit vend europian që pranoi kalendarin Gregorian ishte Greqia në 1923. Për më shumë se dhjetë shekuj në Perandorinë Bizantine viti i ri kalendarik fillonte në 1 Shtator, me të cilën datë fillonte edhe viti Liturgjik, ndërsa vitet numëroheshin qysh prej Krijimit të Botës.
Mbas rënies së perandorisë Bizantine, kur Perandoria Otomane pushtoi vendin tonë, në shtetin Islamik të saj ishte në përdorim Kalendari Islam, një kalendar fetar, me bazë hënore, sipas të cilit ditët numëroheshin brënda çdo cikli të fazës hënore. Muaji i parë i Kalendarit Islamik ishte “Muharrami” (muaji i dytë pas Ramazanit), i cili nuk ishte i qendrueshëm, por lëvizte nga viti në vit në bazë të cikleve hënore, ndërsa numërimi i viteve fillonte me vitin 622 pas Krishtit, kur Muhameti dhe ndjekësit e tij emigruan nga Meka në Medinë.
Pra, historikisht, qysh nga Antikiteti e deri në shekujt e parë të sundimit Otoman në traditën e popullit shqiptar nuk ka figuruar asnjë festë e ekuinoksit Pranveror, apo e ndërrimit të viteve në datën 14 Mars. Por si hyri 14 Marsi si “ditë e shënuar” në jetën e shqiptarëve?
Historia e kësaj date fillon në vitin 1740 kur Sulltan Mahmudi I, i cili sapo kishte hipur në fron, me propozim të Kreut të Thesarit (Baş Defterdar) Atif Efendi, vendosi që në vend të muajit “Muharram” si muaj i parë i vitit kalendarik të shpallej muaji “Mars” i kalendarit Julian. Ky vendim u bë thjesht dhe vetëm për arsye financiare për të korigjuar të dhënat fiskale për pagesën e taksave dhe marrëdhëniet me zyrtarët e qeverisë. Këtë propozim, për të futur në veprim një kalendar të veçantë të bazuar në Kalendarin Julian, ia kish bërë më se gjysëm shekulli më parë (1677) Sulltanit Mehmed IV një tjetër Bash Defterdar, i quajtur Hasan Pasha, i cili kish vënë re se çdo 33 vjet atyre u shpetonte një vit fiskal, që vinte si rezultat i diferencës midis kalendarit hënor Islamik dhe atij diellor Julian.
Megjithatë kaloi edhe një shekull tjetër kur më 13 Mars 1840 Sulltan Abdylmexhid I, në kuadër të reformave të Tanzimatit, miratoi Kalendarin Julian (i cili që nga viti 1677 në zyrat e Thesarit të Perandorisë Otomane ishte përdorur vetëm për çështjet fiskale dhe financiare) si kalendar zyrtar edhe për të gjitha çështjet civile. Ai u quajt me emrin “Rumi Takvim” që fjalë për fjalë do të thotë “Kalendari Roman” (Romë quheshin të gjithë banorët e krishterë në Perandorinë Otomane). Ndryshe nga Kalendari Islam me bazë hënore, ky ishte një kalendar i bazuar tek dielli, që caktonte një ditë për çdo ditë diellore, ndërsa për numërimin e viteve si fillesë u ruajt po e njëjta ngjarje që shënonte edhe fillimin e kalendarin Islamik, pra viti 622 pas Krishtit, kur Muhameti dhe ndjekësit e tij emigruan nga Meka në Medinë. Me këtë rast u përdorën muajt dhe ditët e Kalendarit Julian, ndërsa viti i ri kalendarik u vendos të fillonte të nesërmen e marrjes së vendimit, më 14 Mars. Pra kjo ishte dita që në kujtesën popullore hyri si “Viti i Ri – allaturka”.
Në Perandorinë Otomane, krahas “Kalendarit Roman” mbeti në përdorim edhe Kalendari Hixhri me bazë hënore, por ky vetëm për çështjet fetare. Në më të shumtën e dokumenteve të kësaj periudhe të dy kalendarët i gjejmë të përdorur, me sa duket për të parandaluar konfuzionin mes datave. Një ndër to ishte edhe Dita e Verës, ose dita e ekuinoksit Pranveror, e quajtur Novruz dhe me origjinë qysh në Persinë e lashtë, e cila festohej rreth datës 22 Mars. Ashtu siç e thotë edhe vetë emri i saj me prejardhje nga kultura iraniane, “Ditë e Re” (Proto Indo Europiane: “neuos” = e re, “ruz” = ditë) kjo festohej duke dhënë dhurata dhe duke recituar poezitë mjaft të njohura si Nevruzije.
