“Për mua të gjitha janë të veçanta, por më shumë më pëlqen kjo: ‘Vajza me sytë me gjak’. Të duket sikur kam qenë pak e ashpër në përcaktimin e këtij titulli, pak makabre. Por në qoftë se shikon origjinalin, vërtet të tronditin sytë e kësaj vajze”.
Marie Poradeci e veçon këtë nga të gjitha pikturat e të atit. Lasgushi i ka lënë në arkivat e tij pa tituj pikturat dhe ka qenë Maria, që sipas asaj që ka parë, ka vënë për secilën një emër identifikues. “Duke e njohur mirë tim atë, mendoj se ky detaj duhet të jetë i rëndësishëm. Sepse ai edhe mund të mos i bënte ata sy, ashtu”.
Prej Lasgushit veç poezive e pikturave, janë ruajtur edhe disa sende të shtëpisë. Kryesisht sende të sallonit të pritjes, atje ku ai rrinte me miqtë ose ato të dhomës së gjumit e martesës së tij. “Janë shumë të bukura dhe të ruajtura me shumë kujdes. Kemi menduar se këto sende i takojnë shtëpisë së tij muze që do të bëhet në Pogradec. Akoma nuk është bërë gjë. Po përdor një shprehje që e përdorte im atë: ‘Që të bëhet një gjë, duhet ta bësh atë’. Po kush ta bëjë? Ministria e Kulturës që është alma mater e të gjithë artistëve nuk ndjehet”. Maria nuk ka fort të dëshirë të ekspozohet, as të hakërrehet, as të kritikojë, megjithëkëtë, diçka i shpëton nga ajo që ndjen.
Një vendim i Këshillit të Ministrave i vitit 1996 ka miratuar kthimin e shtëpisë së poetit në muze. Ende sot nuk ka gjurmë të muzeut. Në fushatën e fundit elektorale, një prej kandidatëve e përmendi atë si premtim, por ajo nuk i fitoi zgjedhjet.
-Të 53 pikturat e Lasgushit, që u përkasin viteve të rinisë, viteve ‘20, tashmë janë pjesë e një katalogu. Ku ishin këto piktura?
Këto piktura gjendeshin në arkivin e babait tim. Të mbështjella role. I ruante atje, siç ruante me kujdes çdo gjë, që tregonte pjesë së jetës së tij shumë të rëndësishme. Këto piktura tregonin kohën e rinisë së tij, kohën kur ai, me dëshirën për të shkelur pragun e lartë të Universitetit, me shumë mundime, u regjistrua në Akademinë e Arteve të Bukura, në Bukuresht. Pra, këto piktura janë të viteve 1921-1924.
-Dikur patët hapur një ekspozitë me to “Të ritë e viteve të mi”. Përse e quajtët kështu?
Po. Këtë ekspozitë e kemi hapur me rastin e 25- vjetorit të vdekjes së tij në një nga ambientet e shtëpisë sonë, aty ku edhe i ruajmë në kushte shumë të përshtatshme. E quajtëm me emrin domethënës “Të ritë e viteve të mi”, pasi ai i ka realizuar pikërisht në moshën e rinisë së tij. “Të ritë e viteve të mi” është titulli i një poezie të tij.
-A kishin pikturat shënime nga mbrapa dhe a kishin tituj? Cilat janë historitë pas penelit? Çfarë dini për krijimin e tyre?
Titujt e pikturave i kemi vendosur vetë. Pikturat me bojëra vaji nuk kishin asnjë shënim. Kemi shpresë se do mësojmë diçka kur të përkthejmë korrespondencën e babait tonë, që është në rumanisht, korrespondencë që e ka me shokët e tij, piktorë rumunë të Akademisë dhe me të tjerë miq të asaj kohe. Është një korrespondencë shumë e pasur. Shpresojmë të ketë ndonjë të dhënë më shumë. Po unë mendoj se ato vajza të pikturuara janë modele të Akademisë së Arteve të Bukura në Bukuresht. Mendoj unë, por nuk e di me siguri, sepse Lasgushi gjithmonë të befason. Ndoshta atëherë edhe mund të zbulojmë ndonjë histori mbas penelit, ashtu siç thoni ju. Por tani unë nuk di asgjë. Ndërsa vizatimet me laps kanë pothuajse të gjitha emrat e personave të vizatuar. Janë kryesisht portrete.
