Ka reaguar këngëtarja Eneda Tarifa pas publikimit të intervistës në Amsterdam, ku ajo pati disa vështirësi me fjalët në anglisht. Përfaqësuesja e Shqipërisë në “Eurovision”, ka deklaruar se ndihej shumë e lodhur pasi kishte dhënë shumë intervista.
“(Por) edhe nëse unë nuk di anglisht, gjë që nuk është e vërtetë, nuk ka asgjë të keqe sepse jo të gjithë këngëtarët e Eurovisionit dinë të flasin rrjedhshëm anglisht ose edhe nuk dinë fare”- ka thënë ajo për Blitz.
“Si fillim dua t’ju them se gazetari dhe drejtuesit e tij na kërkuan falje për transmetimin e intervistës pa e edituar. Mund të ishte edhe e qëllimshme, nuk e di, por nuk ka asgjë të keqe të pyesësh për një fjalë që nuk po të kujtohet për momentin në gjuhë të huaj, sidomos nëse ke dhënë 20 intervista të tjera para asaj, të gjitha në anglisht. Isha aq e lodhur sa për një moment m’u kujtua filmi ‘Edhe kuajt nuk vdesin kështu’, por ju nuk keni nga ta dini këtë. Më habit fakti që mediat po mbushen me lajme “DNSH”-je se janë të varfër në informacion dhe mezi presin të gjejnë diçka për t’u kapur, kur fare thjesht mund të shihnin edhe intervistat e tjera që kam dhënë”- ka thënë ajo duke shtuar se nuk do të ndikohet nga vogëlsira të tilla, pasi qëllimi kryesor është përfaqësimi sa më dinjitoz i Shqipërisë në Eurovision.