Disidenca kubane është trajtuar në revistën POETEKA 38. Janë zgjedhur disa poezi nga poeti disident Felix Luis Viera.
I lindur në Santa Clara, në Kubën qendrore më 1945 poeti disident kubanez në vitin 1995, kur bënte pjesë në një delegacion artistik në Meksikë, refuzoi të kthehej në Kubë dhe mori shtetësinë meksikane. Ka qënë anëtar i Bashkimit të Shkrimtarëve dhe artistëve të Kubës. Ka shkruar romane dhe poezi të cilat janë përkthyer në disa gjuhë.
Në poezitë e tij përkthyer nga Maks Rakipaj ai i drejtohet miqve disidentë me fjalët “Mos shfaq në sytë e tu të përhumbur gurin e humbur të varrit,
as dhimbjet e çdo dite dhe të çdo viti
që të kanë cfilitur“.
Në poezinë “Kurva të Kubës” ai thotë “kurva të dlira të atdheut tim,
nga larg, nga i pafundmi Qytet i Meksikos ju përshëndes
ju dua së largu
o vajza, që si unë, ëndërruat një të ardhme të artë,
por patëm të njëjtin fat“. Ironia, fatkeqësia e metafora e dhimbshme i bashkon poetin me ‘kurvat’ që siç thotë ai janë “inxhiniere, mjeke, gjuhëtare, ekonomiste, të diplomuara,
të mjera… Diku ai shënon si për t’i thënë edhe vetes se “o vajza
adoleshente, prindërit ju thanë juve që s’do ta njihnit/ kurrë urinë/ dhe uria/
qe një problem vetëm për të tjera vende/
prindërit tuaj ju thoshin/ se ata, të cilëve ju jepeni sot për pak/ dollarë,/ qenë të mjerë që vuanin nga uria/.
Mbase, Kuba e tij e vërtetë është ajo në poezinë më poshtë:
KARTOLINË NGA KUBA
Dikush më dërgon një kartolinë nga atdheu im
dhe më thotë se atje qenka ende si në këtë kartolinë:
Është pamja e një femre të bukur me rroba banje,
që shëtit në një plazh pa fund.
Një femër që për tre dollarë ja jep kujtdo.
Rapsod që kurrë këngën s’e ndal.
Dhe Tirani, nga tribunë e lartë
krrokat, krrokat, krrokat.