Filmi “Tri dritare dhe një varje” i regjisorit Isa Qosja është shpallur si filmi më i mirë në Festivalin “Cinema du Monde” në Sherbrooke të Kanadasë. Në përkthimin frëngjisht “Trois fenêtres et une pendaison”, filmi kosovar ka qenë në mesin e katër çmimeve që ky festival ka ndarë në natën e tij të fundit.
Filmi artistik i metrazhit të gjatë “Tri dritare dhe një varje”, është me skenar të Zymber Kelmendit dhe regji të Isa Qosjës dhe flet për pasojat e dhunës seksuale të ushtruar nga serbët.
Në këtë film kanë luajtur interpretojnë aktorët: Irena Cahani, Luan jaha, Aurita Agushi, Donat Qosja, me producentë: Shkumbin Istrefi e Mentor Shala.
Ky film flet për Lushen, mësuesen e fshatit, e shtyrë nga ndërgjegjja dhe nevoja e saj për rikthimin e dinjitetit, deklaron para një gazetareje të huaj se ajo dhe tri gra tjera të fshatit janë viktima të dhunimit nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kjo deklaratë, e cila konsiderohet si turp nga mentaliteti, shkakton shqetësim tek burrat e fshatit, të cilët nën udhëheqjen e Ukës, fillojnë stigmatizimin e saj dhe kërkojnë largimin e saj nga fshati.