Nga Entela Hoxha
Shija e Festivalit të 54-t të këngës në Radiotelevizionin Shqiptar është ende e freskët: këngë prej të cilave nuk mbahet mend asnjë, një personazh banal i ‘ftuar’ në skenën e shenjtë të vlerave u bë nxitja e përdorimit të një fjalori rruge në një panteon arti, një rrekje për të kujtuar kompozitorët u kthye në fyerje prej dasisë fetare që përdori prezantuesi dhe mbyllet me fitoren e një këngëtareje që për rastësi ose jo është partnere në biznes e drejtorit artistik të festivalit. Reagimet e opinionit publik për secilën prej këtyre qenë të menjëhershme dhe kryqëzuese, qe fyer rëndë publiku besnik që ende kërkon pak cilësi dhe art në një festival që mbahet me taksat e shqiptarëve, qe fyer historiku dhe tradita e tij. Zhgënjimi i pamatë, bjerrja e vlerave trishtuese!
Dy muaj më vonë, mbahet në Ariston Festivali i Sanremos dhe reagimet janë mahnitëse! Netët e festivalit sjellin në skenë maestro Enzi Bosso- një pianist i shkëlqyer që përveç performancës në piano, jep mesazhe të vyera ndërsa është në karrige me rrota: “Jeta, ashtu si muzika, bëhet vetëm në një mënyrë: së bashku”. Të ftuar përveç tij janë Nicole Kidman dhe në skenë është edhe Gabriel Garko. Skenari, magjia e artit dhe e skenës përcillen edhe në anët tona, duke transmetuar para së gjithash pasionin për ti bërë gjërat si duhen, duke të lënë shijen e mirë të së bukurës, për të të kënaqur e për të të mbajtur mbërthyer që të mos humbësh asnjë çast. Këngët konkuruese konkurojnë si këngë, si tinguj, si melodi, si tekste, si orkestrim, jo si kotësi skenike të atyre që mbahen mend për pjesë të zbuluara trupi.
E ndjen se mungon diçka dhe kupton se: duhej Sanremo që të na kujtoheshin vlerat, ato vlera mbi të cilat mori shembull dhe nisi rrugëtimin e tij Festivali i RTSH-së. a mund të krahasohet i ftuari i RTSH-së, Seriali me të ftuarit e Sanremos? A mund të krahasohet humori ynë banal me gjuhën e zgjedhur të italianëve, me shijen që të lë kur tashmë e ke fikur televizorin? Kur vjen e nesërmja dhe ende e ndjen magjinë e mbrëmshme? Shqiptarët e kanë ndjekur dhe e ndjekin Sanremon, jo vetëm për të bërë dallimin mes artit dhe pseudoartit, mes një festivali të mirëfilltë dhe një festivali të gjykuar çdo vit, të përfolur çdo vit: gjithnjë për fituesin e shpesh për gafat.
Shqiptarët e kanë parë dhe e shohin, për të ndjerë gjithnjë shijen e së bukurës, finesën e artit, cilësinë e muzikës, batutat mbërthyese, humorin e hollë, që mund të gjendet, vetëm matanë detit, por jo për faj të detit.