Muzeu Historik Kombëtar organizoi sot, aktivitetin: “Dita e Verës në trojet shqiptare”. Dita e Verës tashmë është kthyer në festë tradicionale, e cila, sipas kalendarit Julian festohet në 1 Mars, ndërsa sipas kalendarit Gregorian festohet më 14 Mars. Pranvera, në kohët e lashta njihej ndryshe si fillimi i mbretërimit të diellit dhe zjarrit. Ajo festohej si periudha më e rëndësishme e shpërthimit të natyrës. Gjatë kësaj dite kryhen rite kryesisht me origjinë pagane të cilat kishin kuptimin e ripërtëritjes së natyrës. Në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, bëri një panoramë të përgjithshme mbi Ditën e Verës, mbi rëndësinë e saj, duke cituar edhe Faik Konicën, i cili për ditën e verës, më 1911 shkruan: Ç’është Dita e Verës? Është dita në të cilën shtërgjyshërit t’anë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtojin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve. Kur çkrin dimëri, kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Botiçelit, zemra e njeriut çgarkohet nga një barë, shijon një qetësi, një lumtësi t’ëmblë”. Rreth temës “Shpjegimi historik i Ditës së Verës” referoi Dr. Skënder Bushi, kurator pranë Sektorit të Menaxhimit të Koleksioneve, ku u ndal tek shpjegimi i origjinës mitologjike dhe historike të kësaj dite, se sa tek ritet e tanishme që kryhen për festimet e saj, që janë të njohura pothuajse nga të gjithë.
“Origjina e kësaj feste është lidhur me Misteret Eleusine, festë me origjinë fetare që festohej në qytetin e Eleusës, jashtë Athinës në nder të hyjneshës Demetër dhe vajzës së saj Persefonës. Ritet më të rëndësishme të Eleusinës në Atikë duket se lidhen me stadet e vitit bujqësor. Për më tepër këto festivale duket se kanë lidhje me një pjesë të Himneve Homerike, veçanërisht kur Eleusa u përfshi në Atikë, e cila përbën sitin kryesor ku përqendrohet narrativa e këtyre himneve, ku Himni 2, përkatësisht, flet për rrëmbimin e Persefonës nga Hadi, perëndia i nëntokës. Sipas mitologjisë, Demetra, perëndeshë e pjellorisë dhe e bujqësisë, e cila para kësaj ngjarjeje, u dhuronte njerëzve kultura të ndryshme bujqësore në sasi të bollshme, reagoi ne mënyre të dëshpëruar ndaj rrëmbimit të vajzës së saj, duke shkaktuar një dimër të ashpër e të gjatë, që dukej sikur nuk do të përfundonte kurrë.
Të ndodhur në këtë situatë, u desh ndërhyrja e Zeusit, i cili në bazë të marrëveshjes me Hadin, mundësoi që Persefona të qëndronte e vetme në botën tjetër për një numër muajsh, të barabartë me numrin e farërave/frutave të konsumuara nga ajo, ndërsa pjesën tjetër të vitit do ta kalonte me nënën e saj. Pra, Persefona do të kalonte 6 muaj në nëntokë me burrin e saj Hadin, dhe pjesën tjetër të vitit me nënën e saj. Demetra, në shenje mirënjohje e përshëndeti kthimin e Persefonës në tokë, duke ringjallur natyrën në pranverë dhe në verë”.