“Ata që do të shkojnë, do të gjejnë trashëgimi botërore të mbrojtura nga UNESCO: qyteti antik i Butrintit, plazhe të praruara në bregdetin jonian, liqene madhështore malore, arkitekturë otomane dhe vendas miqësorë që ju orientojnë në drejtimin e duhur. Bëjeni këtë udhëtim përpara se bota të kuptojë se çfarë po humbet…” Pasi britanikja “Rough Guide” e sugjeronte Shqipërinë si një zgjedhje ideale për të bërë plazh kompania turistike britanike e ka përfshirë vendin tonë në listën e 10 destinacioneve më të mira për t’u vizituar në 2016-n, raporton “Monitor”.
Shqipëria renditet në vend të pestë pas Nepalit, Kolumbisë, Kubës, Jordanisë. Pas nesh vjen Rumania, Salvatori, Uellsi, Kenia dhe lista mbyllet me Sri Lankën. Për Shqipërinë, Martin Zatko, i bashkautor guidash thotë: “duhet t’i bëni një vizitë këtij cepi tërheqës të Europës, përpara se të fitojë popullaritetin që meriton”. Në përshkrimin që i bëhet Shqipërisë thuhet: “Ndërsa vendet fqinjë Greqia dhe Kroacia kanë një turizëm të zhvilluar, Shqipëria mbetet një nga vendet më misterioze. Por, ata që do të shkojnë, do të gjejnë trashëgimi botërore të mbrojtura nga UNESCO, si qytetin antik grek të Butrintit, plazhe të praruara në bregdetin jonian, liqene madhështore malore, arkitekturë otomane dhe vendas miqësorë që ju orientojnë në drejtimin e duhur për ta zbuluar. Bëjeni këtë udhëtim përpara se bota të kuptojë se çfarë po humbet”.