Suzana Nako: Si e njoha tim shoq Llaqi Nakon dhe jeta mes artistëve

“E kam ndjekur kudo, kemi qenë shumë të lumtur”

Suzana Nako është ekonomiste me profesion. Prej disa dekadash, ka jetuar me një artist si Llaqi Nako dhe ka rritur dy të tjerë të tillë: Albi Nako(balerin-koreograf) dhe Alba Mezini(piktore). Gjatë promovimit të librit të të shoqit, ajo ishte e pranishme dhe në fund ndau me ne, disa detaje të jetës së saj. E pyetur se si ndihet në një familje artistësh, ajo tha se edhe në shtëpi, “fëmijët dhe bashkëshorti janë shumë të adhuruar”. Elegante dhe fjalëpakë, Suzana Nako tregon se me të shoqin është njohur në fshat ndërsa familja e saj ishte dërguar të punonte në prodhim. Ishte veçse gjimnaziste dhe prej asaj kohe kanë kaluar shumë vite, në të cilat ajo pranon se kanë qenë të lumtur dhe se e ka ndjekur kudo, edhe pse nuk ka qenë xheloze.

-Ka qenë e vështirë të jetoni me artistë?

Jo, të them të drejtën, unë për vajzën që është më e madhe, sesa Albi, kam qenë e para që e kam diktuar se ajo do të bëhej piktore, sepse kishte të dhëna. Në një kohë kur Llaqi më thoshte: Jo, nuk e besoj. Unë e kam regjistruar vetë në Pallatin e Pionierëve për konkursin e pikturës. Kur erdhi puna për të konkurruar, Llaqi ishte me turne në Turqi, unë e shoqërova vajzën dhe e prisja te dera e Liceut Artistik.

Ajo ka dalë e katërta në 200 konkurrues. Edhe në Akademinë e Arteve doli shumë mirë.

-Ju është dashur të sakrifikoni?

Gjatë kësaj rruge kemi sakrifikuar për ta, por më tepër është marrë Llaqi, por jo edhe aq, se ai nuk donte të ndërhynte, ndaj ata kanë ecur vetë.

-Çfarë profesioni keni ju?
Unë kam qenë ekonomiste.

-Dhe si u njohët me Llaqi Nakon?

Kisha shkuar në fshat te prindërit e mi. Ata në fakt kanë qenë në Tiranë, por Enver Hoxha bëri një letër të Komitetit Qendror që gjoja kuadrot duhet të shkojnë në prodhim. Babai im nuk priti t’i thoshin ik, por iku bashkë me familjen.

-Ju në ç’moshë ishit?

Unë asokohe isha në të mesmen, në vit të dytë për ekonomik. Kur më thanë se do të shkonin në aksion, unë nisa të qaja. Kur më pyetën se çfarë kisha, u thashë: Unë nuk kam mundësi që të shkoj në aksion, sepse mua më ka shkuar familja në prodhim. Duke qenë e re, isha e emocionuar. Llaqi ishte në atë kohë te Estrada e Ushtrisë, me të cilën shkonin nëpër fshatra. Ndodhi që erdhi në fshatin tonë. Kur erdhi puna që do të iknim atje, ka qenë shikimi i parë mes nesh.

-Çfarë ju pëlqente tek ai?

Të them të drejtën më ka tërhequr shumë, sidomos nga sytë që i kishte të veçantë.

-Dhe kur u ritakuat?

U kthyem në Tiranë dhe aty u takuam sërish rastësisht. E kam ndjekur që nga ajo kohë, kudo. Madje ishte njëra nga gratë e artistëve, që rrinte me mua dhe më thoshte: Mos e lë Llaqin vetëm. Kam qenë shumë e lidhur. Nuk ka pasur koncert apo teatër që nuk e kam shoqëruar. Në të gjitha vendet kemi qenë bashkë, prandaj kemi qenë shumë të lumtur.

Fatmira Nikolli/ Gsh

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *