Kur Robert Ndrenika lexoi tregimin e Ylljet Aliçkës “Një histori dashurie” e zgjodhi atë si një skenar të mundshëm për një film në të cilin kishte dëshirë të interpretonte. Pas bashkëpunimit te filmi “Parrullat”, Ndrenika dhe Aliçka rishfaqen së bashku në filmin “Lulet plastike”, ku Aliçka është skenaristi dhe regjisori, ndërsa Ndrenika, luan rolin e një burri në moshë nga fshati, që zbulon gjatë një dasme jetën mondane e snobe të qytetit.
Xhirimet janë realizuar në Tiranë e në Shëngjergj, ndërsa në film interpretojnë edhe princesha Elia Zaharia Zogu (si një vajzë moderne e snobe e qytetit), aktori Gent Hazizaj, aktorja Zana Prifti krah Ndrenikës të gjithë sjellin së bashku një histori dashurie, mbështetur në tregimin “Çifti” të Aliçkajt. Pas premierës së shfaqur mbrëmë në kinema “Imperial”, skenaristi dhe regjisori Ylljet Aliçka filmin “Lulet Plastike” do ta çojë edhe në festivalet ndërkombëtare të filmave.
FILMI
Është një film me metrazh të shkurtër: “Një histori dashurie” tregon 24 orë nga jeta e një çifti pleqsh nga fshati, zhytur në rutinën e përditshme, ku preokupimet e jetës nuk dallojnë nga njëra ditë në tjetrën, nga njëri vit në tjetrin, pasioni i vetëm të cilëve në këtë jetë mbetet “jeta me nder”. Sipas Aliçkës, rutina e çiftit ndryshon nga pjesëmarrja në një dasmë në kryeqytet. Në sinopsisin e filmit shënohet se “fjala është për një ftesë dasme që bëhet shkas i ‘zbulimit’ të njëritjetrit apo rigjetjes së ngrohtësisë njerëzore në gjirin e një urbanizmi frenetik të një bote gjithnjë e më të individualizuar”. Zhytur në vetminë e tyre, tek presin autobusin që do i kthejë në fshat, ulur të rraskapitur në trotuarin përvëlues të një pasditeje vere, pa formë, teksa e shoqja kotet mbi gjurin e plaku krenar, për herë të parë në jetën e tij, burri nga fshati “rizbulon” të vetja një ndjeshmëri të ëmbël ndaj gruas së tij, me të cilën jeton prej 50 vjetësh.
Kompozuar në formë lineare filmi nis me rutinën e jetës së çiftit të moshuar, për të vazhduar me udhëtimin mbi një kamion drush “për të nderuar martesën e një të afërmi në kryeqytet”. Ceremoninë e zhurmshme e dasmës mondane, thellon më shumë vetminë e çiftit të moshuar, braktisur nga vëmendja e dasmorëve mondanë. Dalin të fundit nga dasma, (për të kursyer paratë e hotelit) ashtu të përhumbur në një pejzash urban, ku dielli djeg pa mëshirë dhe kalimtarët e rastit kalojnë indiferentë, ata ulen të lodhur në një bordurë betoni, aty ku për herë të parë burri krenar nga fshati përkëdhel me dhembshuri gruan e tij të moshuar.
“Në një plan më të gjerë filmi synon që nëpërmjet dy të moshuarve të diagnostikohet tipologjia e urbanizmit frenetik modern, në një kohë shndërrimesh vlerash shpirtërore dhe orientimesh të reja morale, të një shoqërie ku zëri i individit mbytet nga zhurma e modernizmit fals. Një realitet mospërfillës ky, ku fati përcakton ndjeshmërinë e jetëve tona, në kërkim të një balance më të mire shpirtërore mes vetmisë dhe grupit”, shënohet në sinopsis. Në lidhje me stilin dhe tonin synimi artistik filmi realizohet përmes një përqasjeje realiste: portretet e çiftit të moshuar nga fshati, do tregohen pa solemnitet, përmes një gjuhe vizuale, me emocione që përcillen më tepër me anë të gjesteve.
Ndërthurja e dekorit rural me atë urban, plansekuencat, planet e mëdha, peizashi i spontan dhe realist është në funksion të botës së brendshme dhe veçorive të karaktereve të personazheve. Dialogët e kursyera, (gatigati një film i heshtur), montazhi i lehtë dhe linear mundëson daljen në sipërfaqe të zhgënjimeve të brendshme të heshtura të dy personazheve, duke vënë theksin në gjendjen e tyre emocionale. Filmi realizohet nën një ndriçim të ftohtë, ku muzika e zbehtë në sfond do zërë një vend të ndjeshëm.(Fatmira Nikolli-Gsh)