Udhëtim në veri të Shqipërisë

Një fragment nga parathënia, Luan Rama

(Foto të veçanta të Preng Calit që shohim per herë të parë. Dhe nje foto e Kol Petrushit me vajzen, e panjohur gjithashtu. 1200 foto te Shqipërisë së veriut, Kosoves dhe Shqiperise se jugut.

***

Më 18 tetor të vitit 1938, çifti Benezech i ishte drejtuar Hanit të Hotit e më pas Tamarës e Lëpushës në lartësitë e mbi 2000 metrave. Ata shoqëroheshin nga interpreti i tyre shkodran, B., një njeri i sprovuar në udhëtime të tilla dhe njohës i gjuhëve të huaja si dhe dy qeraxhinj, Asllani dhe Ismaili, bashkë me kuajt e tyre ku janë ngarkuar dhe bagazhet. Gjatë rrugës, midis shkëmbenjve, ata ndeshen me ngrehina të braktisura, meqë barinjtë janë larguar nga verimi i bagëtive, duke hequr dhe çatitë e vathëve, qê ato têm os shkatërroheshin nga rrebeshet e stuhitë e dimrit. Natën, për të fjetur, shtrojnë ku munden në dyshekë pneumatikë që kanë marrë nga Parisi dhe të nesërmen vazhdojnë udhën sërrish. Një natë ndalojnë në shtëpinë e malsorit të quajtur Kol Petrushi, duke hyrë në një dhomë ku reja e tymit nderet mbi kokat e njerëzve, pasi në atë dhomë, si në shumë kulla malsore nuk ka oxhak. «Të varfër, por me një pritje bujare», shkruante Jacqueline. Ndërkohë René fotografon si Kol Petrushin ashtu dhe kullën e tyre, njerëzit e familjes, atje në dekorin e maleve.
Të nesërmen ishte plaka e Petrushit që me shkop në dorë, nëpër dëborë, u printe përpara si një dhi e egër për tu treguar rrugën drejt Ranza e Shënikut. Shpesh plakës i duhet të ndalojë dhe të presë afrimin e karvanit që ngjitet ngadalë. Etnografes franceze ajo i duket si «një personazh përralle», siç e shkruan ajo në ditarin e saj. Më pas, pas shkëmbenjsh e kataraktesh, karvani ndalon në një shtëpi tjetër ku jetojnë brenda një dhome të madhe e disi të ndarë 26 persona të së njëjtës familje. Atje pjekin patate dhe rreth zjarrit, siç është zakoni, ai që i bie lahutës ia merr një kënge të gjatë nga eposi kreshnik, duke i kënduar një bote të largët e mitike, heronjve të këtyre maleve. Jacqueline mendon se gjithçka përreth asaj shtëpie, orenditë, veglat e punës, kostumet, instrumentat, objektet e përditshme e të kuzhinës, gjithçka atje është një muze i vërtetë etnografik. Dhe për më tepër në një vend që shpesh ata e krahasojnë me Zvicrën. Pikërisht atje, gjatë natës, të shtrirë midis turmës, ku disa janë ngjeshur anash zjarrit në mes të dhomës, gjatë natës, René ndjen se një «kafshë» e çuditshme i ngjeshej prapa veshit. Por vetëm në mëngjes ata pikasën se nuk ishte gjë tjetër veçse gishtat e këmbëve të asaj plake të shtrirë më tej që ishte në agoninë e saj. Po kështu, Jacqueline ishte habitur tek flinte gjatë natës me atë lloj «jastëku» të butë që merrte forma të ndryshme, por vetëm ajo në mëngjes konstatoi se ishte një plënc lope. Udhëtimi i tyre vazhdon, ditët ndjekin njëra-tjetrën dhe ja ku gjenden në një situatë dramatike, të humbur mes asaj humbëtire, në mes të stuhisë, pa ditur nga të shkojnë, gjithnjë në kërkim të Qafës së Pejës. «Situata po bëhej tragjike, – shkruan Jacqueline, – gjersa më së fundi lodhja do të na detyronte ta linim pa Zot fatin e jetës sonë.». Dhe ja, dy djem të rinj, fatmirësisht si të rënë nga qielli, u gjenden aty dhe i ftojnë në vatrën e tyre duke u prirë përpara. Por padyshim, në këtë udhëtim një mbresë të veçantë çifti francez ka gjatë qëndrimit në kullën