Kryeministri i vendit, Edi Rama është shprehur nëpërmjet Facebook-ut mbi Maqedoninë dhe shqiptarët e atjeshëm. Në një kohë që qeveria shqiptare, Rama dhe Shqipëria sipas presidentit të Maqedonisë dhe disa politikanëve hungarezë kanë ndërhyrë në punët e brendshme të shtetit fqinj, Rama ka gjetur një mënyrë për t’u përgjigjur. Sipas tij, identiteti i vërtetë i shqiptarëve etnikë është frut i luftës për emancipim kulturor, arsimor dhe gjuhësor dhe jo i dyfekut të përçarjes apo mbisundimit mbi tjetrin. Së fundmi, presidenti Ivanov refuzon të mandatojë Zaev për të formuar qeverinë, me pretendimin se ka një projekt shqiptar që po implementohet në Shkup. Shqipja si gjuhë zyrtare- është një tjetër ngërç ne vendin fqinj ku shqiptarët bashkëjetojnë me maqedonasit.
Përmes rubrikës AMARCORD, Rama sjell një fotografi të Marubit, të bandës muzikore shqiptare. “Në mars 1912, 105 vjet më parë, banda muzikore shqiptare në Shkup i linte trashëgim historisë dhe mendjeve të ndriçuara, nëpërmjet kësaj fotoje të Marubit, mesazhin gjithmonë të vlefshëm, se identiteti i vërtetë i shqiptarëve etnikë është frut i luftës për emancipim kulturor, arsimor dhe gjuhësor dhe jo i dyfekut të përçarjes apo mbisundimit mbi tjetrin.
Megjithëse në distancë të barabartë mes Perëndimit dhe Lindjes, kjo është një nga vetitë që na bën parësisht europianë, të besës, paqedashës, shtetformues dhe universalistë kudo ku jemi autoktonë”, shkruan Rama.