Poezitë e burgut të Amik Kasoruhos: Nanë ti qan për dhimba t’mia, unë qeshem me jetën

Mes 21 titujve të rinj që ka botuar Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, është edhe një botim me poezi nga Amik Kasoruho “Shkëndijëzat mes errësirës”. Tufa tha se është një libër i lënë prej përkthyesit e shkrimtarit në dorëshkrim. “Janë poezitë e burgut të Amik Kasoruhos. Botohen për herë të parë botohen”. Në parathënie të këtij libri, Meri Lalaj shkruan se ishte befasi e këndshme kur një ditë Xhovana Kasoruho i dha një dosje të mbushur plot me fletë të shkruara me dorë dhe me makinë shkrimi.

“Nuk prisja të gjeja poezi kaq të fuqishme, në mendim dhe ndjenjë, poezi të shkruara në moshë fare të re, 18- 19 vjeç”. Poezitë e para zënë fill në burgun e Burrelit, në vitin 1953 dhe më tej, ato janë shkruar gjatë viteve deri më 1955. Ndërsa, Amiku gjatë jetës nuk ka botuar asnjë poezi, ai ka përkthyer “Lartësitë e stuhishme” të Emili Brontesë, pesë botime nga Harold Robbins, Pirandellon, “Damka e Turpit” e Nathaniel Hawthorne, etj., ai ka botuar edhe esenë dokumentare “Një ankth gjysmëshekullor. Shqipëria e Enver Hoxhës”, “Drita e Zotit dhe terri i njeriut”, romanin “Ikje nga trilli i perëndive”, “Pa mëri, publicistika e jetës sime”, etj.

Disa prej poezive janë shkruar në gjuhë letrare e të tjera janë shkruar në dialektin gegë. “Më bëri përshtypje”, thotë Lalaj, – “gjirokastriti që shkruan në gegërishte të mirëfilltë duke iu përmbajtur drejtshkrimit të para vitit 1972 dhe më vonë sipas normave të drejtshkrimit standard”. Ajo shënon se pjesa e parë u përket poezive të burgut dhe ashtu siç kishte shkruar Amiku tek një fletë, janë lënë me titullin “Shkëndijëzat përmes errësirës”. Aty, ai u shkruan shokëve të tij, bashkëvuajtës si Tefik Gabrani, Lorenc Vat Dedës, miqve S.A. dhe K.K po ashtu edhe “Nji malcueri qi i njoh veç zanin”. Në një poezi ai shkruan: “… natën, në terr, un hekrat s’i paç shque/ E as të zbem’t qi f’tyrat na i mblon;/ E tash, o mik, qe tash qi agu u çue,/ Un prap mednon se jash përtrihet jeta/”.

Te poezia me të cilën hapet libri, nën titullin “Kushtim” ai shkruan për njerëzit:
“Më lindi jeta./ I këndova rrugëve të fatit/ Le të jehojnë zërat e njerëzve/ Atyne u kushtohen: njerëzve qi i kam dasht aq fort sa t’harroj edhe se më kanë ba me vuejtë”(1956, e nënshkruar si Amik Qemal) Te pjesa e dytë janë renditur poezitë për nënën dhe babain. I ati i Amikut, Qemal Kasoruho u pushkatua për shkak të atij që njihet si incidenti i bombës në ambasadën sovjetike, në kohën kur vetë Amiku ishte i burgosur.

Në poezinë “Atit tem” ai shkruan:
“Tash srish fëmi e ndiej un vedin prore/ kur mundi m’fal at jetë qi ti bore/ o Ati im qi u trete/ e rri mendon e nis e flas me vete./ Si, kur kërthi, mbërthye më kish kllapija; deh kthen e bjena gazin prap t’u shpija!/ A s’lodhe tue kundrue/ ndër qjeje amshimi at hir që nuk u shue?” O kish ta dishe lotin qi s’loton/ si sytë verbue i a pati nan’s, si vlon/ kjo zemër e tyt biri/ kah rri e vron si nalt ndër qieje hiri/.

Në një tjetër poezi me titullin “Atit tem”, ai thotë:
Ti shkove: larg t’u tret hovi yt i dlirtë;/ ndër qiej të tretun pagjën e amshueme/, andjen e mbrame, ndieve, shpirti i flurtë…/ Ty jeta t’la: nji hije endacake/, me njolla gjaku të pluhnuem mbi tokën e tmerrueme brodhi heshtas/…

Viset e largta ku qeton prendimi/ për ne, mortar’t, për ty janë ag pa mort./ E ti kundron se jeta urdhnin tand, me e dashtë të mirën, ruen ndër stina t’reja/ e ti lumnon: në t’kthjelltën pafundsi/ po gjen nj’at pagjë që qi t’iku, pse të vranë!/ (Tiranë Fruer 1956)

Veç të atit, ai i shkruan edhe së ëmës.

Ti qan për dhimba t’mia?/
Unë qeshem, nanë, me jetën/
Unë qeshem pse dashnija
Të dashtun ma bjen tretën
Kur lumturi s’andrroj

(Fatmira Nikolli/ Gazeta Shqiptare)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *