Zarfe e kuti gjermane, si do ruhen xhamat- arkiva të Marubit

Projekti me KLUG CONSERVATION është një ndër projektet më të rëndësishme që Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” realizon falë mbështetjes së Ambasadës Gjermane në Tiranë.
Një projekt i tillë mundëson sistemimin dhe mbrojtjen e arkivës sipas standarteve bashkëkohore. Aktualisht xham negativët, dokumentat dhe objektet, pjesë e koleksionit të muzeut, janë të vendosur në kutitë e tyre origjinale të cilat tashmë janë vjetërsuar nga koha dhe nga mungesa e kushteve të përshtatshme për konservim ndër vite. Projekti për ruajtjen e arkivës i përfituar në vitin 2016 mundëson zbatimin e një sistemi të ri konservimi të negativëve prej xhami, filmave rul, fotografive në letër si dhe dokumentave të cilat do të vendosen në zarfa dhe kuti të reja. Falë këtij projekti janë përfituar 6.933 kuti arkivimi dhe 81.680 zarfa me një vlerë prej 70.000 euro.
Me një eksperiencë mbi 140 vjeçare, KLUG CONSERVATION është një kompani gjermane e specializuar në fushën e mbrojtjes së objekteve të trashëgimisë kulturore nga dëmtimet. Qëllimi i parë i produkteve KLUG është të ruajë këto objekte – në rastin konkret xham negativë, dokumenta, objektet të arkivës Marubi- në gjendjen në të cilën ata ndodhen dhe jo të ndërhyjë për restaurimin e tyre.
Fituese e “German Art Trade” si produkti i vitit në fushën e konservimit në vitin 2011, duke filluar që nga materialet përbërëse të letrës e deri tek produktet e arkivës si zarfa, kuti, dosje, të gjitha produktet e kësaj kompanie i përgjigjen standarteve ISO 9706 dhe ISO 16245 ndërsa produktet për arkivim fotografik i nënshtrohen testimeve PAT për sigurinë në përdorim.
Statusi i ekspertizës dhe eksperienca mundëson produkte të personalizuara për çdo arkivë. Në rastin e Muzeut Marubi, zarfat dhe kutitë e konservimit janë dizenjuar sipas madhësive, cilësisë dhe standarteve që i përgjigjen kërkesave të materialit arkivor sipas një analize të kryer nga stafii muzeut e cila i është paraqitur specialistëve të KLUG.
Një projekt i tillë e bën arkivën e Marubit të parën arkivë në Shqipëri e cila ruhet sipas standarteve bashkëkohore. Kjo mundëson mbrojten e kësaj trashëgimisë kulturore për brezat e ardhshëm dhe vlerësimin e një dokumentimi fotografik që rindërton historinë e Shqipërisë.
Për këtë, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” falenderon ish ambasadorin gjerman në Shqipëri Hellmut Hoffman për mbështetjen e këtij projekti dhe ambasadoren gjermane Susanne Schütz për vazhdimësinë e bashkëpunimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *