Varri i një mbreti ilir në Petrelë? Dita e monumenteve festohet nga bashkia

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve te Kulturës dhe Siteve, Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh që kanë për qëllim jo vetëm mbrojtjen e vlerave tona historike dhe kulturore, por edhe promovimin e tyre si element turistik. Aktiviteteve i janë bashkuar, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deputetë të Qarkut të Tiranës, drejtues vendorë, studiues, e njerëz të apasionuar pas historisë dhe natyrës.

Ata kanë vizituar vendbanimin antik të Persqopit në Petrelë, ku kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj zbuloi tabelën informuese të këtij monumenti historik. Në fjalën e tij, Veliaj vlerësoi si të një rëndësie të veçantë për zhvillimin e gjithë bashkisë, promovimin e turizmit jo vetëm për objektet dhe veprat që ndodhen në Tiranë, por më së shumti edhe për ato vende dhe vlera që mbart periferia e Tiranës, siç janë monumentet historike, natyra, kulinaria etj.

“Më vjen mirë që sot, në Ditën e Monumenteve të ,Kulturës zgjerojmë interesin e Bashkisë përveç atyre monumenteve të kulturës që janë në qendër të Tiranës dhe kanë shikueshmëri më të madhe, por edhe në Tiranën e Madhe, e cila na është bashkuar në Bashkinë e Tiranës me një pajë të paçmueshme, që do të thotë asete kulturore në formën e kalave të këtyre varreve historikë që tregojnë se kemi pasur një civilizim para këtij tonit. Do të thotë që po jetojmë në të njëjtën tokë ku të tjerë para nesh janë munduar të bëjnë histori suksesi, të ngrenë civilizime, qytetërime, të na lënë pas një kulturë që besoj se duhet ta trajtojmë me shumë kujdes”, u shpreh kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.

Ai gjithashtu theksoi se Bashkia ka nisur punën, së pari për ta promovuar këtë pasuri dhe të kuptojnë se në një rreze shumë të vogël ka monumente dhe vende që ofrojnë histori shumë të vjetra dhe interesante për t’u prekur dhe parë. “Do të promovojmë sinjalistikat që janë vendosur në gjithë zonën e Petrelës për të drejtuar njerëzit, si është një mënyrë për të kujtuar historinë, për të pasur një memorie kolektive”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku vuri theksin edhe te përfitimi ekonomik që sjell promovimi i historisë dhe kulturës së zonës, si element shumë i rëndësishëm turistik. “Sigurisht, për Bashkinë e Tiranës ka edhe një interes ekonomik. Çdo qytetar që vjen dhe shikon këto pasuri historike që kemi, gjithashtu kalon kohë, një vakt, shpenzon para në Petrelë dhe besoj se është shumë mirë për ekonominë vendase”, deklaroi kryebashkiaku.

Kryetari i Bashkisë ka theksuar se ditë si kjo e sotmja vlejnë për të rivlerësuar atë “pajë” historike që Tirana ka trashëgimi nga të parët dhe për të qenë krenarë dhe kuptuar që s’kemi ardhur nga hiçi.

“Për herë të parë po mundohemi të fokusohemi te turizmi që është pak më i thellë se shkrepja e fotove në sheshin “Skënderbej”, por unë besoj se para se të promovojmë turizmin nga të huajt, duhet fillimisht të kemi një turizëm vendas, ku ne brenda Tiranës kemi një ekspoze, për të cilat paguajmë shumë teksa e shohim në vende fqinj apo që edhe nuk e kanë atë histori, por mundohen ta krijojnë nga hiçi. Floriri i vërtetë nuk është ai i legjendave dhe gojëdhënave urbane, për monedha të fshehura nën tokë, floriri i vërtetë është pasuria që kemi mbi tokë dhe me pak punë, pastrim, mirëmbajtje, përkujdes nga secili prej nesh, këtë pajë ne mund ta kthejmë në një të mirë të vërtetë historike dhe ekonomike për vendin tonë”, theksoi kryetari i Bashkisë.

Ndërkohë, deputeti i zonës, Artan Gaçi do ta konsideronte territorin e Bashkisë së Tiranës të mbushur me vende dhe monumente që përbëjnë një pasuri të vërtetë historike dhe mundësi për zhvillimin ekonomik. “Tirana ka minimumi 13 kala rreth e qark që shumica e banorëve akoma nuk i dinë, jo më t’i kenë vlerësuar. Kjo është rruga, kjo është pasuria jonë më e madhe, me këto duhet të punojmë e këto duhet të vlerësojmë”, u shpreh deputeti, Artan Gaçi. Arkitekti Artan Shkreli, ndërsa ka vlerësuar interesin e shtuar të Bashkisë për të promovuar këto vlera, është shprehur se mbrojtja më e mirë që mund t’i bëhet një monumenti është kujdesi.

“Kujdesi është akoma më i rëndësishëm se vetë restaurimi. Këtu kemi të bëjmë me një varr monumental i supozuar i një dinasti ilir, që është varr i një mbreti ilir, kjo është e padyshimtë dhe kjo shërben si një moment identifikimi i historisë së trevës, banorëve të vjetër të saj dhe atyre të rinj që kanë vendosur t’u përshtaten kushteve të reja”, tha Shkreli.

Më pas pjesëmarrësit kanë udhëtuar drejt sheshit të fshatit të Petrelës ku dhe kanë vizituar tregun e artizanëve dhe kulinarisë vendase. Ndërkohë që Ansambli i Tiranës, si dhe disa grupeve te tjera folklorike nga zonat përreth kanë mundësuar për të pranishmit një koncert me këng dhe valle.

Ndërkohë që në kuadër të promovimit të këtyre vlerave dhe nxitjes së turizmit, Bashkia e Tiranës ka filluar vendosjen e sinjalistikës së nevojshme dhe tabelat orientuese dhe shpjeguese për këdo vizitor vendas ose të huaj që kërkon të njihet me vendet historike apo monumentet natyrore që gjenden në gjithë territorin e Bashkisë së Tiranës. Këto asete janë një vlerë e shtuar për turizmin si dhe mundësi e jashtëzakonshme për njohjen e historisë së kësaj treve.

Dita Ndërkombëtare e Monumenteve të Kulturës dhe Siteve kujtohet prej vitit 1983 kohë kur Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s u rekomandoi shteteve anëtare që të shqyrtonin mundësinë e deklarimit të 18 prillit të çdo viti si “dita ndërkombëtare e monumenteve dhe vendbanimeve historike”.balkanweb.
FB_IMG_1460917004424

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *