Rrëfimi i Serafinës, djali shqiptar që u bë vajzë: Dua të kem fëmijë, dashuria është njësoj

Një djalë shqiptar që është kthyer në vajzë ka rrëfyer jetën e vet në emisonin “Jo vetëm modë” të Floriana Garos. “Të jetosh nën hijen e mohimit nga shoqëria dhe nga familja nuk është e lehtë. Por edhe të jetosh një jetë të rreme si dikush që nuk je, nuk është normale”, ka thënë Serafina duke treguar se lindur si djalë, kurrë nuk është ndjerë si i tillë, por është ndjerë si një vajzë me feminilitet, që i pëlqen jeta si e tillë.
Serafina është një tranvestit që na tregon hap pas hapi, sfidat, vështirësitë, e mbi të gjitha këmbënguljen e saj që shoqëria dhe familja ta pranojnë për çfarë ajo ndihet.

-Përse vendose të ndash historinë tënde më në fund?
Serafina:“Vendosa sepse e shoh që njerëzit duhet të ndryshojnë dhe përse duhet të jetojmë një jetë të shtirur. Që dhe ne të jemi të lirë si çdo njeri, që edhe ne të kemi të drejtën që ta jetojmë jetën siç duam. Është koha e duhur që njerëzit duhet ta mendojnë”.

Kur e kuptove  që ishe ndryshe?
Serafina: Shikoja që në kopësht që vajzat pëlqenin djemtë dhe shikoja diçka tek vetja që unë nuk isha si gjithë të tjerët, por nuk e kuptoja se isha shumë e vogël. Pastaj duke u rritur, në moshën 12 – 13 vjeçare, në shkollë nisën paragjykimet, ofendimet dhe në atë kohë unë nuk e kuptoja përsenë, përse më ofendonin. Më pas filloi pjesa që kuptova se unë nuk pëlqeja vajza, por pëlqeja djem, por nuk e kisha kuptuar veten se çfarë jam. Më pas duke mësuar më shumë, pashë që më pëlqenin djemtë”.

Më i pranueshëm mund të ishte fakti që ti mund të ishe gay, pra jo tranvestit. Cili është ndryshimi?
Serafina: “Unë në fillimet e mija nuk e dija se çfarë isha. Por me kalimin e kohës e ndjeja që më pëlqenin meshkujt, por nuk doja që të isha mashkull vetë.”

Pra nuk doje të ishe mashkull dhe ky është ndryshimi?
Serafina: “Po, doja që të isha femër, e veshur si femër. E shikoja gjithmonë jetën si femër. Në hapat e para, kur e mori vesh familja kam qenë në moshën 14 – 15 vjeç, diskutoja gjithmonë me motrën, pasi kam qenë shumë i lidhur dhe ajo po fliste për të dashurin e saj, edhe më tha mua: “Po ti përse nuk flet për të dashurën tënde?”. Në atë moment u stepa dhe i thashë: “Shiko, do të të tregoj diçka, por nuk dua t’ia tregosh njeriu, të mbetet midis nesh. Unë nuk jam ai vëllai që do një femër, por jam ajo motra që do një mashkull.”

Ti tani je e veshur si vajzë, e lyer e rregulluar. A është kjo jeta jote? A vishesh gjithmonë kështu?
Serafina: “Po, ndihem vetvetja. Gjithmonë… kjo është çështja, që mua më mërzit dhe që do të doja shumë që unë të isha gjithmonë kështu”.

Po përse nuk je gjithmonë kështu?
Serafina: Nuk jam sepse nuk të lenë ta jetosh atë që do ti dhe kjo është gjëja më e keqe”.

Si nuk të lënë? Në ç’kuptim?
Serafina: “Nuk të lënë sepse të paragjykojnë.”

-Si je ndjerë ti e paragjykuar? Ke tentuar që, “dakord, njerëzit mendojnë kështu, por unë duhet të përpiqem që të jem mashkull”…
Serafina: “Jam përpjekur disa herë, por jeta nuk shtyhet me shtirje, nuk shtirem dot, për atë çfarë unë jam.”