“Rumi Takvim” mbeti në përdorim edhe pas shpërbërjes të Perandorisë Otomane, në vitet që pasuan me Republikën e Turqisë deri në vitin 1926. Përdorimi i epokës “Pas Hixhrit” u braktis si pjesë e reformave të Qemal Ataturkut me një akt në 26 dhjetor 1925 dhe u zëvendësua nga epoka e përbashkët duke filluar që nga viti 1926.
Përfundimisht, data 14 Mars e përcaktuar në Shqipëri si Dita e Verës nuk ka aspak “origjinë të lashtë pagane” dhe nuk është aspak “tradicionale”. Ajo nuk ka asnjë lidhje me kalendarët Julian, apo Gregorian dhe as me ekuinokset pranverorë të përcaktuar prej tyre. Madje ajo nuk ka lidhje as me ekuinoksin pranveror të Kalendarit Islamik dhe atij Iranian. Shkurt data 14 Mars nuk ka të bëjë aspak me “Ditën e Verës” dhe aq më pak me “traditën e popullit shqiptar”. Kjo është një datë që mbart në vetvehte një rastësi historike të rëndomtë e tepër të shpëlarë për tu festuar, qëllimi i të cilës ishte adoptimi i një kalendari vjetor mjaft vonë, 19 shekuj mbasi ai ishte krijuar dhe të cilin Europa Perëndimore kish dy shekuj e gjysëm që e kishte nxjerrë jashtë funksionit, duke e përmirësuar me një tjetër. Data 14 Mars është një datë që popullit shqiptar iu imponua si datë e fillimit të vitit kalendarik rreth 170 vjet më parë nga pushtuesi i tij. Ky imponim ka pasur si motiv vetëm interesat e sistemit fiskal të administratës së këtij pushtuesi dhe aspak interesat civile, apo ato të “natyrës së bukur”, “ringjalljes”, “ripërtëritjes”, “ndryshimit të stinëve”, etj. Edhe vetë Turqia ka kohë që nuk e feston më këtë datë, sepse qysh prej 1 Janarit të vitit 1927 ka pranuar si kalendar të jetës civile Kalendarin Gregorian. Pra edhe aty nuk ekziston më “Viti i Ri allaturka”.
Po ne pse vazhdojmë ende të festojmë ditën e ndërrimit të viteve sipas kalendarit të Sulltan Abdylmexhitit? Me apo pa qëllim kjo festë është kamufluar duke i ndërruar vetëm emrin nga “Viti i Ri allaturka” në “Ditën e Verës” Kjo tregon se sa padije ekziston ende në strukturat shtetërore të këtij vendi dhe sa prapambetje ka në të kuptuarit e asaj që quhet traditë. Në këtë kontekst pyetja shtrohet: a duhet të vazhdojë të festohet data 14 Mars si “Dita e Verës” në Shqipëri? Sigurisht që jo. Tradita e lashtë e popullit shqiptar tregon se që në kohërat para Krishterimit, ato para Romake dhe ndoshta pellazge “Dita e Verës” si dita e ringjalljes, ripërtëritjes dhe fillimit të një stine të re festohej në 1 Mars. Në se ka njerëz që duan të festojnë ekuinoiksin pranveror atëhere mund të festojnë në 21 Mars, ndoshta dhe Novruz-in në 22 Mars. Por në asnjë rast nuk rezulton që festimi në 14 Mars të ketë lidhje Ditën e Verës dhe për më tepër me traditën e popullit shqiptar. 14 Marsi është thjesht dita e parë e vitit të ri të kalendarit të Sulltan Abdylmexhitit, ose siç quhej dikur (se ka gati një shekull që nuk ekziston më) “Viti i Ri allaturka”. Parlamenti i Shqipërisë duhet ta rishqyrtojë sa më parë dhe më me seriozitet përcaktimin e kësaj dite dhe të ndryshojë datën e festimit të Ditës së Verës.