“Ka nga ata që janë të aftë të ecin mbi likuide, mbi troje të lëngshme – po ne jemi qenie njerëzore e kemi nevojë t’i mbështesim fort të dyja këmbët mbi toka të patundshme” – Zygmunt Bauman.
Filozof e sociolog që ka mundur të interpretojë më së miri kaosin e pasigurinë që rrethon shoqërinë tonë sot, e pat bërë atë nëj ndër njerëzit tek i cili shumëkush ishte sy e veshë në pritje për të mësuar sa më shumë mendimin e tij postmodernitetin- i cilësuar territor i paqartë, i populluar nga një ushtri konsumatorësh, që s’lënë gjë pa bërë për t’i përngjarë njëri-tjetrit. Ai është marë gjatë edhe me raportin ndërmjet modernizmit dhe totalitarizmit mbasi ish parë më herët si mendimtar me formim marksist.
Veprat e tij më të njohura janë “Modernizmi dhe Holokausti”; ”Dashuria likuide – Mbi brishtësinë e lidhjeve afektive”, ”Jeta likuide”, ”Vetmia e qytetarit global”, ”Shoqëria e paqartësisë”, ”Gjendja e krizës”, ”Për të gjitha shijet – Kultura në moshën e konsumit”, ”Të huajt te porta” e të tjera.
“Shoqëria e individualizuar likuido-moderne e konsumistike është vend ku prodhohen qenie njerëzore, të paracaktuara të përdoren si hedhurina: kryesisht refugjatët e emigrantët, të cilëve u mungon çdo mjet jetese e flaken tutje ose mënjanohen në skajet e skutat e shoqërisë, ku vlerësohen si hedhurina”.
I ndarë nga jeta këtë vit, duke lënë një boshllëk të ndjeshëm në atë që ishte fusha e tij e studmit por edhe për mendimin që përcillte, Zygmunt Bauman vjen në gjuhën shqipe përmes një teksti tjetër. “Pika pa sipërfaqe” botojnë së shpejti librin “Moderniteti i lëngët” të tij, përkthyer nga Dritan Xhelo.
Në këtë tekst të rëndësishëm, Zygmunt Bauman fut një koncept që e ka përcaktuar më shumë se çdo koncept tjetër vizionin e tij për shoqëritë bashkëkohore: moderniteti i lëngët. Tranzicioni nga moderniteti “i ngurtë” në atë “të lëngët” është zhvendosja nga një botë në të cilën njerëzit përpiqen të krijojnë struktura të ngulitura e të mirërenditura, në një botë ku vetë idetë e rendit dhe stabilitetit nuk kanë më kuptim, një botë në të cilën ndryshimi është e vetmja qendrueshmëri dhe pasiguria e vetmja siguri. Njëqind vjet më parë, “me qenë modern” nënkuptonte përpjekjen drejt përsosmërisë; sot nënkupton një modernizim kompulsiv, të përhershëm, pa kurrfarë përfundimi të dukshëm apo të dëshirueshëm.
Në “Moderniteti i lëngët”, Bauman zhvillon dallimin midis modernitetit të ngurtë dhe atij të lëngët, duke u përqendruar në pesë koncepte që kanë shërbyer për t’i dhënë kuptim jetës sonë të përbashkët: emancipimi, individualiteti, koha/hapësira, puna dhe bashkësia (komuniteti).
Zygmunt Bauman (1925-2017) ka qenë profesor nderi i sociologjisë në Universitetin e Lidsit dhe Varshavës. Në veprimtarinë e tij të gjatë, ai ka spikatur si një ndër sociologët bashkëkohorë më të rëndësishëm e më me ndikim.
Pas “Moderniteti dhe Holokausti” (nëntor 2015), ky është teksti i dytë i këtij autori i botuar nga “Pika pa sipërfaqe”.(pasqyre.al)