e Preng Calit, figura e të cilit duket se i tërheq ata në mënyrë të veçantë. «Preng Cali, – shënonte në ditarin e saj Jacqueline, – erdhi drejt nesh duke zgjatur duart, me një fytyrë energjike dhe një buzëqeshje të mrekullueshme. Që me shikimin e parë ishte shumë simpatik. Një gjigand i vërtetë. Ishte i gjatë të paktën 2 metra. Ishte i veshur shumë pastër, me kostumin e Malsisë së Madhe, një kostum me një elegancë të veçantë. Flokët i kishte të bardha dhe mustaqet të shkurtra që spikasnin në figurën e tij të gjatë e të dobët. Natyrish, brezi i tij ishte i zbukuruar me një revolver të madh, një tjetër me një dorezë fildishi apo prej kocke, një model si ato që mbreti u jepte atyre që donte t’i shpërblente e t’i nderonte…” Preng Calin, ashtu si dhe Fran Zefin më pas, dy etnografët e shohin si një personazh që më shumë i afrohet mitit sesa realitetit të përditshëm të jetës në këto male. Ky malsor, që jepte dhe jetën për mbrojtjen e kufijve, në fillim ishte zemëruar me mbretin për shkak se ai ishte gati t’i linte kufijtë e veriut, e madje e kishte internuar në kalanë e Gjirokastrës, por më pas, vetë mbreti e kishte liruar atë e madje i kishte dhuruar dhe një kobure të zbukuruar në argjend, meqë mbretëria kishte nevojë për prijësat e bajraktarët e veriut. Por të veçanta për etnografët ishin dhe marrëdhëniet e tyre, veçanërisht të Jacqueline-s me Pashkën, gruan e Prengës, e cila që kur francezja hyri në kullën e tyre e puthi drejt e në gojë. E habitshme për një grua që vinte nga Parisi midis këtyre maleve. Vallë a do ta mësonte kjo franceze historinë e mëpasme të kësaj familje pas luftës, kur Prenga do të rrethohej në një shpellë, do të kapej dhe do të varej? A do ta mësonte ajo fatin e Pashkës, e asaj gruaje të mirë që i shkonte mbrapa si e si ta kënaqte dhe që shpesh e godiste me dorën e saj mbi shpinë për t’i shprehur dashurinë? Pashka do të përjetonte një kalvar më vete në jetën e saj pas vrasjes së Prengës, ku disa njerëz të familjes u kujdesën për të deri sa ajo vdiq në vitin 1967. Jo, askush nuk do t’i tregonte francezes se çfarë kishte ndodhur me gruan e Prengës… Megjithatë René nuk kishte harruar t’i fotografonte të dy, siç i shohim sot në disa fotografi para kullës së Preng Calit: Prenga i gjatë veshur me shajak dhe Pashka e vogël me kostumin e saj të Malësisë së Këlmendit. Një çift i çuditshëm, por me një zemër të madhe!
Pas thuajse një muaj nëpër malet dhe vatrat bujare të veriut, karvani me dy etnologët francezë u kthye në Shkodër. Qëndrimi i tyre i fundit kishte qenë te frati i kishës së Thethit, At Antonio. Njerëzit e Fran Zefit i shoqërojnë deri sa ata dalin në rrugë të madhe. Më së fundi mund të nisen drejt Koplikut e të zbresin poshtë drejt Shkodrës. Por djaloshi malësor u kërkon ta njoftojnë më parë kur të vijnë herës tjetër, pasi ai do t’i presë që në kufi e s’ka nevojë për shkresa qeverie sepse ata do të jenë në dorë të tyre, në mikpritjen bujare të malsorëve shqiptarë. Kur karvani mbërriti në Shkodër, siç shkruan Jacqueline Benezech, “njerëzit na shikonin me habi, ndërkohë që Asllani u thoshte: “Janë francezë!»… në hotel, shërbyesja e dhomës nuk arriti të na njohë. E kuptuam këtë kur u shikuam në pasqyrë. Kopshtet që shikonim përreth ishin me lule dhe qielli ishte blu. E hënë, 7 nëntor 1938. Ka tre muaj që ne kemi lënë Parisin…”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *