Ditën e djeshme historiani Arben Llalla shkroi se në një takim në komunën e Pogonias (Voshtina) të Greqisë, në bashkëpunim me Federatën Epirotase organizojnë një aktivitet kulturor të kësaj treve, ku sipas tij, Panajot Barka “akuzoi shqiptarët se janë hajdutë të polifonisë greke duke e pagëzuar si iso-polifoni shqiptare”. Sipas Llallës, “Barka ka kërkuar që Greqia të hedhë në gjyq në Gjykatat Ndërkombëtare për këtë vjedhje Shqipërinë, si dhe heqjen nga UNESCO të Iso Polifonisë Popullore Shqiptare. Gjuha e përdorur nga profesori i Universitetit të Gjirokastrës Panajot Barka ishte nxitje e urrejtjes mes dy popujve”.
Mbasi jep vlerat e iso-polifonisë dhe risjell në kujtesë shpalljen e saj si pasuri botërore e UNESCO-s, historiani Llalla shënon: “(Por) vjen një ditë që disa ekstremistë grekë të nxitur nga Panajot Barka dhe të përkrahur nga drejtuesit e institucioneve shtetërore dhe fetare të Greqisë, si Mitropoliti i Konicës, Andreas kërkojnë heqjen e kësaj iso-polifonie shqiptare, madje e quajnë iso-polifoni greke.
Greqia dhe grekët pasi u kanë vjedhur ndër shekuj shqiptarëve bijtë e saj, traditat, kulturën dhe trojet, deri djathin e bardhë, tashmë duan t’i vjedhin edhe shpirtin e zërit”.
“Gazeta Shqiptare” ka kërkuar një reagim nga Panajot Barka. Ky i fundit u është përgjigjur tri pyetjeve në lidhje me deklaratat e tij në Greqi, duke prezantuar atë që sipas tij është dhe përfaqëson iso-polifonia. Barka tha dje se “unë fola me gjuhën e multikulturës, që është fryma më evropiane, dhe e klasifikova këngën polifonike si etalonin e multikulturës në të cilën priret sot kultura evropiane dhe botërore dhe se Epiri e zotëronte këtë vlerë që nga lashtësia.
Në këtë kuadër thashë se fatkeqësisht, kjo është konsideruar vetëm si këngë shqiptare, dhe jo si këngë e Epirit në përgjithësi”. Barka tha se “e konsideroj të gabuar dhe në shërbim të nacionalizmit qëndrimin e kundërt, madje të gabuar kur kënga polifonike konsiderohet si këngë jo e Epirit si krahinë unike me një trashëgimi që vjen që nga koha tutje e antikitetit, që nga koha e Dodonës”. Më poshtë intervista e tij për “GSH”.
Intervista
-“GSH”: Në portale qarkullon një deklaratë e juaja sa i takon iso-polifonisë, që ajo të hiqet nga UNESCO. Është e vërtetë që ajo është deklarata juaj?
Nuk e kuptoj saktësisht për se bëhet fjalë dhe kujt i referoheni. Nëse keni parasysh një ndërhyrje timen në një simpozium lokal në Ktismata të Greqisë, një nga vatrat më të gjalla të polifonisë së Epirit, atëherë ndihem i fyer. Në atë ndërhyrjen time unë parashtrova tezat e njohura të miat për polifoninë. Unë e konsideroj këngën polifonike si emblemën e gjallë të Epirit, si një element të karakterit diakronik multikulturor të Epirit. Për mua nuk ka rëndësi se në çfarë gjuhe këndohet. Si e tillë ajo nuk pyet për kufij, gjuhë, paragjykime. Madje theksova se një tregues për këtë është edhe fakti se në pjesën jugore të Epirit vitet e fundit ka një pëlqim të polifonisë të shoqëruar me saze të ardhur nga zona e Përmetit dhe Ersekës, ndaj çdo paragjykim është diskriminim ndaj polifonisë, ashtu siç është diskriminim çdo përpjekje për ta quajtur atë pronë të dikujt dhe në një territor të ngushtë. Pra unë fola me gjuhën e multikulturës, që është fryma më evropiane, dhe e klasifikova këngën polifonike si etalonin e multikulturës në të cilën priret sot kultura evropiane dhe botërore, dhe se Epiri e zotëronte këtë vlerë që nga lashtësia.
Në këtë kuadër thashë se fatkeqësisht, kjo është konsideruar vetëm si këngë shqiptare, dhe jo si këngë e Epirit në përgjithësi. Unë nuk besoj se ka diçka të keqe në këtë mes, sepse kjo është një e vërtetë. Unë kam diskutuar me Vaso Tolen kur i kam përkthyer librin në greqisht në lidhje me polifoninë. I kam bërë të njëjtat vërejtje në këtë përkthim. Pra, e konsideroj të gabuar dhe në shërbim të nacionalizmit qëndrimin e kundërt, madje të gabuar, kur kënga polifonike konsiderohet si këngë jo e Epirit si krahinë unike me një trashëgimi që vjen që nga koha tutje e antikitetit, që nga koha e Dodonës, kur nga kjo polifoni e Epirit lindi muzhika e Pitagorës dhe harmonia greke në përgjithësi, ku u mbështet në vijim gjithë arti muzikor botëror. Këtë qëndrim mbaj në studimet e mia për këngën polifonike. Unitet dialektik multikulturor në një diakroni tutje kufijve historikë dhe mitologjikë. Them që sot në Epir këndohet në tri gjuhë, ashtu siç e provoj që ka një hartë-shtrirje pothuaj sa perandoria e Aleksandrit të Madh. Them edhe që është gabim në qoftë se do ta konsiderojmë këngën polifonike si këngë shqiptare, si këngë greke. Është element i multikulturës, që është karakteristikë e Epirit.
-“GSH”: Pra ju nuk keni thënë në atë takim që të hiqet iso-polifonia nga UNESCO?
Kjo është marrëzi! Unë thashë që iso-polifonia, të jetë në UNESCO, por të jetë me të gjitha tiparet karakteristike të saj, të cilat i përshkrova më sipër. Ka një dallim shumë të madh njëra me tjetrën. Me këtë temë dhe me këtë qëndrim unë kam bërë referime në Kosovë, në Shkup, kam shkruar artikuj në shumë revista ndërkombëtare – se e konsideroj si vlerë të qenësishme multikulturore. Atë që kërkon bota sot, ne e kishim shekuj përpara.
-“GSH”: Në kushtet që dihet debati që ngjallet në Shqipëri ose mënyra se si njihet në Shqipëri ajo që quhet zonë e Epirit dhe pretendimet greke, a ka vend për keqkuptim nga deklaratat tuaja?
Këto janë qëndrime të atyre që ‘nuk kanë miell të stisin dhe merren me krundet’. Nuk ka pretendime të tilla që të përfaqësojnë politikën serioze greke. Ato janë në kokat e atyre që duan të mbijetojnë politikisht, strehë e tejkaluar. Nëse ka elementë të tillë në Greqi, ata janë shumë më të pakët se ata në Shqipëri që pretendojnë se kufiri i Shqipërisë është deri në Peloponez. Këto nuk janë gjëra që i atribuohen një profesori ose një autoriteti shkencor. Këto janë gjëra me të cilat merren njerëz të cilët nuk kanë as nivel, as kulturë, por që përpiqen të mbijetojnë me gjënë më të thjeshtë, që është nacionalizmi. Argumenti shkencor kërkon argument shkencor, dhe jo abuzime nacionaliste.(Fatmira Nikolli- Gazeta Shqiptare)