Fakti që ti more iniciativën dhe guximin për të dalë në një emision televiziv, mendon se kjo do të jetë një shtysë që ti pastaj ta jetosh jetën tënde si femër, siç ke dashur gjithmonë, siç je ndjerë gjithmonë?
Serafina: “Mua nuk më ndalon asnjë mendim i të tjerëve, që ta jetoj jetën ashtu siç dua unë.”

-Por në fakt të ka penguar deri më tani…
Serafina: “Më ka penguar, por unë nuk mund që të shtirem për shkak të njerëzve dhe nuk do jem më ai që kam qenë, të jem kjo që jam, kështu siç më sheh.”

-Si është ta ndjesh dhe të jesh në trupin e gabuar?
Serafina: “Është njësoj si një njeri normal, si një djalë që dashuron një vajzë. Janë të njëjtat ndjenja, përveçse unë nuk dashuroj një vajzë, por dashuroj një mashkull. Është kaq e thjeshtë nëse e mendon, por njerëzit nuk e shohin ashtu siç duhet këtë pjesë.”

Kur e ke parë veten në pasqyrë si mashkull, të zhgënjen kjo gjë?
Serafina: “Më zhgënjen shumë, më duket tjetër personazh, nuk dukem vetja”.

Si e ke parasysh ti veten tënde?
Serafina: “Femër, kështu siç jam tani, ndihem shumë e lumtur. Ndihem shumë vetja. E ndjej..”

Mikeshat dhe miqtë e tu tranvestit kanë qenë pranë teje? I ndani ju eksperiencat bashkë?
Serafina: “Po. Unë asnjeherë nuk kam pasur një shok apo një shoqe heterosekual, sepse edhe nëse ata do të kishin një mendje të hapur, nuk do të më kuptonin.”

– Ke tentuar të flasësh me njerëz që janë heteroseksualë
Serafina:“Kam tentuar, por nuk jam ndjerë rehat, siç ndihem me shokët ose shoqet e mi tranvestit.”

-Cila është dita juaj? Aktivitetet tuaja?
Serafina: “Mblidhemi tek shtëpia e ndonjërës nga ne, lyhemi, vishemi, bëjmë sikur jemi femra. Pimë kafe, bëjmë sikur kemi dalë për kafe. Aventura që ndoshta për disa njerëz ngjajnë si lojëra fëmijësh, por për ne është diçka shumë e madhe, sepse ndihemi vetvetja, ndihemi të lumtur.”

– Marrim shumë të diskutuarën të Caitlyn Jenner, e cila ka qenë njerku i Kim Kardashian dhe në një moshë shumë të madhe ka vendosur që të kthehet në atë që është ndjerë gjithmonë. Ti nuk do doje që të kalonin gjithë këto vite edhe ta vuaje këtë gjë?
Serafina: “Jo. Tani është mosha më e bukur që ta jetoj jetën ashtu siç dua unë, i shoh si vitet më të bukura, sepse dua të rritem si femër. Ndërsa Caitlyn e kanë parandaluar, e kanë çuar gjithmonë nëpër sporte meshkujsh, që ai të bëhej sa më shumë mashkull. Gjithmonë ka qenë i shtirur dhe tani ka ardhur koha e tij që të bëjë ashtu siç ndihej”.

A ke patur marrëdhënie dashurore dhe intime me të tjerë tranvestitë apo me heteroseksualë?
Serafina: “Njerëz heteroseksualë jo, por djemtë që pëlqejnë trans dhe që nuk janë pak në numër. Unë e shoh jetën gjithmonë me një mashkull dhe që të krijoj një familje timen.”

-Si mund ta krijoje një familje tënden?

Serafina: “Me mashkullin që unë do të doja, duke adoptuar një fëmijë dhe duke e rritur vetë. Ky është mendimi që më shtyn që të eci përpara. Unë gjithmonë do të hedh hapin…”/klan/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *