“Pas kryeveprave italiane, edhe Piccaso e Caravaggio në Tiranë”

Një staf i tërë i ri ka mbërritur në Galerinë Kombëtare të Arteve bashkë me ekspozitën “Kryeveprat italiane të 900-ës”. Gjithë ç’i ka munguar institucionit që nga jashtë i ngjan ende një godine të lënë në harresë, nga brenda merr jetë: guida të reja me uniforma, sallë me ndriçim profesional, bileta me kasë, sistem ajri të kondicionuar, për të mbërritur tek ambientet e shumta ku kryeveprat – në pikturë a skulpturë i ekspozohen publiku shqiptar për herë të parë.
Artan Gaçi, nga Grupi Parlamentar për Mbështetjen e Investimeve Italiane, një ndër organizatorët e ekspozitës së ardhur nga Galeria e Artit Modern në Romë, flet për jetë kulturore të varfër në Tiranë (edhe pse Ministrja e Kulturës me gjasë nuk do ishte dakord) dhe thotë se realizimi i kësaj ekspozite u hap rrugën të tjerave më të mëdha në të ardhmen, pasi provohet një histori suksesi. Gaçi, nuk jep të dhëna për vizitorët ditorë, por jo zyrtarisht mësohet se janë më shumë se 300 vizitorë në ditë.
Midis pikturave, skulpturave, akuareleve dhe skicimeve, rrugëtimi ekspozitës – kuruar nga Arianna Angelelli, Maria Catalano dhe Federica Pirani – hulumton përmes kulturës artistike, e cila i ka rrënjët e saj në Romë dhe në Itali në gjysmën e parë të shekullit të XX. Figurat femërore të mrekullueshme, portretet e personazheve të famshëm, natyrat e qeta, pamjet e Qytetit të Përjetshëm dhe të fushave romane: janë këto temat dhe subjektet që kanë kontribuar në afirmimin e artistëve të mëdhenj si Giacomo Balla (Ritratto di Nathan, 1910 – Portreti i Nathan-it), Carlo Carrà (Partita di calcio, 1934 – Ndeshje futbolli), Giorgio de Chirico (Combattimento di gladiatori, 1933-1934 – Ndeshje gladiatorësh), Filippo de Pisis (Natura morta – pesci e bottiglia, 1925 – Natyrë e qetë – peshq dhe shishe), Giuseppe Capogrossi (Giuochi del 1935 – Lojëra), Renato Guttuso (Tetti di Roma, 1957-59 – Pullazet e Romës) e Adolfo De Carolis (Donna con fiori – Nudo di donna con rose, 1910 – Grua me lule – Nudo gruaje me trëndafila). Në ekspozitë gjenden edhe veprat e Antonio Donghi, Afro, Duilio Cambellotti, Franco Gentilini, Felice Casorati, Enrico Coleman, Fortunato Depero, Vittorio Grassi, Achille Funi, Carlo Levi, Giacomo Manzù, Alberto Savinio, Tato e Giulio Turcato, e vetëm për të përmendur disa nga mbi 60 protagonistët e pranishëm në ekspozitë. Nëpërmjet gjashtë seksioneve – Natyralizmi i Vonë dhe Simbolizmi, Secesioni Roman, Futurizmi dhe Aeropiktura, tradita italiane dhe dialogu me antiken, Shkolla Romane, Figuracioni dhe Abstraksioni – ekspozita paraqitet si një unicum dialogu ndërmjet lëvizjeve të ndryshme artistike që
zhvillohen gjatë Nëntëqindtës.

-Standardi i ri në GKA, nga guida, te vijëzimet për largësinë e duhur me veprat, sistemi i ajrimit, ndriçimi, alestimi, si u bë i mundur?

Standardi erdhi si nevojë e hapjes së një ekspozitë si kjo. Kjo nismë mori jetë një vit më parë, me kontaktet me grupin ‘Artemisia’ bashkë me kryeministrin, të cilëve iu kërkua bashkëpunimi për të organizuar një ekspozitë të rëndësishme në Shqipëri. Ne tentuam të sillnim muzeun Picasso, por ishte një kërkesë gati e parealizueshme për ne. Përgjigja që erdhi nga muzeu Picasso që ishte dashamirëse, por na thoshte se: ‘Nuk mund të bëjmë eksperimente në Shqipëri, në një vend ku standardet e muzeve akoma lënë për të dëshiruar, ku mungon kultura e ekspozitave dhe e vajtjes në ekspozita, ndaj nuk bëjmë dot eksperimente. Kjo qe vështirësia që hasëm në të gjithë muzetë e Europës, të cilët ishin sinqerisht shumë dashamirës, pranonin edhe të ulnin disa kërkesa, por nuk pranonin që të ishin ata që të bënin eksperimentin e parë. Nuk dinin si do pritej, nuk dinin si do ishin masat e sigurisë, standardet e galerisë.

-Në fakt, standardet e galerisë nuk ishin ato që duheshin?

Ky ishte problemi më i vogël, sepse është diçka teknike që zgjidhet. Problemi më i madh ishte që këto kryevepra t’i sillnin në Shqipëri, një vend me shumë probleme sipas tyre. Na është dashur një punë e madhe me grupin ‘Artemisia’, për t’i bindur dhe garantuar dhe me kontratat paraprake që kemi pasur, ku ne jemi zotuar që do të plotësojmë çdo lloj standardi që nga transporti, siguria e tek pjesa teknike që janë kushtet e galerisë, temperatura, lagështira, kontrolli, stafi, personeli, sipas standardeve europiane, etj.
Me hapjen e kësaj ekspozite kemi arritur dy gjëra: e para, që një muze i rëndësishëm siç është Galeria e Artit Modern në Romë, të besojë e të sjellë 102 vepra në Shqipëri dhe kjo vendos një standard e krijon një pasaportë për të shkruar te çdo muze i botës me një histori të provuar, e dyta – arritja e një standardi ndërkombëtar i ‘facility report’ të GKA-së për të gjitha masat e ndërhyrjet që kemi pasur për këtë sallë. Shpresojmë të rikthejmë artdashësit shqiptarë dhe të rinjtë te këto evente. Fatkeqësisht ne jemi ç’mësuar nga eventet kulturore e artistike, që janë një ushqim shpirtëror i rëndësishëm aq më tepër te ne, ku vakumi është i madh pasi eventet në Tiranë janë pak, s’di ku të shkosh.

-Si ka ecur në ditët e para ekspozita?

Është realizuar me shumë seriozitet në çdo detaj dhe duke qenë se ishte ekspozita e parë, eventi i parë serioz i këtyre përmasave, duke njohur logjikën shqiptare dhe përvojën e “Artemisia Group”, këmbëngulëm që ekspozita të jetë serioze në çdo detaj. Nuk mund të hapnim ne një ekspozitë të Pikasos me vizatime të Picasso-s të një niveli të dytë – por nëse do hapësh, do e hapësh me kryevepra të nivelit të parë. Pastaj këto 27 vite, përpikmëria, protagonizmi fals e ka rritur mosbesimin e shqiptarëve për shkak të përpjekjeve për manipulim. Ndaj, kjo duhej të ishte serioze. Vetëm në dy ditë ka vizitueshmëri jashtë çdo parashikimi, ka grupe e jo vetëm. Është në nivelet më të mira edhe për në Itali, ku ka numër më të madh të popullsisë.

-Pse do shërbejë ky event?

Ka një mijë arsye pse duhet të investohet në art. Është ndihmë e madhe për artistët e artit figurativ, që këto 30 vite kanë ngelur në hije dhe vegjetonin me vështirësi shumë të mëdha dhe me largim të madh nga vizitorët e artdashësit. Ky event do shërbejë si një tërmet për të shkundur vizitorët për t’i afruar më shumë tek arti pamor.

-Mbase duke shkundur/afruar edhe më shumë sponsorët?