-Për ju, cila është më e veçanta?
Për mua të gjitha janë të veçanta, por më shumë më pëlqen kjo: “Vajza me sytë me gjak”. Të duket sikur kam qenë pak e ashpër në përcaktimin e këtij titulli, pak makabre. Por në qoftë se shikon origjinalin, vërtet të tronditin sytë e kësaj vajze. Janë të kuq, sikur i ka lyer me gjak. Duke e njohur mirë tim atë, mendoj se ky detaj duhet të jetë i rëndësishëm. Sepse ai edhe mund të mos i bënte ata sy ashtu.
– A keni dhuruar ndonjë prej tyre?
Ju më pyesni a kemi dhuruar ndonjë nga këto vepra arti. Sigurisht që jo. Ne i ruajmë me shumë kujdes dhe dashuri. Kur një ditë të ndodhë ndarja me to, më besoni sinqerisht, do të jetë po ajo dhimbje kur jam ndarë përgjithmonë nga njerëzit që i kam dashur shumë. Por, jeta kështu është.
-A i ruani ende sendet e dhomës së tij?
Kemi ruajtur sende të shtëpisë, kryesisht të sallonit të pritjes, atje ku ai priste miqtë që e vizitonin dhe disa sende nga dhoma e gjumit e martesës së tij. Janë shumë të bukura dhe të ruajtura me shumë kujdes. Kemi menduar se këto sende i takojnë shtëpisë së tij muze që do të bëhet në Pogradec. Akoma nuk është bërë gjë. Po përdor një shprehje që e përdorte im atë: “Që të bëhet një gjë duhet, ta bësh atë”. Po kush ta bëjë? Ministria e Kulturës, që është alma mater e të gjithë artistëve nuk ndjehet.
-Vetë Lasgushi çfarë thoshte për pikturat e tij?
Zakonisht babai im nuk fliste për to, sepse ai nuk i konsideronte. Atëherë kur do të bënte zgjedhjen midis poezisë dhe pikturës, ai zgjodhi poezinë. Sepse thoshte që: “Dy kunguj në një sqetull nuk mbahen. Sepse arti ka vetëm një gradë. Pra o piktor i madh, o poet i madh”. Dhe ai zgjodhi të dytën.
-Ku janë ruajtur në komunizëm këto piktura?
Këto piktura kanë qenë në arkivin e tij, bashkë me shumë gjëra të tjera. Babai im ishte me kulturë të jashtëzakonshme dhe çdo gjë e ruante. Një arkivë sa më e pasur është, aq më e pasur është jeta e njeriut që e ka krijuar atë.
-A e merrte lapsin në dorë gjatë kohës që ju e mbani mend për të bërë vizatime të tjera?
Në fakt ka edhe disa vizatime të bëra me shumë mjeshtëri rreth viteve ’30-’40. Pastaj nuk ka vizatuar më. Më kujtohet që një ditë rrinim në kuzhinë dhe bisedonim. Unë papritur i thashë: po ti baba pse nuk ma bën mua portretin? Dhe ai nuk ma prishi. Filloi të ma bëjë, por mbeti përgjysmë, sepse ai u sëmur dhe ashtu ka mbetur. E kam edhe atë në katalog. Babi thoshte që: gjinia më e vështirë në pikturë është portreti, sepse duhet të ketë ngjashmëri. Por ai e kishte atë magji te vetja e tij për ta realizuar këtë ngjashmëri. Dhe gjithmonë e ka arritur, me të gjitha portretet që ka bërë.
– Sot, keni menduar t’i riktheni për një publik që s’e njeh këtë anë të Lasgushit?
Sigurisht që do t’i rikthehemi, herë pas here. Kryesisht në përvjetorë të tij. E gjithë bota shqiptare duhet ta njohë Lasgushin me gjithë dimensionet e tij, sepse ai është një poet që një fat madh ia ka dhënë Shqipërisë, që pastaj kjo t’ia falë botës. (shprehje e një miku të tij).
(Fatmira Nikolli. Gazeta Shqiptare)