Nga Entela Hoxha
Prej ditësh, Teatri Kombëtar ka marrë një vëmendje të madhe në publik. Jo prej meritës artistike. Për fat të keq!
Krejt ndryshe, prej faktit se në krye të tij, është ai drejtor që është, ashtu si është.
Një javë pas përplasjes së tij me një gazetar, në një vend ku edhe në kanune, thuhej se lajmësi nuk preket, vetë Teatri po thotë se biletat janë shitur, se s’ka më vend, se interesi është i jashtëzakonshëm.
Si për të larë hijet e mëkatit, menjëherë pas incidentit, pat një rrekje për të bërë virale, një video ku nga ministrja tek të gjithë vartësit e saj me një buzëqeshje të stampuar që i ngjan imazhit të njerëzve të detyruar nga rrethanat, thonin frazën e artë: Eja në teatër!
Video, nuk u bë virale. Gjithë e gjithë ajo u shpërnda nga ata që dukeshin në të, dhe punonjësit e administratës që me zellin për të rënë në sy andej lart, nuk lënë rast t’u shpëtojë nga këto qokat institucionale, që i japin një dorq qeverisë së zhveshur para fajeve.
Të jemi të qartë, nuk ka asgjë të keqe, të ftosh miletin në teatër-përkundrazi edhe ne mendojmë: shkoni në teatër, shkoni pa frikë. Do shihni “Tri motrat” e Çehovit, sipas Hervin Çulit, që megjithë mendimet që mund të keni për të, këtë shfaqje nuk e ka bërë shkel e shko. Përkundrazi. Ajo ka marrë kohë e vëmendje, për të pasur një farë kopsitje. Ka një duzinë aktorësh në skenë dhe depresioni i madh rus i Cehovit, gjen paralelizëm me depresionin e shoqërisë shqiptare sot.
A janë shitur biletat vërtetë? Ne, nuk kemi si ta vërtetojmë, por gjithë debati i bërë në media, i ka shërbyer shfaqjes: të tërë duan të dinë, si është ajo dhe ata që e kanë parë, edhe nëse nuk janë mrekulluar, nuk munden assesi ta zhvlerësojnë.
Nuk është bërë video ku thuhet: Eja në opera, eja në muze, eja në galeri, eja tek Eksperimentali. Jo! U bë video vetëm për TK-në se nevoja aty e desh të ftoheni.
E veç kësaj- tashmë, aty ju pret një atmosferë “festive”, sallë e ngrohtë dhe qershia mbi tortë: teatri kombëtar ka shtruar edhe një gosti në holl! Po, po, pikërisht në hollin famëkeq, që tashmë rreken t’ia ndryshojnë imazhin me djathra e sallamra. Ejani në teatër, aty ka art e ka edhe një gosti faji! Nuk mund të jetë ndryshe, veçse e tillë: teatri në kërkim të një imazhi të ri për fasadë bën atë që s’e kish bërë më parë: video, supershitje dhe një gosti në fund.