Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë vendosi zgjerimin e zonës së mbrojtur në Parkun Arkeologjik të Orikumit.
Pas studimeve të Misionit shqiptaro-zvicerian të kërkimeve arkeologjike, dhe bashkëpunimit të Institutit tē Arkeologjisë me DRKK Vlorë dhe me Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik, arkeologu Saimir Shpuza, prezantoi planin e ri të zonifikimit arkeologjik të Orikumit duke përfshirë Kodrën e Paleokastrës, Nekropolin e Sadovinës, Kishën e Marmiroit, Fushën e Pallorongut, Zonën e Hidrovorit, Lagunën me portin e saj, siç e përmend Cezari.
Zgjerimi i Parkut nga 47 hektare në 694 hektarë do të jetë një sfidë e re për institucionet qendrore, për pushtetin lokal dhe banorët e zonës, për ta mirëmbajtur, ruajtur e zhvilluar.
Ministria e Kulturës thotë se është rasti jo vetëm të falenderojmë arkeologët per studimin dhe prezantimin por edhe forcat e armatosura që në këto dekada të vështira tranzicioni dhe anarkie territoriale e kanë ruajtur atë zonë me dashuri nga batërdia e ndërtimeve dhe nga ndotja.
Sot, falë një bashkëpunimi të shkëlqyer të Ministrisë së Kultures dhe Ministrisë se Mbrojtjes, DRKK Vlorë me Forcat e Armatosura, Komandën e Bazës, vizitat në park, soditja e peizazhit, dhe mbrojtja e promovimi i parkut janë një realitet.