Muzeu Historik Kombëtar bën publike shpesh pjesë nga thesaret kombit që ruan.
Së fundmi ka bërë publike pjesë nga Koha e Gurit të Vjetër (250.000 – 12.000 vjet më parë.
A e dinit se, në Shqipëri, gjurmët më të hershme të njeriut shfaqen në paleolitin e mesëm (250.000-40.000 vjet më parë). Gjurmët më të hershme të jetës njerëzore janë gjetur në një vendbanim shpellor parahistorik në Xarë, rreth 10 km larg Butrintit. Banimi për një kohë të gjatë i këtij stacioni dëshmohet nga prania e materialeve që u takojnë paleolitit të mesëm dhe atij të vonë. Në vendbanim janë gjetur vegla pune prej stralli, me forma të shumta dhe me funksione që nga tehet prerëse deri te krueset dhe shpueset e ndryshme, kryesisht me ngjyrë të bardhë ose të hirtë. Gjurmë të ngjashme njerëzore janë gjetur në vendbanimin shpellor parahistorik të Blazit, Mat, si edhe në shpatin e malit të Dajtit, afër Tiranës. Njeriu i paleolitit zgjidhte për banim shpella ose streha shpellash, për të banuar për një kohë shumë të gjatë. Në shtresën paleolitike të shpellës së Shën Marinës (Sarandë), përveç veglave të punës, janë gjetur edhe gjurmë zjarri, si një nga shpikjet më të rëndësishme të asaj periudhe, me anë të fërkimit të gurëve. Zjarri çoi në përmirësimin e mënyrës së të ushqyerit, në përmirësimin e aparatit tretës, çka ndikoi në jetëgjatësinë e njerëzve.
Në foto: Vegla pune prej stralli, Periudha Paleoliti i lartë, 40.000-12.000 vjet më parë