Sigurisht edhe sponsorët, por e para vizitorët; e dyta sponsorët, pa ndihmën e të cilëve nuk do ishte e mundur sigurisht. Në Shqipëri ka njerëz që me një telefonatë kanë pranuar të japin shifra të konsiderueshme për një ekspozitë, vetëm duke besuar tek serioziteti i projektit, pa e parë dhe pa e ditur që do të ishte vërtetë kaq serioze.
Edhe biznesmenët shqiptarë kanë arritur në një pikë, ku nuk shohin vetëm fitimin, por duan të bëjnë e të kontribuojnë për të ngritur jetën kulturore në kryeqytet.

-Është hera e parë që në këto katër vite ka një vëmendje kaq të madhe ndaj një ekspozite. Përveç faktit që janë veprat të ‘900-ës italiane, a ka ndikuar promovimi tek vizitorët e interesi i treguar – kemi parasysh që është hera e parë që përfshihet kryeministri, ministri, kreu i bashkisë, ambasada – të gjithë për një ekspozitë?

Jam shumë dakord. Normalisht që kjo nuk bëhet, se po të ishte për t’u bërë pa ndihmën e këtyre faktorëve, do të ishte bërë me kohë. Kuptohet që arti është me humbje, ndaj do mbështetje. Kryeministri ka qenë në krye të këtij projekti, bashkë me kreun e bashkisë, që është i interesuar për jetën në qytet e ai këmbënguli që bileta për nxënësit të ishte vetëm 100 lekë, po ashtu Ministria e Kulturës që ka bërë punë të jashtëzakonshme për krijimin e kushteve të organizimit të eventit.
Kuptohet që nuk do duhet në të ardhmen e njëjta sforco, sepse pas një viti apo dy vitesh kur ne të kemi krijuar besueshmërinë, standardet dhe kulturën e njerëzve për të vizituar ekspozitat. Të paktën për herën e parë, edhe kryeministri si artist e kishte detyrim edhe personal të bënte diçka për artin figurativ në mandatin e tij të parë.
-Po Picasso do sillet, ka projekt?
Do jetë më e thjeshtë për ta sjellë Picasson. Që në këtë moment grupi ‘Artemisia’ ka dy projekte, njëri është për të sjellë një kryevepër, brenda dy muajve, një kryevepër në nivel botëror. Ende nuk e kemi të sigurt, nuk dimë sa do ia arrijmë.

-Doni të sillni Leonardo Da Vincin?

Jo, mbase Caravaggio-n, por fazën e parë e kemi kaluar, besueshmërinë, transportin, siguracionin, etj., pjesa tjetër e vështirë është që Caravaggio është një ndër piktorët më të kërkuar që nuk ka shumë vepra dhe veprat e tij prenotohen nga muzetë e botës dy vite përpara. Do përpiqemi të gjejmë një hapësirë. Tjetra, është një ekspozitë për familjarë.

-Nga investimi i bërë për këtë ekspozitë, çfarë i mbetet galerisë?

Një pjesë e madhe e punimeve i mbeten, një pjesë tjetër janë sjellë nga Italia, janë huazuar. Ndriçimi është sjellë nga Italia, ndërsa sistemi i kondicionimit, për 7 vite i ngelet galerisë.

– Një ndër problemet e realizimit të ekspozitës ka qenë ‘facility report’ dhe përmbushja e këtyre kushteve. A është përdorur GKA në këtë rast si sallë e bollshme ekspozimi?

Ka qenë e vështirë, janë bërë ndërhyrje, janë rregulluar muret e jo vetëm. Kemi bashkëpunim me GKA-në, ndërsa MK-ja ka mbajtur një barrë të madhe sepse ka pasur shumë probleme dhe kushtet e kërkuara ishin të larta.

-E shkuara juaj lidhet me skulpturën. Jeni ende sot i dhënë pas saj?

Isha në Akademi, por pasioni e dëshira u ndërpre me ngjarjet e viteve 1990 dhe nga ai moment s’jam marrë e më. Kam qenë një nga aktivistët e asaj kohe, s’jam marrë më e as nuk jam ushtruar. Ngelet pasioni e dashuria e për t’u marrë. Kam përfunduar një galeri private arti në Petrelë me përmasa më të vogla.(Fatmira Nikolli-Gazeta Shqiptare)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *