Fishkëllimat e njohura në Festivalin e Filmit në Cannes janë dëgjuar të hënën mbrëma për filmin e ri të Kristen Stewart, “Personal Shopper”, shkruan usatoday.com. Bashkëpunimi më i ri i Stewartit me regjisorin francez Olivier Assayas është shoqëruar me fishkëllima në fund të premierës për mediat ndërsa edhe kritika është e ndarë. Stewart megjithatë është ulur në konferencën për mediat që u mbajt të martën dhe një prej gazetarëve ia ka përmendur regjisorit Assayas që fishkëllimat mbase kanë ndodhur për shkak të përfundimit të paqartë të filmit.
“Kjo ndodh nganjëherë kur njerëzit thjesht nuk e kuptojnë fundin”, është përgjigjur Assayas. “Për mua është shumë i qartë”. E gjatë shkëmbimeve të bisedave me Stewart, Assayas ka thënë se “kur vini në Cannes, ju në të vërtetë përgatiteni për gjithçka. Ju thjesht e ndiqni rrjedhën”. E Stewart është përgjigjur duke qeshur: “Jo të gjithë kanë fishkëllyer. Ta kemi të qartë”, shkruan “Koha Ditore”.
Stewart në “Personal Shopper” luan rolin e asistentes së një ylli të modës, e cila mund të komunikojë me shpirtrat. Filmi është në garë për çmimin kryesor të festivalit, “Palme d’Or”. Drama e mbushur me superfuqi është filmi i dytë në të cilin Stewart ka bashkëpunuar me Assayas, pas rolit shumë të lavdëruar të saj në “Clouds of Sils Maria” të vitit 2014.
Në kritikën që Ben Croll ia ka bërë “Personal Shopper”, ai ka ngritur pyetjen nëse filmi e meriton talljen dhe është përgjigjur se nuk e meriton.
“Por do ta përmend se me gjithë meritat, ‘Personal Shopper’ është një lloj kaosi i nxehtë”, ka shtuar Croll.
Në artikullin e publikuar në “Variety.com”, filmi është përshkruar si “rrëfim i thyer horror por asnjëherë monoton, dramë e zymtë që zhvillohet në vendin e punës dhe kërkim eliptik për identitetin, që është gati të shndërrohet në një prej filmave më izolues në karrierën e Stewartit”. Filmi është dhënë premierë botërore të martën mbrëma. Stewart po ashtu ka qenë e pranishme në hapjen e Festivalit të Cannes me filmin “Café Society” të Woody Allen. Për “Palmën e artë” në garë janë 20 filma. Mes tyre “Toni Erdmann” i gjermanit Maren Ade, “Julieta” i spanjollit Pedro Almodovar, “American Honey” i britanikut Andrea Arnold, “The Unknown Girl” i vëllezërve belgë Jean-Pierre dhe Luc Dardenne, “It’s Only The End Of The World” i kanadezit Xavier Dolan, “Paterson” i amerikanit Jim Jarmusch, “Rester Vertical” i francezit Alain Guiraudie, “Aquarius” i brazilianit Filho Kleber Mendoncha, “Mal de Pierres” i francezes Nicole Garcia, “I, Daniel Blake” i britanikut Ken Loach, “Ma’Rosa” i filipinezit Brillante Mendoza, “Matura” i rumunit Cristian Mungiu, “Loving” i amerikanit Jeff Nichols, “Agassi” (The Handmaiden)” i koreano-jugorit Park Chan-Wook, “The Last Face” e amerikanit Sean Penn, “Sieranevada” e rumunit Cristi Puiu, “Elle” i holandezit Paul Verhoeven “The Neon Demon” i danezit Nicolas Winding Refn dhe “Ma Loute” i francezit Bruno Dumont.