“FBI do të publikojë prova të reja për rrjetin e pedofilisë që ka lidhje me Hillary Clinton”, ishte kjo tema kryesore e një shkrimi në uebsitin Bients.com dhe ThePredicted.com.
Duke cituar një dokument të fabrikuar të FBI-së, shkrimi implikonte ish-kandidaten demokrate për presidente të Amerikës me një krim shumë të rëndë. Pavarësisht se lajmi nuk kishte asnjë fakt a provë, ai u klikua dhjetëra mijëra herë dhe mori mijëra like në rrjetin social “Facebook”.
Në të njëjtën kohë, një student në Kosovë pa se si një shumë parash u hodh në llogarinë e tij për reklamet nga “Google AdSense”. Të dy faqet që shpërndanë lajmin, ishin në pronësinë e një të riu nga Gjilani, që u pagua qindra euro në ditë për reklama.
Taktika ishte shumë e thjeshtë, sa më shumë klikime në ditë, aq më shumë para nga reklamat. Për të njëjtën arsye, u regjistruan 11 portale në Shqipëri, duke shpërndarë lajme të sajuara për të tërhequr sa më shumë klikime.
Pronari është Hysen Alimi, një i ri nga Kosova që ka studiuar ‘Menaxhim dhe Informatikë’ në Universitetin e Gjilanit.
Pavarësisht faktit që ai ndodhet 8.000 km larg Shteteve të Bashkuara dhe ka një zotërim të dobët të anglishtes, kjo nuk ishte pengese për të qenë administrator në të paktën njëmbëdhjetë portale të fokusuar në politikën amerikane.
Hyseni është pronari i portaleve me emra amerikanë, si Bients.com, ThePredicted.com, PoliticsBreaking.com dhe BernieMyHero.com. Këto faqe uebi janë regjistruar të gjitha në Shqipëri.
Faqjet shpërndanin kryesisht lajmet pro-Bernie Sanders duke targetuar persona të zhgënjyer nga Hillary Clinton.
Senatori Sanders ishte kundërshtari kryesor i ish-Sekretares se Shtetit Hillary Clinton. Baza elekorale e Sanders ishin kryesisht votues të rinj dhe studentë, të cilët përdorën rrjetin social “Facebook” si një mjet të rëndësishëm për të organizuar fushatën dhe një mjet për t’u informuar për lajmet e fundit mbi skenën politike në Amerikë.
Për Hysenin, kjo ishte një mundesi e artë për të krijuar një ‘fan page’ për senatorin Sanders, në tentativë për të tërhequr sa me shumë militantë në faqet e tij. Dhe jo pa sukses. Faqja u krijua në mars të vitit 2016 dhe ndiqet sot nga 86.000 persona në rrjetin social Facebook. Në këtë faqe, përveç fotove të senatorit Bernie Sanders, shpërndahen dhe lajme të rreme apo ‘fake news’ nga Hysen Alimi.
Gazetari amerikan John Mattes, i cili ka investiguar çështjen e lajmeve ‘fake’ dhe impaktin e lajmeve të sajuara në zgjedhjet amerikane, tha për “Gazetën Shqiptare” se “është e çuditshme që një njeri pa njohuri në politikën amerikanë krijon disa faqe për të mbuluar këtë temë”.
Mattes, po ashtu thotë që Hyseni ishte një person i rëndësishëm në ‘rrjetin’ që shpërndante lajme të trilluara për militantët e Bernie Sanders, pasi ai administronte një nga faqet me të mëdha në “Facebook” të fansave të tij./ Vincent TRIEST / GSH