“Teksti zhvillohet si një psalm i shenjtë, një varg fjalish të shkurtra, të gjata jo më shumë se një rresht. Ky kufizim e detyron autorin të mbajë njëfarë serioziteti, thekson tensionin, shmang shkarjet në lotime. Ky roman
magjepsës lexohet si të ishte një rrëfenjë e kaluar gojarisht nga babai te biri, një rrëfenjë që nuk duhet harruar”, – shkruan “Le Figaro” për romanin “Sharlota” të David Foenkinos, përkthyer nga Edmond Tupja e botuar nga “Pegi”.
Ky roman i veçantë rrëfen historinë e artistes Sharlotë Salomon, e lindur në
prag të Luftës së Dytë Botërore në Berlin, në një familje hebraike dhe të
traumatizuar nga disa tragjedi të brendshme. E dashuruar pas artit dhe vetë jetës, Sharlota rritet, edukohet dhe dashurohet marrëzisht në Gjermaninë e fillimit të nazizmit. Përkeqësimi i ndjeshëm i gjendjes, e shtyn atë drejt
arratisjes në Francë, ku në vetminë më të thellë, përjeton ethshëm kujtimin e
dashurisë e të braktisjes dhe krijon një sërë veprash autobiografike (imazhe,
fjalë dhe referenca muzikore), të cilat rrëfejnë gjithë historinë e jetës së saj.
Në këtë roman, Foenkinos i ka thurur lavde vajzës dhe gruas që mundohet të
jetë vetvetja, me pasion, delikatesë dhe një vëzhgim të imtësishëm të dhimbjeve të saj.
Edhe forma e këtij romani, prozë në vargje, duket sikur do të na kujtojë
forcën e artit për të na shpëtuar nga terri brenda nesh.
“Sharlota” u kthye në një fenomen letrar ndërkombëtar, duke fituar disa
çmime letrare (ndër to, Renaudot dhe Goncourt des Lycéens) dhe u bë një
bestseller i papritur.
Autori
David Foenkinos ishte profesor kitare para se të bëhej një nga shkrimtarët më
të njohur në Francë. Tashmë ai është autor i dhjetëra romaneve, të përkthyera
në tridhjetë gjuhë të botës. Me romani “Delikatesa” ai u bë një nga autorët më
të shitur në Francë. Suksesi i këtij romani, u ndoq më pas nga disa të tjerë. Në 2014, me “Sharlota”, Foenkinos-i shfaqi edhe përmasën e tij letrare, duke
korrur suksesin e dy çmimeve letrare shumë të rëndësishme, siç janë Goncourt
des Lycéens dhe Renaudot.