Preç Zogaj
Dukej të kishim ikur në anë të kundërta të botës
jo për t’u humbur, as për t’u harruar,
jo për të provuar forcën e një dhimbjeje
që mbledh në grusht oqeanet.
Nuk ka kohë në të ikurit prapa të mendimeve.
Ti je e do të jesh e dashura ime
në krahët dhe shtratin e çdo menelau.
Fëmija yt, i cilitdo burri
me kujtimin tim do të ngjizet.
Duhet të kishin ikur në anë të kundërta të kohës,
Duhej të kishin ikur në anë të kundërta të botës,
Për hir të çasteve kur dikur
nëpër ne u ngjit kuqëlimi…
Por ne jetojmë njëri pa tjetrin
në të njëjtin qytet të veremit,
Në të njëjtat rrugë,
Në të njëjtën gjuhë.
Kupa po mbushet,
nuk e ka të gjatë durimi.