Luljeta Lleshanaku
Mjafton të nuhasësh aromën e domateve
për të sjellë ndërmend kopështin e vogël të fëmijërisë sime
copëtuar nga vija të holla uji
qe percilleshin me delikatesë
si gurmaze rosakësh. Grerëzat, përreth luleve të verdha
në një lojë të ndërsjelltë joshjeje dhe pabesie.
Çiftin i pandoflave që zgjonte dheun me poterë,
pa zbardhur mirë
kur hija dhe trupi
janë një gjë e vetme.
Kopështi i domateve
me kasollen e vogël atje në qosh
nën hije, gjunjët tanë pothuajse të ndeshur mes tyre,
ndarja e kureshtjes së hershme,
për misteret e trupit…limfën tronditëse,
habia mbi fillesën tonë të ngjashme me një bashkim viskoz resh
vetëm brenda nje sekonde,
habi qe perhapej pa formë në fytyrë
e shoqëruar me një kafshim buze
si aroma e domateve
ne muzg.
Pastaj.., mbrëmjet përkundruall kopështit
nën një llambë që gjatë ditës
tregonte gjithmonë një dhëmb të prishur,
dhe lugën ndarëse
që përplasej nervoze pas tenxheres së supes…
Më pas…përvjedhjet tona për në shtrat,
kur babai dremiste në divan
dhe time më …- oh, ajo do të dremiste gjithmonë ne këmbë të shtratit
tërthorazi, si një trung i ngecur midis përroit.
Kam parë herë pas here burra të dremisin më pas
të vetëm, në ndenjësen e kuzhinës,
të zgjuar përballë smaltit të dritareve;
kam dëgjuar seanca frymëmarrjesh të thella
sikur po shkulnin barin e ri, nga vertebrat.
Kurse jashtë, atje
ka mbetur i paprekur kopështi i domateve,
aroma e tij e fortë në mëngjes dhe mbrëmje,
filizat e lidhur pas hunjve me rripa të bardhë
si kureshtja jonë fëminore, e lidhur pas asaj
që tashmë,
pothuajse e njohim.