Nga Jonida Hitoveizi
Muzikë maestro, muzikë! Këtë jam duke menduar, perceptuar dhe ndjerë teksa po shoh përmes ekranit koncertin e Alban Skënderaj në Top Channel. Mund të them që kisha kohë, pa u ndjerë kaq mirë duke dëgjuar një artist shqiptar duke kënduar përreth dy orë.
Alban Skënderaj, djali që prej dhjetë vitesh ka mundur të mbijetojë zgjuarsisht në tregun e rrëmujshëm shqiptar. Në tregun tonë, ku nuk ka më respekt për kompozitorët, sepse muzika bëhet fare lehtë në kompjuter dhe me ca “bite” të vjedhura andej-këndej.
Albani ka mbijetuar edhe pse në festivalet tona apo koncertet ku derdhet leku si lumë, është tanimë e papranueshme të këndohet live, moda e do me playback. Ky djalë ia doli të jetë i pëlqyer pa ia gjymtuar trupin fjalëve shqip, pa i ngrënë, pa i miksuar me përbërës nga gjuhët e huaja.
Skënderaj i qëndroi besnik muzikës së shpirtit dhe jo asaj që bëhet enkas për tu shitur për një stinë, e ndoshta kjo është arsyeja pse zëri e tingujt e muzikës së tij sot, janë një simfoni e ëmbël për tampanët e veshëve tanë, të cilët duket sikur do të çahen nga ca mishmashe tingujsh e fjalësh të dhunshme.
Sigurisht ka qenë e vështirë, që një djalë si Albani, i cili erdhi në skenën tonë 10 vite më parë në Top Fest me këngën “Vetëm ty” të mbetej “gjallë” në treg. Këngëtari, i cili nuk është se interesohej shumë të mbante “miqësi” me gazetarët për ndonjë skup apo ndonjë kopertinë. Alban Skënderaj, i cili nuk ka tentuar të na i shesë këngët e tij, me femra të zhveshura vulgarisht nga çdo gjë femërore.
E kam marrë disa herë intervistë dhe ka qenë të them… e vështirë. Të përgjigjej vetëm për këngën dhe u dredhonte gjithnjë pyetjeve për jetën private sa ta bënte të vështirë një titull nga ata “bombë” që preferohen ende. Për atë me Miriamin, së cilës sot thuajse i dedikoi çdo tingull. E kemi diskutuar shpesh me kolegët, kur ka qëlluar biseda; që t’ia veshim Miriamit menaxhimin e mirë artistik të Albanit. Sigurisht këto janë ato bisedat e zakonshme që bëhen mes gazetarëve, e me siguri ndikimi i Miriamit( artiste e formuar në Gjermani) e ka mbajtur Albanin në linjën që nisi me këngën e bukur “Vetëm ty”. Gjithsesi, kjo ka pak rëndësi sa kohë sot mund ta shijojmë zërin, teksin dhe muzikën e tij. Është një muzikë që hyn nga dyert e shpirtit dhe kjo muzikë nuk ka nevojë për asnjë nga pajisjet e modës, të cilat çalojnë sa herë janë arna e imitime. Ndoshta nuk është muzika që të duket e bukur pas disa gotave në ndonjë lokal e ta hedh trupin përjetë, por është të paktën ajo muzikë, që kur i rikthehesh edhe pas disa vitesh e shijon në çdo tingull. Dhe këtë Albani na i vërtetoi sot! Me koncertin, i cili na kujtoi edhe njëherë nevojën e muzikës së mirë, shija e së cilës nuk njeh stinë.