Nis restaurimi shkollës së parë shqipe- Stubëll tradita e arsimit nisi prej 1584

Në Stubëll të Vitisë kanë filluar punimet në restaurimin e objektit të shkollës së parë shqipe në Kosovë. Me këtë rast kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti i shoqëruar nga drejtoresha për kulturë, Kaltrina Sylejmani kanë vizituar këtë objekt që është në listën e objekteve të trashëgimisë kulturore shkruan “Koha Ditore”. Sokol Haliti, kryetar i Komunës së Vitisë, ndër tjerash ka thënë se është e një rëndësie të veçantë të investohet në ruajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore siç është shkolla e parë shqipe në Stubëll.
“Më të vërtetë objektet, sikurse kjo e shkollës së parë shqipe kanë një rëndësi të veçantë për historinë tonë andaj është e një rëndësie edhe më të veçantë që ti ruajmë ato”, u shpreh kryetari Haliti, shkruan Kultplus. Ndërkaq, drejtoresha për kulturë, Kaltrina Sylejmani ka thënë se duke e ditur rëndësinë që ka ky monument, MKRS ka mbështetur projektin për restaurimin e këtij objekti. “Shkolla e parë shqipe është monument me rëndësi në trashëgiminë arkitekturore, duke pasur parasysh këtë fakt, Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport ka mbështetur projektin për restaurimin e kësaj shkolle”, u shpreh drejtoresha Sylejmani. Ajo tha se sipas projektit punimet pritet të përfundojnë brenda këtij viti.
Sylejmani bëri me dije se Komuna e Vitisë, si pjesë e projektit do të kujdeset që t’i realizojë detyrat e veta të dala nga Memorandumi i Bashkëpunimit i nënshkruar në mes të kryetarit Haliti dhe Ministrit Shala. Objekti i Shkollës së parë shqipe në Stubëll gjendet edhe në listën e trashëgimisë Kulturore për mbrojtje të përkohshme.
Në Stubëll, fshat i Malësisë së Karadakut që shfaqet më 1555 dhe në një defter osmano-turk, më 1584 fillon tradita e arsimit shqip, i pari dhe i vetmi rast atëherë në Kosovë, kurë edhe kishte funksionuar SHKOLLA E PARË.

Kjo shkollë, siç shkruan edhe studiuesi i njohur Dhimitë S. Shuteriqi, ishte në formë kolegji, i rangut të një istituti të lartë ç`farë ishin zakonisht kolegjet fetare të asaj kohe në Evropë, e ku, perveq teologjisë, mësohej filosofia dhe studioheshin klasikët (shih: Dhimitër S. Shuteriqi, Marin Beçikemi dhe shkrime të tjera, Naim Frashëri, Tiranë 1987, fq. 92). Kjo Traditë e shkollës shqipe, e filluar pra që në vitin 1584 (shek. 16), do të vazhdojë të përforcohet dhe të pasurohet veçanërisht në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Kurë në disa qendra të njohura të Kosovës si në Prizren, Pejë, Gjakovë, Zym, Janjevë dhe Stubëll, pranë Kishave Katolike, do të hapen dhe rihapen Shkolla shqipe duke u bërë vatra të njëmendëta jo vetëm të arsimit dhe tëedukimit, por edhe të lëvizjes sonë kombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *