Vallet e Shqipërisë së Mesme në Teatrin e Metropolit

Qendra Kulturore Tirana (Teatri Metropol) organizon të enjten (14 prill” koncertin “Valle Pranverore” të Ansamblit Folklorik Tirana. Është një koncert, i cili përfshin këngë e valle kryesisht të Shqipërisë së Mesme, si “Vallja e Skënderbeut”, “Vallja e Zyleve”, “Vallja e Tironës”, “Vallja e Napolonit” etj. “Realizimi i këtij koncerti është që ti sjellim publikut pak harmoni nga tradita, kultura dhe vlerat tona folklorike. Ansambli Tirana përgjithësisht përbëhet nga të rinj duke filluar nga mosha 16- 20 vjeç dhe për t’u vlerësuar është fakti që këta të rinj e duan dhe e kanë pasion vallen shqiptare. “Padyshim është detyrë e jona të ruajmë traditën dhe mënyrën sa më pastër të valles, duke mos u influencuar nga ndërhyrjet e shumta, që bëhen sot në traditë”, shprehet koreografi i Ansamblit, Donald Martini. Ansambli Folklorik Tirana është themeluar në vitin 1978. Ai vjen nga një traditë e gjatë e ansamblit popullor dhe është i përbërë nga një grupim artistësh, të cilët mbajnë gjallë, ruajnë dhe kultivojnë muzikën popullore shqiptare, këngët dhe vallet tradicionale të Tiranës dhe Shqipërisë së Mesme. Edhe pse fokusi i tyre është Shqipëria e Mesme, repertori kryesor i Ansamblit Folklorik “Tirana” është i pasur dhe përfshin te gjithë traditat muzikore të mbarë Shqipërisë. Koncerti i nesërm do të zgjas rreth një orë, ku do të ketë gërshetim të këngëve dhe valleve shqiptare. “Ansambli Folklorik Tirana është i vetmi ansambël, që ka si specifik të vetën të merret me vallen e Shqipërisë së Mesme dhe përpiqet të ruaj autenticitetin duke iu larguar klisheve dhe përpunimit modern”, shprehet Martini. Asambli Folklorik Tirana ka në përbërje të vetë rreth 10 çifte të rinjsh, djem e vajza, të cilët janë përzgjedhur me audicion për të qenë pjesë e këtij formacioni.Ansambli “Tirana” është i vetmi entitet gjithëpërfshirës i këtij lloji në rajon dhe një aset i rëndësishëm kulturor për kryeqytetin. Ansambli “Tirana” është një laborator ku ndërthuren se bashku brezi i vjetër i artistëve me të rinjtë. Në repertorin e këtij Ansambli përfshihen një grup vallesh, një seksion instrumental, dhe një regjistër të solistëve dhe këngëtarë ansamblit. Muzika, instrumentet dhe kostumet janë autentike të Shqipërisë. Shfaqjet e Ansamblit përfshijnë lloje të ndryshme të kostumeve nga krahina të ndryshme të vendit, si dhe instrumente të veçanta muzikore që janë bërë nga ana e instrumentistëve tradicionale. Ansambli “Tirana” është fitues i shumë çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ky ansambël zhvillon koncerte të ndryshme në Tiranë, por merr pjesë edhe në Festivale Kombëtare dhe Ndërkombëtare të Folklorit. Gjithashtu, merr pjesë në të gjitha aktivitetet artistike të organizuara në bazë të kalendarit artistik të Bashkisë së Tiranës dhe Qendrës Kulturore Tirana.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *